Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Punëtorëve të “Ferronikelit” Fehmi Nika i tha “Zërit” se punëtorët nuk kanë asnjë informacion për shitjen e “Ferronikelit”, ndërsa ka sqaruar se menaxhmenti aktual ua ka borxh punëtorëve edhe nga një pagë e gjysmë. Në anën tjetër, Autoriteti Kosovar i Konkurrencës ka njoftuar se është marrë vendimi që kompanisë “NKL Limitet” me bazë në Londër t’i lejohet përqendrimi përmes përfitimit 100 për qind të kontrollit në “Ferronikel” pas blerjes së aksioneve.
Informacionet se njeriu më i pasur në Shqipëri, Samir Mane, ka blerë “Ferronikelin” nuk i kanë shqetësuar dhe as nuk i kanë gëzuar punëtorët e “Ferronikelit”, të cilët vetë kanë ndërprerë prodhimin para gati tre muajve për shkak se menaxhmenti nuk i kishte kryer obligimet ndaj tyre.
Ndonëse menaxhmenti i “Ferronikelit” në maj kishte dalë me një komunikatë se prodhimi në “Ferronikel” do të kthehet në fund të qershorit, gjasat janë shumë të vogla që prodhimi të rifillojë në një të ardhme të afërt, përveç nëse pronarët e rinj, kompania “NKL Limitet”, e cila edhe zyrtarisht pohohet se ka blerë ndërmarrjen, do ta rifillojë prodhimin.
Edhe punëtorët shprehen të indinjuar me situatën që është krijuar në gjigantin e dytë më të madh në Kosovë pas “Trepçës”, pasi menaxhmenti ua ka borxh punëtorëve edhe nga një pagë e gjysmë./ ZERI.INFO
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.