Leicester City ka shkarkuar Claudio Ranierin. Ishte vetë klubi anglez që e zyrtarizoi lajmin që qarkullonte në Daily Mail, përmes faqes zyrtare. Në komunikatën që shfaqet në faqen zyrtare të klubit, sqarohet se vendimi është marrë për shkak të pozicionimit të dobët të skuadrës në renditjen e Premier League. Zv.presidenti, Aiyawatt Srivaddhanaprabha sqaroi: “Ishte një vendim i vështirë, por i pashmangshëm. Duhet të shpëtojmë, na nevojitej një ndryshim lidershipi”.
Vetëm 9 muaj pas një prej triumfeve më të pabesueshëm në historinë e futbollit, çdo gjë përfundoi. Ranieri, kampioni në fuqi i Premier League, nuk është më trajner i Leicester-it. Lajmi u bë i ditur mbrëmë, pas kthimit të skuadrës nga transferta e Seviljes në Champions League. Deri në caktimin e trajnerit të ri, skuadra do të drejtohet përkohësisht (ad interim) nga Craig Shakespeare dhe Mike Stowell.
Shkarkimin e italianit e komentoi zv.presidenti i “Dhelprave”, Aiyawatt Srivaddhanaprabha: “Ky është vendimi më i vështirë që kemi marrë në këto 7 vite. Por ne duhet të mendojmë vetëm për interesat afatgjatë të klubit, duke marrë vendime edhe kundër ndjenjave. Ranieri e çoi skuadrën në një tjetër nivel: menaxhimi dhe motivimi i tij na ndihmuan të fitonim titullin kampion. Do t’i jemi gjithnjë mirënjohës për çka bëri tek ky klub”.
“Nuk prisnim të përsërisnim sezonin e shkuar, por qëndrimi në Premier është objektivi ynë kryesor. Për momentin jemi duke vuajtur, dhe duhet të ringrihemi duke u përqendruar te 13 javët e mbetura të kampionatit”.
Leicester City do të paguajë një shumë të majme për këtë shkarkim. Ranieri, menjëherë pas fitimit të titullit kampion, rinovoi kontratën me “Dhelprat” deri në vitin 2020, me një pagë prej 5 milionë eurosh neto në vit. Shifra, të cilën klubi që rrezikon rënien nga kategoria, do të jetë i detyruar t’ia paguajë trajnerit roman do të jetë rreth 20 milionë euro. Nga ana tjetër mendohet që kërkesat për Ranierin nuk do të mungojnë. Ai mund të rikthehet në Itali, saktësisht në Firence (Fiorentina), ku shihet si kandidati kryesor për të zëvendësuar portugezin Paulo Sousa.