Viti 2013 ka shënuar një periudhë ristrukturimi në mbarë aktivitetet e unioneve, rrjeteve përkatëse dhe SHKK-ve të veçanta…
Rrjeti i shoqërive të kursim-kreditit, edhe gjatë vitit 2013, përbëhet nga Unioni “Jehona” dhe Unioni Shqiptar i Shoqërive të Kursim-Kreditit, si dhe nga dy SHKK të pavarura, të cilat janë SHKK “Alb-Progres”(ish-SHKK “Elbasan”) dhe SHKK “Perlat”, raporton Banka e Shqipërisë. Paralelisht me përpjekjet për t’u përfshirë në skemën e mbrojtjes së depozitave nga ASD-ja, viti 2013 ka shënuar një periudhë ristrukturimi në mbarë aktivitetet e unioneve, rrjeteve përkatëse dhe SHKK-ve të veçanta. Për rrjedhojë, ky vit paraqet një ngadalësim të aktivitetit kredidhënës në unione dhe në rrjet, thekson BSH.
Gjatë vitit 2013, numri i anëtarësimeve ka vijuar të rritet15, ndërsa numri i shoqërive të kursim-kreditit është reduktuar, kryesisht si pasojë e procesit të likuidimit të disa SHKK-ve.
Gjatë vitit 2013, totali i aktiveve të unioneve ka pësuar një rënie me rreth 16.6%, ndërsa për rrjetin e SHKK-ve, totali i aktiveve ka pasur një rritje të lehtë me rreth 1.3%. Tkurrja e aktiveve të unioneve, vjen si pasojë e reduktimit të kredidhënies drejt shoqërive anëtare. Mbështetja më e ulët e SHKK-ve me financime nga unionet, është reflektuar edhe në rritjen e ngadaltë të rrjetit të SHKK-ve. Zhvillimi i aktiveve të rrjetit të SHKK-ve mbetet në situatë statike me gjithë rritjen e vazhdueshme të depozitave nga anëtarët, të cilat nuk mjaftojnë për të mirëmbajtur dhe për të zhvilluar aktivitetin e SHKK-ve. Rreth 45% e aktiveve të unioneve është orientuar drejt “Veprimeve me klientë” dhe 27.8% drejt “Investimeve”. Natyrshëm, thekson BSH, aktivet e rrjetit të SHKK-ve dominohen nga portofoli i “Veprimeve me klientë” me 73.4%, duke i shërbyer anëtarëve të tyre.
Në dhjetor 2013, portofoli i kredisë (bruto) në rrjetin e SHKK-ve ka arritur vlerën e 4.36 miliardë lekëve, duke shënuar një rënie prej 218 milionë lekësh krahasuar me vitin e mëparshëm (ose 4.8%). Kredia e dhënë në rrjet përbën rreth 0.77% të kredisë të sistemit bankar. Sikurse u përmend me lart, edhe portofoli i kredisë së unioneve ka shënuar rënie në vlerë të konsiderueshme me 20.1%.
Treguesi i kredive me probleme të rrjetit është dyfishuar gjatë këtij viti, duke arritur në 13.05% (dhjetor ’12: 7%). Përkeqësimi i treguesit të cilësisë së kredisë ka ardhur si pasojë e rritjes së kredive me probleme në rrjet, të cilat janë rritur me rreth 248.8 milionë lekë. Ndërkohë edhe për unionet ka përkeqësim të treguesit të cilësisë së kredive, i cili arrin vlerën 9.8% (dhjetor ’12: 4.3%). Me gjithë rritjen e kredive me probleme, efektin në përkeqësimin e treguesit e ka dhënë reduktimi i portofolit të kredisë së unioneve ndaj SHKK-ve anëtare. Treguesit e cilësisë së kredisë për rrjetin dhe unionet vijojnë të paraqiten më mirë, krahasuar me sistemin bankar dhe me subjektet financiare jobanka.
Në dhjetor 2013, raporton BSH, rrjeti paraqitet me një rezultat negativ prej 236 milionë lekësh (dhjetor ’12: 47.78 milionë lekë). Ky rezultat është diktuar nga përkeqësimi i portofolit të kredisë. Rezultati financiar i unioneve është pozitiv, rreth 2.1 milionë lekë, por ai paraqitet në tkurrje krahasuar me një vit më parë (dhjetor ’12: 7.1 milionë lekë) duke reflektuar edhe përkeqësimin e cilësisë së portofolit të unioneve.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.