Pas disa muajsh negociata është finalizuar transaksioni për shitjen e Telekom Albania, operatori i dytë i telefonisë celulare në vend.
Grupi grek OTE – i cili është në pronësi të rrjetit gjerman të telekomunikacionit, Deutsche Telecom – dhe zotëron 99.79% të aksioneve të Telekom Albania – njoftoi zyrtarisht se “OTE ka hyrë në një marrëveshje për të shitur kuotën e saj të plotë në Telekom Albania Sh.A. (Telekom Albania) te kompania bullgare Albania Telecom Invest AD për një shumë totale prej 50 milionë eurosh. Albania Telecom Invest AD kontrollohet nga z. Spas Roussev, aksioner kryesor i operatorit të telefonisë bullgare Vivacom, dhe nga z. Elvin Guri, një investitor bullgaro-shqiptar”.
Transaksioni u nënshtrohet procedurave normale të përfundimit, duke përfshirë miratimin nga autoritetet kompetente dhe financimin, dhe pritet të përfundojë në gjysmën e parë 2019.
Blerësit
Spas Dimitrov Rusev është një sipërmarrës bullgar, i cili në vitin 2016 ishte në krye të konsorciumit që mori kontrollin e operatorit kryesor bullgar të telefonisë celulare Vivacom (të regjistruar si Kompania Bullgare e Telekomunikacionit, BTC) nga VTB Capital (krahu i bankingut investues i ruses VTB) dhe ka rolin e partnerit strategjik edhe tek Albania Telecom Invest AD, përmes njohurive në fushën e telekomunikacionit.
Elvin Guri, një sipërmarrës bullgar me origjinë nga Shqipëria, i cili u largua për në Bullgari në vitin 1992, për të ndjekur studimet në Universitetin Amerikan të Bullgarisë, e nisi aktivitetin me institucionin jobankar financiar JetFinance, të cilin ia shiti më pas grupit francez BNP Paribas. Përpara se të bëhej sipërmarrës, Guri punoi për PricewaterhouseCoopers dhe BERZH në Sofje dhe Londër.
Aktualisht në Bullgari, Elvin Guri është aksioner 100% i fondit bullgar River Styxx Capital EAD, të krijuar në vitin 2008 dhe që ka një kapital themeltar prej 71,429 BGN (rreth 36.5 mijë euro). River Styxx Capital raportoi të ardhura prej rreth 417 mijë eurosh në 2017-n dhe humbje prej rreth 530 mijë eurosh. 2015-a ishte më i miri i tre viteve të fundit, teksa të ardhurat ishin rreth 1.15 milionë euro dhe fitimet 382 mijë euro, sipas të dhënave zyrtare nga Regjistri Bullgar i Tregtisë (shih tabelën).
Në Shqipëri, River Styxx Capital hyri në vitin 2011, përmes blerjes së 19.72% të aksioneve të shoqërisë që vepronte në fushën e mikrofinancës, Final, duke e rritur gradualisht zotërimin deri në 38.11% (aksionerë të tjerë të Final ishin Balfin me 38.4% dhe disa individë).
Në gusht 2018, River Styxx Capital e shiti gjithë kuotën që zotëronte në Final, së bashku me aksionerët e tij, te shoqëria e mikrofinancës, IuteCredit, që tashmë zotëron 100% të Final. Në gusht të vitit 2017-s, River Styxx Capital arriti një marrëveshje për të blerë 85% të aksioneve të Telenor Bank në Serbi.
Në bazë të kësaj marrëveshje për partneritet strategjik, grupi norvegjez i telekomunikacionit Telenor do të mbajë 15% të kapitalit në Telenor Banka, një bankë serbe online. “Investimi në Telenor Bank dhe vendosja e marrëveshjes tregtare dhe kapitale me Telenor është një mundësi e pashembullt për të hyrë në tregun serb, një treg që vazhdon të ofrojë mundësi tërheqëse për rritje,” tha CEO i River Styxx Capital, Elvin Guri, në një deklaratë, raportuan mediat në atë kohë.
Por, marrëveshja nuk mori miratimin e Bankës Qendrore të Serbisë në shkurt të vitit 2018. Marrëveshja nuk mori miratimin, pasi dokumentacioni nuk plotësonte kushtet e vendosura nga autoritetet rregullatore, raportoi media lokale serbe Vecernje Novosti, duke cituar burime nga banka qendrore serbe. Në Bullgari, krahas River Styxx Capital. Guri është aksioner me 27.5% të kuotave tek EMP Invest Bulgaria AD, një firmë private kapitali, me qendër në Sofje, Bullgari.
Grupi grek OTE – i cili është në pronësi të rrjetit gjerman të telekomunikacionit, Deutsche Telecom – dhe zotëron 99.79% të aksioneve të Telekom Albania- njoftoi zyrtarisht se “OTE ka hyrë në një marrëveshje për të shitur kuotën e saj të plotë në Telekom Albania Sh.A. (Telekom Albania) tek kompania bullgare Albania Telecom Invest AD për një shumë totale prej 50 milionë eurosh.
Albania Telecom Invest AD kontrollohet nga z. Spas Roussev, aksioner kryesor i operatorit të telefonisë bullgare Vivacom, dhe nga z. Elvin Guri, një investitor bullgaro-shqiptar”. Transaksioni iu nënshtrohet procedurave normale të përfundimit, duke përfshirë miratimin nga autoritetet kompetente dhe financimin, dhe pritet të përfundojë në gjysmën e parë 2019, njoftoi OTE.
Telekom Albania kishte të ardhura prej 9.1 miliardë lekësh në 2017-n, ndërsa raportoi humbje tepër të larta prej 4.8 miliardë lekësh (më se gjysma e të ardhurave) në 2017-n, apo rreth 36 milionë euro, pas fitimeve minimale prej 155 milionë lekësh në 2016-n, sipas bilancit zyrtar. Humbjet erdhën pas një periudhe të artë, kur OTE, që bleu Telekom Albania (ish-AMC) për 80 milionë euro në vitin 2000, shënonte fitime mjaft të larta.
Rekordi është arritur në vitin 2008, me fitime para taksave që ishin rreth 110 milionë euro, teksa norma EBITDA (fitimet para interesave, taksave, zhvlerësimit dhe amortizimit) arrinte deri në 80%. Pas 2008-s, fitimet ranë gradualisht për të arritur në 30 mln euro në vitin 2013 dhe 17 mln euro në 2014, për të kaluar më pas me humbje të larta në 2017.
Tregu i telefonisë celularë në rënie
Tregu i telefonisë celulare po riformatohet me shpejtësi, në linjë me zhvillimin e shpejtë të teknologjisë dhe internetit. Ai po orientohet drejt datave, broadband, teknologjive të reja dhe shërbimeve nëpërmjet celularit dhe internetit, duke përfshirë shërbimet financiare dhe bankare, si dhe transportin. Interneti e ka bërë komunikimin më të lirë, duke ndikuar në uljen e ndjeshme të trafikut ndërkombëtar, që është një nga burimet kryesore të të ardhurave të kompanive.
Kjo ka sjellë rënie të lartë të të ardhurave të tregut të telefonisë, që dominohet nga operatorët celularë. Sipas të dhënave të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), të ardhurat totale të sipërmarrësve nga komunikimet elektronike për vitin 2017 ranë me 13% në raport me një vit më parë, duke arritur në 37 miliardë lekë. Edhe normat e fitimit janë ulur ndjeshëm, larg viteve të arta kur subjektet kishin një normë përfitueshmërie prej rreth 50%.
Vodafone mbetet më i madhi në tregun e telefonisë celulare dhe ka arritur të mbajë të ardhurat e pandryshuara në 17.2 miliardë lekë.
Telekom Albania, operatori i dytë më i madh në treg, pa rënie të të ardhurave me 14% në 9.1 miliardë lekë. Sipas deklarimeve në bilanc, për herë të parë që kur nisi aktivitetin, Telekom Albania deklaroi humbje të thellë prej 4.8 miliardë lekësh, nga fitimet minimale prej 156 milionë lekësh të një viti më parë.
Edhe për Albtelecom, rënia e të ardhurave ishte dyshifrore. Qarkullimi i operatorit të telefonisë fikse dhe celulare ra me 11.5% në 8.2 miliardë lekë.
Plus Communication doli nga tregu në fund të vitit të kaluar, duke deklaruar të ardhura prej 2.5 miliardë lekësh (-18.3%) për 2018-n. Kompania e katërt e telefonisë celulare, një investim i sipërmarrësve shqiptarë, u tërhoq nga tregu në fund të 2017-s, tetë vjet pasi kishte filluar aktivitetin.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.