Shkollim nga interneti edhe në Shqipëri

31/01/2015 8:00 AM 0 komente

Kompanitë europiane që ofrojnë shërbime arsimore nga interneti hyjnë në Shqipëri. Schoolme.education, që ofron programe arsimore të nivelit 9-vjeçar, shpjegon se si mund të ndiqen mësimet në shqip edhe nga trevat shqipfolëse në rajonin e Ballkanit.

 

Kompanitë e shërbimeve elearning kanë filluar të ofrojnë shërbimet e të mësuarit në distancë edhe në Shqipëri. Schoolme.education, një markë europiane e kësaj fushe, ofron një program të dixhitalizuar të shkollës nëntëvjeçare shqiptare.

Të gjitha lëndët e ciklit 9-vjeçar shpjegohen në shqip nga mësues të regjistruar dhe shoqërohen të sinkronizuara me video shkencore, filma, imazhe, dokumente, harta specifike, duke shtjelluar, duke thelluar dhe duke përditësuar të gjitha temat mësimore të renditura sipas programit, tha Iris Gjinovci, drejtoreshë e menaxhimit të Schoolme.education. Ajo shpjegon se, ky replikim i plotë bashkëkohor i sistemit publik arsimor shqiptar plotësohet nga mijëra video të tjera të zhvilluara nga institucione ndërkombëtare arsimore e shkencore, për të thelluar dhe për të sinkronizuar programin shqiptar me informacione dhe metoda bashkëkohore të shpjegimit.

Ky program afron nxënësin me shkollën, duke e bërë atë më aktiv dhe më të përgatitur. Analitik, ballafaqimi i njohurive, nxit një mënyrë ndryshe të të menduarit.

Programet mësimore shpjegohen nga mësues profesionistë dhe përditësohen në mënyrë të vazhdueshme.

Qëllimi i School Me është të mbështesë arsimin e nxënësve shqipfolës të shkollave 9-vjeçare në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Serbi, Malin e Zi, si dhe të fëmijëve shqiptarë në shtete të tjera në botë.

Mjafton një lidhje interneti dhe programi bëhet i disponueshëm në të gjitha pajisjet iT: kompjuter, laptop, tabletë, telefon celular, televizor (nëpërmjet kabllos USB ose direkt për TV internet).

 

Intervistë me zj. Iris Gjinovci, drejtoreshë e menaxhimit të Schoolme.education

Pse lindi ideja për transferimin e këtij modeli biznesi në Shqipëri?

Biznesi social është një drejtim ku po shkon shoqëria njerëzore, jo vetëm sepse fusha e lojës është globale, por edhe sepse shkalla e ndërgjegjësimit të personave që ndihen afër me këtë koncept është e lartë. Në përgjithësi, ndërmarrësit janë njerëz të angazhuar, që e konceptojnë si detyrë dhe pasion të ndërhyjnë në mbarëvajtjen e shoqërisë. Por ata janë njëkohësisht dhe njerëz të kualifikuar, të mirinformuar dhe të kthjellët që mendojnë se fondet e investuara në vepra bamirësie tradicionale janë të domosdoshme, por të konsumueshme. Kurse kur investohen në një biznes shoqëror rigjenerojnë çdo ditë pasuri për shoqërinë me produktin që ky biznes jep, vendet e punës që krijon, investimet e vazhdueshme dhe filozofinë shoqërore e menaxheriale që transmeton. Edukimi dhe transmetimi i dijeve është natyrisht një nga ndërmarrjet më të rëndësishme të shoqërisë njerëzore, prandaj biznesi social kur ndërhyn në fushën e edukimit cilësor, që ka qenë historikisht i rezervuar për vetëm një pjesë të popullsisë, ia mundëson aksesin çdo individi. Shoqëria njerëzore kërkon tashmë të konkretizojë idenë e shanseve të barabarta.

Sa me interes e vlerësoni tregun shqiptar?

Shqipëria, për nga numri i banorëve, ofron një treg të papërfillshëm për biznesin e madh dhe të pamjaftueshëm për biznesin e mesëm. Por ka mundësinë ta rrisë vëmendjen e këtyre bizneseve nëse heq barrierat doganore me Kosovën (pse jo dhe me Maqedoninë), dhe krijon një treg të përbashkët, sipas modelit të tregut europian.

Në rastin e programit School Me, fakti që programi shqiptar u zgjodh, në Londër, i pari që do të realizohej nuk ka të bëjë me interesin që ngjall tregu shqiptar, por me atë që, pa kompleks, kam dëshirë ta them: atdhedashurinë, dëshirën që populli shqiptar të mund të përfitojë i pari, në një bazë të gjerë, nga mundësia e një shkollimi cilësor online me standarde të tilla që çdo shkollë e Europës ose Shteteve të Bashkuara do ta pranonte me entuziazëm. Por dhe kjo nuk do të vonojë, sepse puna në Londër vijon për materializimin e konceptit në programet shkollore publike të shteteve të tjera europiane dhe të disa vendeve në zhvillim.

Çfarë risish sjell kjo mënyrë/koncept i dixhitalizimit/shkollimit online në Shqipëri?

Fillimisht, programi ynë replikon online mësimin si shpjegohet në klasë, por e bën këtë të shoqëruar njëkohësisht me filma, harta, laboratorë, imazhe. Teknologjia 3D, si thuhet tani, bëhet horizonti i ri për nxënësin. Asnjë shkollë në botë nuk mund të krenohet se mund të pasqyrojë procesin e ndërtimit të atomit në laboratorët e saj, ose të ketë në dollap hartën e një kryengritje të vitit 1537 për të materializuar periudhën dhe çështjet e kohës. Por School Me e ka, mjafton një ekran ose projektor i thjeshtë në shkollë, që të vizualizohet eksperimenti, skena, personazhet dhe dokumentet historike, relievi, planet, monumentet historike që e bëjnë ngjarjen të prekshme dhe të paharrueshme, tablotë e piktorëve të mëdhenj që e kanë materializuar.

Çfarë tregu synoni? Çfarë mbështetje mendoni të keni nga institucionet shtetërore?

Ne do të dëshironim një përhapje të gjerë të School Me, sepse ideja e shanseve të barabarta mund të realizohet vetëm kështu. Ne e kemi bërë punën tonë. Programi i një klase është në shitje për 1500 lekë (rreth 10 euro) për përdorim 6-mujor. Çdo prind shqiptar mund ta përballojë këtë ngarkesë dhe, nëse nuk mundet, ne do t’ia japim falas. Me kënaqësi kemi konstatuar se ekzistojnë, në shumicën e lokaliteteve, qendra interneti ose biblioteka komunale të pajisura me kompjuterë të lidhur në internet, çka e mundëson përdorimin e programit nga çdokush.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of