Kur kanë mbetur pak më shumë se një muaj nga mbarimi i afatit për rivlerësimin e pasurive të paluajtshme, ritmi i aplikimeve ka rënë. Ekspertët thonë se kjo mund të jetë si pasojë e mungesës së likuiditetit, por për faktin se mund të pritet efekti i “minutës së fundit”, kur të gjithë do të kujtohen afër mbarimit të afatit
Nga Elona Bedalli
Në muajt e fundit, numri i aplikimeve për rivlerësimin e pasurive të patundshme ka pësuar rënie. Pas dyndjeve dhe radhëve të gjata, Hipoteka duket se ka rënë në qetësi. Për rivlerësuesit e pasurive të paluajtshme, kjo sjellje ka dy argumente; në njërën anë, mund të jetë mungesa e likuiditetit e nga ana tjetër, mania e “minutës së fundit”. Nga shtatori i 2016-s, kohë në të cilën hyri në fuqi vendimi i qeverisë dhe deri tani, pranë Agjencisë së Ofrimit të Shërbimeve Publike të Integruara (ADISA) mësohet se janë përpunuar 13,872 aplikime për rivlerësimin e pasurisë. (shih grafik). Të dhënat e siguruara nga ky institucion tregojnë se gjatë periudhës shtatëmujore që po zbatohet rivlerësimi, muajt me ngarkesën më të madhe ishin shtatori (2,538 aplikime) dhe janari 2017 (2,685). Gjatë shkurtit dhe marsit, ritmi i aplikimeve u ul. Kjo mund të ketë ndodhur edhe për faktin se në datë 2 shkurt, qeveria mori vendim për të zgjatur deri në datë 31 maj afatin për rivlerësimin e pronave të patundshme si për individët, ashtu edhe bizneset (nga 28 shkurti që ishte caktuar në fillim. Vlerësuesit e pasurive shprehen se pavarësisht rënies së ritmit, ata çdo ditë kanë kërkesa për të bërë rivlerësime dhe se aplikimet do të shtohen në ditët e fundit, ashtu sikundër ndodh edhe rëndom.
Vlerësuesit: Koha për të përfituar
Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme ka deklaruar se në total janë 4 milionë pasuri në të gjithë vendin, këtu përfshihen si ndërtesat, ashtu edhe tokat.
Për vitin 2016, vlerësohet se janë rreth 7,600 aplikime të regjistruara nga Agjencia për Shërbimet e Integruara Publike (ADISA). Ndërsa për tre muajt parë të vitit 2017, kjo shifër llogaritet në rreth 6,200 aplikime.
Pritet që deri në fund të muajit maj, numri i aplikimeve të rritet me ritme më të shpejta. Vlerësuesit thonë se një shkak mund të jetë edhe fakti se në treg, ka mungesë likuiditeti.
Megjithatë ata i nxisin njerëzit që të përfitojnë nga kjo mundësi, pasi më vonë do t’ju duhet të paguajnë disa herë më shumë.
Inxhiniere Xheni Jahja, drejtuese e agjencisë së menaxhimit të pronave të paluajtshme, “Tirana Real Estate”, thotë se ka rënë disi ritmi i kërkesave për vlerësim, por pavarësisht kësaj, ata çdo ditë merren me trajtimin e tyre. E vlerësojnë pozitivisht faktin që afati u shty dhe thonë se kjo do të ndikojë që njerëzit të jenë më të qetë dhe më të kujdesshëm ndaj tij.
“Ne si agjentë po informojmë çdo klient në lidhje me mundësitë që ofron rivlerësimi i pronave. Kërkesa ka si në Tiranë, ashtu edhe në rrethe. Më së shumti janë individët ata të cilët janë më të interesuar sesa bizneset”, thotë ing. Jahja.
Vlerësuesja thotë se veçanërisht në muajin janar ka pasur radhë të gjata në Hipotekë, për shkak të fluksit më të madh. Ajo këshillon që të interesuarit të mos ta lënë për në minutën e fundit. “Ky është momenti për të përfituar nga kjo amnisti. Kjo mundëson lehtësimin e taksës së transaksionit në një kontratë shitblerjeje, duke prodhuar përfitim për të gjitha palët.
Gjithashtu është momenti i fundit dhe në të njëjtën kohë më i mirë për t’i dhënë pronës vlerën e tregut, duke e larguar përfundimisht nga ato fiktive dhe vështirësitë ligjore që paraqisnin. Pronat e paluajtshme, të cilat ishin të bllokuara në transaksione, për shkak të taksës së konsiderueshme që do të paguhej, përfitojnë nga amnistia dhe janë hedhur në treg me vlerën e tyre reale”, thotë drejtuesja e “Tirana Real Estate”.
Të gjithë individët, të cilët kanë në pronësi pasuri të paluajtshme dhe të regjistruar në zyrat vendore të regjistrimit të pasurive, kanë të drejtë që të bëjnë rivlerësimin e kësaj pasurie me vlerën e tregut. Në kategorinë e pasurisë së paluajtshme përfshihen toka dhe ndërtesa.
Llogaritja
Nëse keni në pronësi një apartament, që e keni blerë me një vlerë prej 20,000 eurosh dhe në këtë moment dëshironi ta nxirrni në shitje me një vlerë prej 100,000 euro (pasi kjo vlerë është e orientuar nga çmimet në treg, fitimi nga diferenca e shitblerjes do të ishte prej 80,000 eurosh. Taksa që duhet t’i paguani shtetit për realizimin e kësaj kontrate shitblerjeje do të ishte 15% e vlerës ose 12,000 euro, sipas shembullit më lart.
Por, nëse aplikohet për rivlerësim pranë një vlerësuesi të pasurive të paluajtshme të licencuar, apartamentit/pronës i jepet vlera reale/aktuale sipas çmimeve fiskale (në Hipotekë duke iu referuar çmimeve fiskale sipas zonave).
Pra, nëse apartamenti/prona do të rivlerësohej me 100,000 euro (aq sa ju dëshironi ta shisni), do të paguani pranë zyrave të regjistrimit të pasurive të paluajtshme taksën prej 2% midis vlerës së blerjes dhe asaj të rivlerësimit (pra 2% e 80,000 euro) e vlefshme me 1,600 euro.
Në momentin e shitjes me vlerë 100,000 euro, ju do të taksoheni me 15% midis vlerës së rivlerësimit dhe asaj të shitjes, që do të thotë: 15% (vlerë shitje 100,000 euro – rivlerësim 100,000 euro) = 0 euro.
Në rastin kur kjo vlerë është 0 apo negative ju nuk taksoheni. Edhe nga Shoqata Kombëtare e Ndërmjetësve të Pasurive të Patundshme (NAREA) shprehen se të gjitha agjencitë që janë pjesë e saj po ndihmojnë klientët e regjistruar, jo vetëm për t’u vënë në dijeni me procesin, por edhe për t’i asistuar nga afër. Qoftë me shërbimin e ofrimit të rivlerësimit me një ekspert të licencuar, edhe me rivlerësimin sipas vlerës minimale fiskale pranë zyrës së regjistrimit të pasurive të patundshme.
Te privati…
Individi paraqitet për rivlerësim të pasurisë pranë Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive, ku është e regjistruar pasuria në pronësi të tij, duke plotësuar formularin “Kërkesë për rivlerësim”, sipas shtojcës nr. 1, bashkëlidhur këtij udhëzimi. Individi mund të zgjedhë vullnetarisht nëse rivlerësimin e pasurisë do ta bëjë Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme (ZVRPP) apo një ekspert i vlerësimit të pasurive, i licencuar nga institucionet përkatëse.
Në rast se rivlerësimi i pasurisë do të bëhet nga një ekspert i licencuar, formularit duhet t’i bashkëlidhet fotokopje e licencës së vlerësuesit të pasurisë, si dhe akti origjinal i vlerësimit të pasurisë, të nënshkruar dhe vulosur nga eksperti vlerësues i pasurisë. Baza e tatueshme, në këtë rast, llogaritet si diferencë ndërmjet vlerës së pasqyruar në aktin e vlerësimit të pasurisë, vlerë e cila nuk mund të jetë më e vogël se çmimi minimal fiskal dhe vlerës së pasurisë, sipas aktit të regjistruar ose vlerës së rivlerësuar, për të cilën është paguar tatimi.
Në shtet…
Në rast se individi zgjedh që rivlerësimin e pasurisë ta bëjë Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurisë, rivlerësimi bëhet me çmimet minimale fiskale që janë në fuqi në momentin e kryerjes së procesit të rivlerësimit dhe përcaktimeve të udhëzimit nr. 9, datë 26.2.2008, “Për tatimin e kalimit të së drejtës së pasurisë së paluajtshme”, i ndryshuar.
Në këtë rast, baza e tatueshme, llogaritet si diferencë ndërmjet vlerës së dalë nga rivlerësimi me çmimet minimale fiskale në fuqi dhe vlerës së pasurisë së aktit të regjistruar, ose vlerës së rivlerësuar për të cilën është paguar tatimi. Individi apo përfaqësuesi i tij me prokurë, i cili paraqitet me dokument identifikimi pranë ZVRPP-së, pajiset me dy kopje të formularit “Kërkesë për rivlerësim” nga punonjësi i ZVRPP-së.
Individi apo përfaqësuesi i tij, me prokurë plotëson 2 pikat e para të formularit. Punonjësi i ZVRPP-së shqyrton të dhënat e plotësuara në formular dhe dokumentacionin bashkëlidhur (kopje të dokumentit të pronësisë), nënshkruan formularin e kërkesës për rivlerësim dhe një kopje ia jep individit ose përfaqësuesit të tij. Punonjësi i Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive plotëson pikën 3 të formularit, me vlerën e pasurisë, sipas aktit të regjistrimit ose vlerës së rivlerësuar për të cilën është paguar tatimi.
Në rastet kur pasuria e paluajtshme rezulton e regjistruar pa një kontratë shitjeje, atëherë për të përcaktuar vlerën e regjistrimit të pasurisë në Zyrat e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, konsiderohet vlera e çmimeve minimale fiskale në çastin e regjistrimit të aktit të fitimit të pronësisë.
Punonjësi i ZVRPP-së llogarit tatimin që paguhet për regjistrimin e këtij rivlerësimi, i cili është në masën 2% të bazës së tatueshme, duke plotësuar pikën 4 të formularit “Kërkesë për rivlerësim”.
Pas plotësimit të formularit “Kërkesë për rivlerësim” nga ZVRPP-ja, sipas pikës 4.2, individi ose përfaqësuesi i tij me prokurë aplikon për rivlerësim të pasurisë së paluajtshme dhe pajiset me dokumentin e nevojshëm për pagesën e tatimit. Në këtë rast, individi paguan në bankë tatimin 2% dhe tarifën e shërbimit, të cilat i bashkëlidhen formularit të aplikimit. Ligji për rivlerësimin e pasurive të paluajtshme hyri në fuqi më 1 shtator 2016. Ai parashikon mundësinë për rivlerësimin e pasurive të paluajtshme me vlerën e tregut, duke paguar vetëm 2% tatim nga 15% që ishte për individët.
Hapat e procesit
Individi paraqitet për rivlerësim të pasurisë pranë Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive ku është e regjistruar pasuria në pronësi të tij, duke plotësuar formularin “Kërkesë për rivlerësim”. Më pas, individi mund të zgjedhë vullnetarisht nëse rivlerësimin e pasurisë do ta bëjë Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme (ZVRPP) apo një ekspert i vlerësimit të pasurive, i licencuar nga institucionet përkatëse. Në rast se rivlerësimi i pasurisë do të bëhet nga një ekspert i licencuar, formularit duhet t’i bashkëlidhet fotokopje e licencës së vlerësuesit të pasurisë, si dhe akti origjinal i vlerësimit të pasurisë, të nënshkruar dhe vulosur nga eksperti vlerësues i pasurisë.
Llogaritja e tatimit
Baza e tatueshme, në këtë rast, llogaritet si diferencë ndërmjet vlerës së pasqyruar në aktin e vlerësimit të pasurisë, vlerë e cila nuk mund të jetë më e vogël se çmimi minimal fiskal, dhe vlerës së pasurisë sipas aktit të regjistruar ose vlerës së rivlerësuar, për të cilën është paguar tatimi. Në rast se individi zgjedh që rivlerësimin e pasurisë ta bëjë Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurisë, rivlerësimi bëhet me çmimet minimale fiskale që janë në fuqi në momentin e kryerjes së procesit të rivlerësimit. Në këtë rast, baza e tatueshme, llogaritet si diferencë ndërmjet vlerës së dalë nga rivlerësimi me çmimet minimale fiskale në fuqi, dhe vlerës së pasurisë së aktit të regjistruar ose vlerës së rivlerësuar, për të cilën është paguar tatimi.
——————
Shqipëria, me indeks të lartë për çmimet e pasurive të paluajtshme
Të dhënat e Numbeo-s, i cili ofron statistika, për vitin 2017 tregojnë se Shqipëria ka një indeks të lartë sa u përket çmimeve të pasurive të paluajtshme, kundrejt të ardhurave mesatare të familjeve. Raporti e klasifikon Shqipërinë (e cila përfaqësohet nga Tirana) në vendin e 34-t, me indeks 17.60, duke lënë pas vende të tillë si Spliti i Kroacisë, Parisi në Francë, Stokholmi në Suedi, apo edhe Shkupi në Maqedoni.
Në vend të parë për këtë indeks është qyteti i Shenzenit në Kinë, me indeks 42.93.
Në Europë, Shqipëria renditet në vendin e 12 për nga raporti i çmimit të pronës, në raport me të ardhurat familjare.
Në vendin e 11 renditet qyteti i Novi Sadit në Serbi, me indeks 17.79.
Kryeqyteti i Kosovës, Prishtina, renditet në vend të 27 me indeks 12.82. Ndërsa në vend të fundit në Kontinentin e Vjetër është Ostrava në Çeki.
Ky indeks bazohet në aftësinë e blerjes së apartamenteve (sa më i ulët, aq më mirë. Zakonisht llogaritet si normë e çmimeve mesatare të blerjes së apartamenteve, kundrejt normës së të ardhurave mesatare për familje.
——————
Hipoteka, kushti kryesor
Një nga çështjet më të shpeshta që ngrihet nga qytetarët janë dokumentet që ju duhen për të bërë rivlerësimin. A është e mundur që të përfitohet nga rivlerësimi nëse ju jeni në proces legalizimi apo e keni marrë tashmë lejen? Vlerësuesit e pasurive të paluajtshme japin një përgjigje të prerë. Ata thonë se Hipoteka është dokumenti kryesor.
Agjencia e Ofrimit të Shërbimeve Publike të Integruara (ADISA) bën të ditur se për të nisur këtë proces, ju duhen disa dokumente bazë që janë tejet të rëndësishme:
- Kopje e dokumentit të identifikimit
- Prokurë, në rast se aplikimi kryhet nga personi i autorizuar
- Kopje e dokumentit të pronësisë
- Mandatpagesë e tarifës së shërbimit dhe e tatimit
- Akt vlerësimi i pasurisë së paluajtshme
- Fotokopje e licencës së vlerësuesit të pasurisë (në rast se rivlerësimi i pasurisë së paluajtshme bëhet nga një ekspert i licencuar.
- Akti origjinal; i vlerësimit të pasurisë, nënshkruar dhe vulosur nga eksperti (në rast se rivlerësimi i pasurisë së paluajtshme bëhet nga një ekspert i licencuar).
Duhet të mbani në konsideratë faktin se shërbimi kushton 850 lekë, plus tatimi nga vlerësimi i pasurisë së individëve, që është 2% e diferencës së çmimit të dhënë më parë nga ju dhe atij aktual që është në treg.
——————
Prona, mungesa e informacionit e lartë
Pas elementeve që kanë të bëjnë me identitetin, prona është çështja e dytë që ka më shumë mungesë informacioni.
ZRPP është institucioni me më shumë telefonata, kjo dhe për shkak të procesit të rivlerësimit, si dhe atij të legalizimit, proces për të cilin kërkohen informacione për mënyrën se si aplikohet, dokumentet që duhen, kostot etj.
Që nga hapja e Call Center-it të ADISA-s në fillim të muajit tetor ka pasur më shumë se 3,000 kërkesa, ku institucioni për të cilin është kërkuar më shumë informacion është ZRPP, por edhe Gjendja Civile, DPSHTRR etj.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.