Në muajin shkurt, numri i shqiptarëve dhe të huaj që hynë në Shqipëri u rrit me 3.6% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Sipas INSTAT-it, numri i shtetasve të huaj që hynë në vend ishte 185,721, ose rreth 9.5%.
Numri i shtetasve të huaj që hynë në vendin tonë, në dy muajt e parë 2017 është rritur 4,5%, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2016.
Nga këta, rreth 13% deklaruan se erdhën në Shqipëri për pushime. Pjesa më e madhe e të huajve që kanë hyrë në Shqipëri, mbi 75%, janë klasifikuar në të dhënat e Policisë së Shtetit si vizitorë të tjerë dhe qëllimi i vizitës në Shqipëri nuk është i përcaktuar qartë.
Sipas INSTAT në Shqipëri, numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë për qëllime personale në shkurt 2017 është 182.010 dhe përbën 98,0 % të numrit gjithsej të hyrjeve të shtetasve të huaj. Krahasuar me shkurt 2016, numri i shtetasve të huaj për qëllime personale është rritur 9,8%.
Numri i shtetasve të huaj të hyrë në Shqipëri për qëllime biznesi përbën 0,2% të hyrjeve të shtetasve të huaj, duke shënuar ulje me 3,4%.
Por, ndërkohë, ai segment i vizitorëve të huaj që ka shënuar rritje të fortë kanë qenë vizitorët ditorë. Sipas INSTAT, vizitorët ditorë kanë arritur në 17 mijë, afro pesë herë më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Ndonëse muajt e parë të vitit mund të mos jenë shumë domethënës në tendencat e turizmit, duket se rritja është e kanalizuar sidomos në segmentin e vizitorëve në periudha të shkurtra, që kanë pak peshë në të ardhurat e ekonomisë. Ndërkohë, daljet e shtetasve shqiptarë jashtë vendit për dy muajt e parë të vitit kanë rënë lehtë me 0.4% kundrejt të njëjtës periudhë të një viti më parë.
Shtetasit shqiptarë dhe të huaj të dalë nga vendi gjatë muajit shkurt 2017 janë 481.613, duke shënuar një rritje me 2,0%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Numri i shtetasve shqiptarë të dalë nga territori i Shqipërisë gjatë muajit shkurt 2017 është 297.279. Krahasuar me shkurt 2016 ky numër është rritur 0,7%.
Numri i shtetasve shqiptarë të dalë nga territori i vendit tonë në dy muajt e parë 2017 është ulur 0,4%, krahasuar me njëjtën periudhë të një viti më parë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.