Shikim të këndshëm!

02/11/2015 12:01 PM 0 komente

Prodhime të reja e “merkato e ethshme” moderatorësh. Kështu mund të përkufizohet në pak fjalë sezoni i vjeshtës në ekranin e vogël shqiptar. Televizionet kryesore kanë zbuluar disa nga surprizat që pritet të shfaqen me ftohjen e motit. Në këtë sezon duket se kanë ndryshuar edhe strategjitë për të tërhequr audiencën, ndërsa menaxherët e prodhimit flasin për hapa të kujdesshëm për të ruajtur audiencën e besnike

 

Nga Elona Bedalli

 

Katër janë prodhimet me hapësirat publicitare më të shtrenjta në ekranet shqiptare, “Portokalli”, “The Voice”, “Master Chef” dhe “Big Brother”, që të gjitha prodhime që mbajnë firmën e Top Channel. Për reklamuesit kostoja nuk ka ndryshuar në krahasim me sezonin e kaluar, pasi tarifat janë në të njëjtin nivel, përjashtim bën vetëm spektakli “Big Brother”, i cili ende nuk është përcaktuar se kur do të nisë.

Megjithatë, ky sezon televiziv duket se ka pasur nga të gjitha, blerje patentash të trumbetuara me bujë, hatërmbetje, prishje të traditës, doza guximi, nota latine e orientale etj. Një treg ku pavarësisht krizës po investohet, jo vetëm për të bërë për vete audiencën, por edhe biznesin si blerësin kryesor të hapësirave publicitare. Një treg ku nuk kanë munguar as mbylljet e as falimentimet.

E në këtë treg ku gjen nga të gjitha, televizionet kryesore ofrojnë programet e konsoliduara që ndjekin me besnikëri rrugën e shtruar, por edhe blerje të reja, patenta ndërkombëtare për të cilat më parë është marrë parasysh suksesi i korrur nga audiencat e tjera të huaja. Lufta më e fortë, ajo “kokë më kokë”, bëhet në orarin e më të mirë të audiencës, atë që njihet si prime-time, ku herë ndeshet politika, herë muzika, herë humori e herë telenovelat.

Të tre televizionet kryesore Top Channel, TV Klan dhe Vizion Plus duket se kanë rinovuar strategjitë e tyre të programacionit, me qëllimin final tërheqjen e audiencës së grupmoshave 14-49 vjeç, siç është edhe standardi ndërkombëtar.

Top Channel, për herë të parë, ka nisur transmetimet me një emision siç është “Në shtëpinë tonë” që shkon deri në mesditë. Po përgatitet për paraqitjen e një formati të ri, siç është ai që do të drejtohet nga Arbana Osmani nën titullin “I can do that” (Unë mund ta bëj) që do ta ketë premierën në datë 31 tetor, për të vazhduar çdo të shtunë në ekranin e Top Channel. Ky është një format origjinal i izraelites Armoza Formats, në zhanrin reality-comedy ku përfshihen 8 personazhe të famshëm të cilët sfidojnë njëri-tjetrin me një numër artistik që nuk u përket kompetencave të tyre, por me bindjen se secili “mund ta bëjë atë!” Konkurrentët do të mund të zgjedhin numrin e tyre nëpërmjet garës së shpejtësisë në ngjitjen e shkallëve në studion televizive. Më pas, ata do të kenë një javë kohë për t’u përgatitur deri në ditë e spektaklit ku do të performojnë live numrin artistik që kanë zgjedhur. Publiku do të jetë ai që do të vendosë fituesin nëpërmjet votimit.

TV Klan dhe Vizion Plus vazhdojnë të konkurrojnë me një program të ngjashëm (edhe pse jo në të njëjtën ditë transmetimi) ku personazhet Vip dhe kërcimi bëhen bashkë në një spektakël. Pas “Dance with me”, Klan do të nisë transmetimin e një tjetër programi (një patente ndërkombëtare) nën titullin “Your face sounds familiar”, versioni origjinal i të cilit është spanjoll dhe transmetimin e parë e daton në mars të vitit të kaluar. Natyrisht që TV Klan do të vazhdojë t’i besojë një hapësirë të konsiderueshme edhe telenovelave turke, që tashmë e kanë bërë për vete publikun shqiptar, ndërsa e reja është se janë kthyer sërish në “skenë” edhe ato braziliane.

Vizion Plus do të vazhdojë të ketë si program kryesor “Dancing with the stars”, e po kështu një pjesë e mirë e orarit të javës do të zihet nga humori me dy spektaklet si “Al Pazar” dhe “Grand Hotel 2XL”. Pas një përvoje të gjatë në Top Channel, Rudina Xhunga rikthehet me emrin e emisionit me të cilin nisi karrierën e saj televizive “Dritare”, por këtë herë në Vizion Plus. Edhe në këtë ekran, telenovelat turke zënë një vend të rëndësishëm, së bashku me ato të Amerikës Latine.

Për fat të keq vazhdojnë të mungojnë prodhimet tërësisht origjinale dhe shqiptare, pasi ato kushtojnë dhe investimi nuk kthehet i plotë. Kështu programacioni është i vetmi produkt që rrjetet televizive iu “shesin” konsumatorëve (audiencës televizive) dhe klientëve (reklamuesve) gjithashtu. Këtu dallohet prirja për t’u orientuar më tepër drejt formateve të tipit reality-show, si dhe atyre që kanë mundësi të gjenerojnë në një shkallë të konsiderueshme ndërveprimin e audiencës me televizionin.

 

Top Channel: Ne, në funksion të shikuesve

Sezoni i ri televiziv ka nisur rrugëtimin në Top Channel, me formatet e konsoliduara, por edhe me prurjet e reja. Një prej tyre do të nisë transmetimin më datë 31 tetor. Bëhet fjalë për show-n “I can do that”, i cili do të drejtohet nga Arbana Osmani. Drejtorja e Prodhimit në Top Channel, Vjollca Dedei, thotë se ky prodhim është transmetuar me sukses në shumë vende, përfshi këtu NBC-në apo edhe në Itali, në RAI. Ky format nuk ka të bëjë me garën, por është një reality-argëtues. Janë tetë personazhe VIP që konkurrojnë me njëri- tjetrin në sfida që nuk kanë të bëjnë me fushën e tyre. Në përfundim të garës do të shpallet personazhi fitues, i cili 50% të shpërblimit do t’ia dorëzojë një talenti të ri në fushën e tij. Një format, i cili sjell një spektakël ndryshe nga ajo që kemi parë deri më sot dhe që është tendencë edhe në vendet e tjera.

Për znj. Dedei, Top Channel tenton që në raportin prodhim/blerje, e para të jetë në nivel më të lartë. E kjo vihet re te numri i spektakleve që janë apo do të jenë në transmetim. Po, programet që kanë në qendër kuzhinën dhe muzikën tërheqin më shumë publikun, por njerëzit duan të shohin edhe diçka ndryshe.

Një format tërësisht i ri është edhe ai që ka nisur të shfaqet, “Në shtëpinë tonë”, ndërsa “Selelct” pritet të vijë për shikuesin në mënyrë tërësisht të transformuar. Për, znj. Dedei, si shtylla kryesore të programacionit të Top Channel janë edhe programet “Fiks Fare”, “Top Story”, “Master Chef” apo edhe “E Diell” e “100 Milionë”, etj.

Por, a dalin me fitim këto prodhime? A i justifikojnë shpenzimet? Sipas, drejtores së Programacionit në Top Channel bëhen përpjekje për të ruajtur ekuilibrin mes investimit të realizuar dhe asaj që audienca pëlqen. “Është më e vështirë që të fusësh në programacion prodhime, show të mëdha sesa blerje të gatshme. Dhe ne përpiqemi që të ndjekim këtë logjikë”, thotë znj. Dedei.

Në lidhje me pyetjet nëse audienca shqiptare është më besnike ndaj formatit apo ndaj prezantuesit, znj. Dedei thotë se në televizion janë njësoj të rëndësishme si përmbajtja, ashtu edhe personazhi. Ndërsa shton se Top Channel është në funksion të shikuesit dhe mbi këtë logjikë ndërton gjithë programacionin.

 

Reklamat, çmimet nuk kanë ndryshime

Ky është sezoni i dytë televiziv ku shumica e tarifave reklamuese nuk ka pasur luhatje të ndjeshme, me disa përjashtime të vogla.

Në Top Channel, katër programe: “The Voice”, “Master Chef”, “Portokalli” dhe “Big Brother” (spektakël) ofrojnë të njëjtin çmim për spot sekondë (rreth 60 euro), një fakt i tillë tregon rëndësinë që kanë këto spektakle dhe që fare mirë mund të konsiderohen si katër shtyllat e programacionit.

Në programet e Top Channel, rritjen më të madhe e ka shënuar “E Diell” me rreth 170%. (ose rreth 19.2 euro për sekondë). Por, edhe spoti për sekondë i parashikuar në spektaklin “Big Brother” ka shënuar rritje me rreth 8%. I vetmi program që ka shënuar rënie të çmimeve reklamuese është “Top Show”, me rreth 19%.

Edhe gjatë këtij sezoni, tarifat për emisionet “Wake Up” apo “Top Story” janë në të njëjtin nivel.

Edhe në TV Klan, tarifat reklamuese të spoteve publicitare nuk kanë shënuar ndryshime. “E Diela Shqiptare” është i vetmi spektakël ku spoti me çmimin maksimal për sekondë ka shënuar rritje me rreth 40%. “Dance with me”, “Opinion” apo “Zonë e lirë” kanë ndjekur të njëjtën linjë tarifimi si në sezonin e vjeshtës së kaluar. Megjithatë, “Opinion” i Blendi Fevziut mbetet emisioni më i shtrenjtë, pasi një sekondë spot publicitar kushton 50 euro. Ndërsa reklamimi në serialet e mbrëmjes (përfshi këtu edhe ato turke) llogaritet nga 25-33 euro për sekondë.

Vizion Plus gjithashtu nuk i ka ndryshuar tarifat. Përjashtim bën vetëm emisioni i drejtuar nga Turjan Hyska “Oktapod”, ku çmimi reklamues është 8% më i ulët se sezoni i kaluar. Rënie në Vizion Plus kanë shënuar edhe tarifat e reklamave në edicionin kryesor të lajmeve.

Spektakli me çmimin më të lartë vazhdon të jetë edhe për këtë sezon “Dancing with Stars” ku për një sekondë, spoti llogaritet në rreth 56.4 euro.

Ajo që vihet re në programacion është rritja e konkurrencës mes emisioneve të të njëjtit format.

Ditën e hënë, konkurrenca shtrihet mes “Dance with me” në Tv Klan, “Dritare” me Rudina Xhungën në Vizion Plus dhe filmit në Top Channel.

Ditën e enjte, kur Top Channel dhe TV Klan “përplasin brirët” me emisionet politike “Top Story” dhe “Opinion”, Vizion Plus konkurron me spektaklin kryesor të tij, “Dance with Stars”.

Të premten në tri televizionet kryesore konkurrojnë zhanre të ndryshme. Ndërsa Top Channel ia beson prime–time “Master Chef”, Vizion Plus vjen me “Oktapod”, ndërsa TV Klan me “Zonë e lirë”.

Të shtunën, Vizion Plus ia ka besuar show-t humoristik “Al Pazar”, ndërsa Top Channel duke filluar nga data 31 tetor do të fillojë të transmetojë show-n argëtues “I can do that”. Përballë këtyre prodhimeve TV Klan zgjedh të konkurrojë me telenovelën turke, prodhim i këtij viti “Ertugrul”.

Të dielën “Portokalli” në Top Channel konkurron me dy telenovela turke, “Lugina e Ujqërve” në Vizion Plus dhe “Ertugrul” në televizionin Klan.

Share on FacebookTweet about this on TwitterShare on Google+Share on LinkedInEmail this to someonePrint this page

Komente

Jeni i pari për të shkruar një koment!

Notify of
avatar
wpDiscuz