Propozimi i pranuar i Komisionit Parlamentar të Ekonomisë për shkarkimin e drejtores ekzekutive të AMF-së të sjellë nga Bordi Drejtues po shkakton reagime të forta politike dhe kjo u pa edhe gjatë mungesës së një pjese të deputetëve kur duhej të hidhej për votim.
Mungesa e katër deputetëve të LSI-së nuk u komentua nga kreu i komisionit Erjon Braçe, i cili tha se për këtë seancë janë njoftuar të gjithë deputetët, anëtarë të Komisionit.
Por, qëndrimi që ai mbajti jashtë dyerve të komisionit përpara gazetarëve ishte edhe më i fortë. Ai hodhi hije të forta dyshimi se po kërkohet që të blihen deputetë dhe se po ushtrohet presion nga ana e shoqërive të sigurimit për të mos lejuar shkarkimin e znj. Shehi. Braçe iu përgjigj edhe akuzave që kanë ardhur në këtë adresë nga ana e shefit të opozitës, Lulzim Basha, në lidhje me pretendimin për pastrim parash.
Sipas Braçes, kjo nuk është një çështje politike, por ka të bëjë me një institucion i cili nuk ka arritur të përmbushë detyrimet e ngarkuara nga ligji, por edhe rekomandimet e Kuvendit, si në vitin 2014 ashtu edhe në 2016-ën.
“Në mënyrë të vazhdueshme, tha Braçe, ne kemi kërkuar zbatimin e rekomandimeve të dhëna nga një sërë institucionesh, si Kuvendi, Fondi Monetar Ndërkombëtar, por edhe Banka Botërore si institucioni i drejtpërdrejtë i angazhuar”.
“Janë duke na bërë presione dhe kjo situatë duhet të marrë fund. Po bëhen përpjekje për të blerë deputetë. Shoqëritë e sigurimeve po ushtrojnë presion që ky shkarkim të mos bëhet”, tha Braçe.
Sipas tij, të gjitha shkeljet janë të dokumentuara, përfshi këtu edhe në rezolutën e Kuvendit për vitin 2015.
“Pasojat me të cilat do të përballet tregu do të jenë të rënda. Duhet të ndiqet rruga e kthimit në ligjshmëri”.
Sipas tij, është hera e dytë që AMF-së i kërkohet ligji për sigurimin e detyrueshëm në transport, si dhe zbatimi i sistemit Bonus- Malus për të cilin nuk është bërë asgjë.
Braçe tha se Kuvendi do të vazhdojë të ndjekë të gjithë procedurën e nevojshme për të bërë të mundur zbatimin e ligjit dhe atë të detyrës si organi mbikëqyrës i AMF-së.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.