Apel qeverisë së re: Investitorët e huaj presin që të mos ketë ndryshime të mëdha në regjimin aktual të taksave…
Kredia për ekonominë është rritur pothuajse zero në muajt e parë të këtij viti, sipas statistikave zyrtare nga Banka e Shqipërisë, ndërkohë që bankat po preferojnë që paratë e lira t’i investojnë në letra me vlerë të qeverisë.
Kryetari i Shoqatës Shqiptare të Bankave, Seyhan Pencpligil në takimin me kryeministrin e zgjedhur, Edi Rama, dhe Guvernatorin Ardian Fullani pak ditë më parë ka sqaruar dhe arsyet se pse sistemi banker ka frenuar kredinë.
“Sistemi bankar shqiptar u rrit me 6% në 2012 dhe aktivet e tij totale arritën në 88% të PBB-së”. Ai shtoi stafin dhe rriti numrin e degëve, ATM-ve, kartave, POS-eve në 2012 në raport me një vit më parë. Shifrat për gjysmën e parë të këtij viti tregojnë një tendencë të ngjashme, një rritje prej 5-6% me bazë vjetore për aktivet totale të bankave.
Gjithsesi, huatë nuk po rriten dhe ne po flasim për një rritje prej 3% në një vit e gjysmë. Arsyeja kryesore për ngadalësimin e huave është ajo e koniunkturës, çka nënkupton se ka shumë sisteme bankare në botë, huatë e të cilëve po bien. Fakti që sistemi bankar shqiptar po i rrit aktivet, është një lajm i mirë në kontekstin e ngadalësimit ekonomik global.
Ajo që është më shqetësuese për ne është rritja e huave me probleme, që janë gati sa një e katërta e totalit në sistem. Me fjalë të tjera, ka më shumë se 1 miliard euro që janë në një vonesë pagese prej më shumë se tre muajsh!
“Kjo po ndikon përfitueshmërinë tonë në mënyrë kaq negative saqë ne nuk jemi në gjendje apo nuk kemi vullnetin që të japim më shumë hua”, tha kryetari i Shoqatës së Bankave.
Lajmi pak më i mirë është që pjesa më e madhe e këtyre huave janë të mbuluara me kolateral dhe gjithçka që na duhet është një ekzekutim eficient i kolateralit në mënyrë që të likuidojmë problemet dhe të rigjallërojmë ekonominë.
“Shumë është bërë në këtë drejtim dhe unë dua të falënderoj politikanët që e kanë trajtuar këtë çështje në një mënyrë jo partizane dhe kanë amenduar procedurat e Kodit Civil në mënyrë që të ketë një ekzekutim më të mirë. Një tjetër hap i nevojshëm është liberalizimi i plotë i zyrave të përmbarimit, në mënyrë që ato të punojnë në kushtet e konkurrencës së lirë. Aktualisht ato paguhen paraprakisht me tarifat që janë të përcaktuara nga rregullorja, pavarësisht suksesit. Kjo ka krijuar një industri të mbrojtur, që është private vetëm në letra. Kjo duhet të ndryshojë”, tha ai.
Së fundmi, vazhdoi ai, biznesi shqiptar ka nevojë për stimuj të fortë – jo vetëm në formën e normave më të ulëta të interesit – por në formën e shpenzimeve qeveritare. Së pari, kompanitë që kanë të arkëtueshme nga qeveria, si në formën e TVSH-së së parimbursuar ashtu dhe të detyrimeve të pashlyera, duhet të paguhen. Së dyti, vendi ka nevojë për investime në infrastrukturë që mund të ndërmerren vetëm nga qeveria dhe do të ketë një efekt pozitiv të shumëfishtë.
Sistemi bankar shqiptar, si gjithmonë, është i gatshëm dhe ka vullnetin që të mbështesë bizneset e besueshme dhe investimet e vlefshme në këtë vend.
Kryetari i Shoqatës së Bankave shtoi se “Ne gjithashtu presim, si komunitet bankar, ku pjesa më e madhe janë investitorë të huaj, që të mos ketë ndryshime të mëdha në regjimin aktual të taksave”.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.