Banka e Shqipërisë ka shitur sot në ankand rreth 25.4 miliardë lekë bono thesari me afat maturimi 6 dhe 12 mujor.
Me kërkesën që ka qenë më e lartë se oferta, yield-i (interesi) i bonove ka shënuar një rënie të mëtejshme, duke arritur në një tjetër minimum historik.
Për bonot 12 mujore, shuma e shpallur për shitje ishte 12 miliardë lekë dhe ajo e kërkuar 9 miliardë lekë. Yield-i mesatar i ponderuar zbriti në 5.35%. Në ankandin e mëparshëm për bonot me të njëjtin maturim, yield-i mesatar i ponderuar ishte 5.52%.
Për bonot 6 mujore, shuma e ofruar për shitje ishte 16.34 miliardë lekë dhe ajo e kërkuar 18.57 miliardë lekë. Yield-i zbriti në 5.3%. Për bonot 6 mujore, yield-i në ankandin e mëparshëm rezultoi 5.51%.
Kjo ishte shuma më e madhe shpallur për shitje që nga janari 2013.
Rreth 65% e shumës së shpallur i takonte Bankës së Shqipërisë. Kjo e fundit është pjesëmarrëse e rregullt në ankandet e Bonove të Thesarit, kryesisht në ato 3 dhe 6 mujore dhe shumë më pak në ankandet 12-mujore. Sipas burimeve zyrtare nga Departamenti i Operacioneve, Banka e Shqipërisë ka portofolin e vet të letrave me vlerë të cilat shërbejnë në ekzekutimin e operacioneve me bankat e nivelit të dytë për zbatimin e politikës monetare. Banka e Shqipërisë me ligj nuk lejohet të rrisë pjesëmarrjen e saj në ankandin primar të bonove të thesarit të qeverisë, por lejohet vetëm të riinvestojë shumën e maturuar ose ta ulë atë.
Rritja e deficitit
Gjatë pjesës së parë të vitit, në periudhën para zgjedhore, qeveria shqiptare ka shënuar një performancë të ulët të të ardhurave buxhetore, çka ka çuar në rritjen e deficitit, duke e detyruar qeverinë që të kërkojë më shumë borxh.
Me të ardhurat që kanë rënë me 0.2% me bazë vjetore dhe shpenzimet totale që janë rritur me 13.3% me bazë vjetore, deficiti buxhetor në pesë muajt e fundit e kaloi nivelin e krahasueshëm të vitit të kaluar me rreth 114% dhe ishte pothuajse 50% më i lartë se ai i planifikuari. Deficiti tashmë ka arritur në rreth 2.7% të PBB-së vjetore, ndërkohë që qeveria synon një deficiti buxhetor prej 3.5% të PBB-së për të gjithë vitin.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.