Në më pak se një dekadë, biznesi i universiteteve përjetoi periudhën e tij të lulëzimit dhe nisi rënien, që u përshpejtua nga vendimi drastik i qeverisë për pezullimin apo mbylljen e më se 30 shkollave të larta. Si i erdhi fundi modelit të paqëndrueshëm të biznesit, ku prodhimi i diplomave kishte më shumë rëndësi sesa dijet…
Nga Ornela Liperi
Universitetet private do të mbahen mend si bizneset me ciklin më të shkurtër të jetës në ekonominë e post-tranzicionit në Shqipëri. Lulëzuan pas vitit 2004, duke iu gëzuar një rritjeje të shpejtë të të ardhurave dhe normave të larta të fitimit, teksa plotësonin urinë e një tregu të etur për studime. Kjo zgjati deri në vitin 2011, këto institucione të shkollimit të lartë privat panë për herë të parë një rënie të qarkullimit vjetor dhe ndien vështirësitë e të bërit biznes në këtë fushë. Jo nga kriza ekonomike, si gjithë sipërmarrjet e tjera, por nga modeli i paqëndrueshëm i biznesit që kishin ngritur, ku prodhimi i diplomave kishte më shumë rëndësi sesa dijet. Dhe me brezat e parë që dolën në tregun e punës dhe u hasën me skepticizmin e punëmarrësve, modeli filloi të zhvlerësohej me shpejtësi.
Goditjen përfundimtare ia dha vendimi i fundit i qeverisë për heqjen e licencave për 18 universitete dhe pezullimin e 18 të tjerëve.
Lulëzimi, pse Universitetet, ishin një biznes interesant
Pas vitit 2004, numri i universiteteve private në vend filloi të rritej me shpejtësi, duke i kaluar 50 brenda një periudhe të shkurtër (vetëm në 2006-n u hapën më shumë se 10 të tillë, ndërsa ritmi ra dukshëm pas vitit 2010).
Shumë u joshën nga fakti që shkollat e larta përgjithësisht kërkonin një investim fillestar minimal në pajisje dhe qira (përveç rastit kur ambientet blihen, por pjesa më e madhe i kanë me qira). Investimet në pajisje varionin nga 60 mijë deri në 300 mijë euro.
Kosto më e lartë, sipas bilanceve që kanë deklaruar pjesa më e madhe e universiteteve në vitin 2013, është ajo e fuqisë punëtore, që zë rreth 40-50% të totalit të shpenzimeve.
Kjo u mbështet nga aftësia paguese dhe kërkesa relativisht e lartë e studentëve, si rrjedhojë e rikthimit të vëmendjes drejt shkollimit, ndërsa pagesat për një universitet që varionin nga 2,000-5,000 euro konsideroheshin të kënaqshme.
Numri i studentëve që ndiqnin një universitet privat u rrit me shpejtësi, nga 405 në vitin akademik 2003-2004, kohë kur raportohen për herë të parë të dhënat nga INSTAT, në 35 mijë në vitin akademik 2011-2012, informacioni i fundit i disponueshëm, gati një e katërta e atyre që studiojnë në publik.
Rënia
Investimi i leverdishëm ishte vetëm një aspekt dhe jo më i rëndësishmi. Elemente të tjerë, përveç infrastrukturës fillestare, ishin mjaft të rëndësishëm në suksesin e këtij modeli biznesi, si niveli akademik (formimi dhe cilësia e pedagogëve) dhe kërkimi (lidhja mes teorisë dhe praktikës) dhe mbi të gjitha, suksesi i të diplomuarve në tregun e punës, kryesisht atë privat (sa shpejt ata arrinin të gjenin një punë, me çfarë page, sa ngjiteshin në karrierë, si i perceptonte punëdhënësi privat të diplomuarit në universitetet jopublike e elemente të tjerë të ngjashëm).
Ekspertët kishin parashikuar që në fillim që tregu nuk do të kishte forcë për të gjitha universitetet. Në një periudhë disavjeçare pritej të bëhej diferencimi i vërtetë i shkollave private, me mbyllje apo bashkim i më të “dobëtëve”.
Dhe realisht, pas 6-7 viteve, me brezat e parë të studentëve që dolën në tregun e punës, filloi vetëselektimi. Pas një rritjeje të shpejtë, shumë universitete panë në vitin 2011 një rënie të xhiros (shiko grafikun Rënia filloi që në 2011/ Qarkullimi vjetor i Universiteteve kryesore).
Dy ishin elementet që i dhanë goditjen e parë. Së pari, hyrja në universitetet publike u liberalizua ndjeshëm dhe së dyti, brezat që po dilnin u përballën me skepticizmin e sipërmarrjeve private.
Një element tjetër që ndikoi ishte mungesa në gjithë këto vite e një renditjeje të pavarur të Universiteteve (ashtu siç ndodh kudo në botë, ku revista apo gazeta të njohura publikojnë çdo vit renditjen e UT-ve më të mira, duke u nisur nga shumë elemente si cilësia e mësimdhënies dhe niveli i pedagogëve, aftësitë e treguara dhe ecuria në karrierë e të diplomuarve, niveli i kërkimit etj.).
Ekonomiksi i mbrapshtë i punës
Nëse dikush zgjedh të diplomohet, llogaria më e thjeshtë që bën (e njohur si ekonomiksi i punës) është: A ia vlen të heq dorë katër vjet nga një e ardhur që do të marr nëse do të punoja (kosto oportune), për t’u shkolluar me synimin, që pas shkollimit, do të arrij të siguroj fitime më të larta, që do të justifikonin shpenzimet dhe paratë e munguara nga këto katër vite shkollë. Për një të ri, që shpenzon mesatarisht 10 mijë euro në një universitet jopublik dhe pastaj e ka shumë të vështirë të gjejë një punë të mirëpaguar, apo fundja dhe thjesht një punë, përgjigjja do të ishte shumë deprimuese.
Dalja në tregun e punës të studentëve të parë të diplomuar nga universitetet private, ka qenë edhe indikatori kryesor për “vlerën” e diplomës.
Nëse në botën e zhvilluar, emra universitetesh private mund të të “hapin dyert” e karrierës dhe të një pune të mirëpaguar, kjo nuk duket se ndodh në Shqipëri, ku pjesa më e madhe e punëdhënësve vazhdojnë të vlerësojnë universitetin shtetëror.
Prandaj, në një moment të tillë, kur çmimi me të cilin paguhet shkolla, mesatarisht 2000-3000 euro/vit nuk arrin të kthehet në një periudhë afatmesme nga të ardhurat në punë, automatikisht, vlera e diplomës së “privatit” bie.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.