Shkoni në punë për të bërë ndryshimin, jo sa për të marrë pagën!

08/10/2018 3:55 PM 0 komente
TEMA TE NGJASHME:

Pse shkoni në punë? Ua kam bërë këtë pyetje drejtuesve prej më shumë se 30 vitesh dhe përgjigjet kanë qenë befasuese. Disa thonë se shkojnë në punë për të krijuar marrëdhënie me njerëzit.

Të tjerët se fokusohen më shumë te detyrat që duhet të përmbushim se sa tek njerëzit. Por njerëzit më të kënaqur me punën thonë se shkojnë në punë për të bërë ndryshimin, pavarësisht titullit, rolit apo funksionit të tyre. Anasjellas, njerëzit më pak të kënaqur thonë se punojnë sa për të marrë pagën.

Nëse doni të fitoni para shpejt dhe në mënyrë të thjeshtë, ju duhet të bëni ndryshimin. Nëse nuk jeni të sigurt se si të bëni ndryshimin në punën apo rrethanat aktuale, më poshtë janë katër këshilla që mund t’ju ndihmojnë për këtë…

Duajeni atë që bëni, ose ndryshoni atë që bëni

Nëse nuk doni ta bëni ndryshimin sepse ju nuk e pëlqeni punën tuaj, ka ardhur koha për një punë tjetër.
Para pak kohësh lexova për një grua që po shkonte në punë duke menduar se sa shumë nuk i pëlqente puna që bënte. Ajo pa gjithë makinat e tjera në autostradë. “Të gjithë po shkojnë në punë – mendoi ajo. – Dhe ata nuk punojnë aty ku punoj unë”. Ky vëzhgim i thjeshtë e nxiti të fillonte të kërkonte një punë tjetër ku mund të ndihej më e plotësuar dhe ku mund të kishte dëshirën të bënte ndryshimin.
Është e lehtë të fajësojmë rrethanat për shkak të mjerimit tonë. Është më mirë të bëni diçka për të ndryshuar rrethanat kur mundemi.

Nëse nuk mund ta ndryshoni punën, ndryshoni mënyrën se si mendoni për punën tuaj

Ndoshta nuk është e leverdishme për ju të ndryshoni punë në këto momente. Por ju keni ende disa mundësi. Ju mund të ndryshoni mënyrën se si mendoni për punën tuaj. Për shembull, një ndër klientet e mia më thotë se ishte mërzitur me punën që bënte. Ajo kishte bërë të njëjtën gjë për vite me radhë, por ishte shumë pranë pensionit për të bërë diçka tjetër. Kështu, në vend që të ndryshonte punë, ndryshoi ajo. Në veçanti ajo vendosi të përqendrohej më shumë tek personat se sa tek detyrat që duhet të përmbushte nga sa kish bërë në të kaluarën.

Objektivi i saj u bë që të kishte të paktën një person që të thoshte se jeta dhe karriera e saj kishin ndryshuar për mirë që kur kish punuar me të. Ky ndryshim mendor i dha gjallërinë dhe energjinë në një punë që prej kohësh ishte në stanjacion. Hapja e syve i krijoi dhe një mënyrë të re socializimi brenda dhe jashtë mureve të punës.

Nuk ka rëndësi se çfarë pune keni, bëjeni atë mirë

Për këtë, Martin Luther King Jr. ka thënë: Nëse thirreni për të pastruar rrugët, ju duhet ta bëni këtë gjë po aq mirë sa Michelangelo pikturoi veprat e tij, Bethoven kompozoi muzikën e tij apo Shakespeare shkroi poezinë e tij. Ju duhet ta bëni këtë aq mirë, sa kur mysafirët e qiellit dhe të tokës të ndalen këtu, të thonë: “Këtu jetonte një pastrues i madh, që e bëri mirë punën e tij”.
Kam njohur dikur një burrë që e ilustron këtë filozofi. Titulli i tij i punës ishte portier hoteli por mënyra se si e kryente detyrën e tij, bënte diferencën.

“Kam punën më të mirë në botë. Mund të ndihmoj udhëtarët e lodhur dhe të frustruar dhe t’i bëj të ndihen si në shtëpi. Mund të ngroh shpirtrat e njerëzve që kalojnë në rrugë me një buzëqeshje dhe një fjalë të mirë. Si mund të kesh një punë më të mirë se kjo? E bëj këtë gjë prej 20 vjetësh. Nuk mundem ta imagjinoj të bëj diçka tjetër”. Martin Luther King Jr. me siguri ka pasur të drejtë.

Jini pozitivë. Është ngjitëse

Historia e portierit të hotelit tregon se sjellja pozitive është ngjitëse. Pra përse të mos zgjedhim të kemi një ndikim pozitiv tek të tjerët, pavarësisht rrethanave.
Mënyra më e mirë për të fituar sa më shumë para në punë është që të bëni ndryshimin. Pavarësisht titullit, rolit apo rrethanave, ju gjithnjë mund të zgjidhni të bëni ndryshimin, veçanërisht për të tjerët. Dhe ndoshta do të kuptoni se duke bërë diferencën te jeta e njerëzve të tjerë është mënyra më e mirë për të bërë ndryshimin në jetën tuaj gjithashtu.

*Gary Bradt
Burimi: Forbes

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of