Ka mbërritur në Kuvend për miratim kredia e BERZH-it, me vlerë 36.8 milionë euro, e cila ka për qëllim të përdoret për rehabilitimin e linjës hekurudhore Tiranë – Durrës dhe ndërtimin e linjës së re për në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës.
Nëpërmjet marrëveshjes së lidhur ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe BERZH-it, do të sigurohet financimi me një hua në vlerën 36 870 000 euro për realizimin e këtij projekti.
Projekti i rehabilitimit të linjës hekurudhore Tiranë – Durrës dhe ndërtimi i linjës së re hekurudhore për në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës ka për qëllim, përveç ndërtimit të një linje të re për në Aeroportin e Tiranës, edhe modernizimin e linjës ekzistuese Tiranë – Durrës.
Objektivat kryesore në drejtim të arritjes së rezultateve lidhen me rehabilitimin e linjës ekzistuese hekurudhore nga stacioni qendror hekurudhor Durrës deri në vendndodhjen e ardhshme të Terminalit të Transportit Publik të Tiranës (PTT) me një gjatësi 34.2 km dhe, gjithashtu, për të ndërtuar një linjë të re hekurudhore që lidh linjën kryesore me Aeroportin e Rinasit (gjatësi 4.7 km), duke përfshirë dhe degëzimet shtesë 950 m dhe 800 m, respektivisht, për të lidhur linjën e re me Terminalin e Transportit Publik Tiranë PTT si dhe me qytetin e Durrësit.
Projekti parashikon, gjithashtu, ndërtimin e një terminali hekurudhor në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës (TIA) si dhe instalimin e një sistemi të ri sinjalizues dhe telekomunikacioni, të integruar në sistemin e linjës hekurudhore Durrës – Tiranë – Rinas.
Kredia që do të akordohet nga BERZH nëpërmjet marrëveshjes në fjalë do të përdoret për financim të punimeve civile, për rehabilitim të linjës ekzistuese dhe ndërtimin e linjës së re, në kuadër të projektit.
Projekti është pjesë e parashikimeve buxhetore të Ministrisë së Transportit dhe Infrastrukturës për periudhën 2017-2019, konkretisht në programin “Transporti Hekurudhor” për parashikimin e vlerës së TVSH-së dhe kosto lokale me kontribut buxhetor.
Kredia jepet për një periudhë 15-vjeçare, bazuar në normën e referencës (sipas monedhës së kredisë) plus marzhin prej 1%, ndërsa 0.5% në vit llogaritet si pagesë mbi shumën e padisbursuar të huas.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.