Shorteu UEFA Europa League, fitimet e klubeve në sezonin 2017/2018

23/02/2018 1:46 PM 0 komente

Sot në mesditë, në Nion të Zvicrës, u hodh shorti i raundit të 16 më të mirëve të UEFA Europa League, sezoni 2017-2018.
Pasi mbrëmë u mbyll raundi i 1/16, mësuam 16 skuadrat që do të vazhdojnë garën, me synimin për të shkuar në finalen e 16 majit, në stadiumin Parc Olympique Lyonnais, në Lion të Francës.

Në shorteun e sotëm, bie në sy çifti Milan – Arsenal, dy nga ekipet pretendente për fitimin e këtij trofeu. Short i favorshëm në letër për pretendentët e tjerë: Lazio, Atletico Madrid dhe Borussia Dortmund.

Më poshtë çiftet e përcaktuara për raundin e 1/8:

1. Lazio – Dynamo Kyiv
2. RB Leipzig – Zenit St.Petersburg
3. Atletico Madrid – Lokomotiv Moscow
4. CSKA Moscow – Olympique Lyon
5. Olympique Marseille – Athletic Bilbao
6. Sporting Lisbon – Viktoria Plzen
7. Borussia Dortmund – Salzburg
8. AC Milan – Arsenal

Për ekipet që marrin pjesë në Europa League në sezonin 2017/2018 do të shpërndahet një total prej 399.8 milionë eurosh.

Si bëhet shpërndarja e të ardhurave nga fazat kualifikuese deri në finale

Të ardhurat bruto të kombinuara me ato komerciale të UEFA Champions League, UEFA Europa League dhe UEFA Super Cup janë vlerësuar rreth 2.35 miliardë euro dhe do të shpërndahen në përputhje me sistemin e ciklit komercial të krijuar nga UEFA për trevjeçarin 2015/2018.
Nga 2,35 miliardë euro të ardhura bruto të parashikuara për UEFA Europa League, rreth 12% (282 milionë euro) do të jepen për të mbuluar shpenzimet që lidhen me organizimin e kompeticionit.

Nga të ardhurat neto prej 1.86 miliardë eurosh, 8% do të mbahen nga UEFA për investime në futbollin europian, ndërsa 92% do të shpërndahen ndërmjet ekipeve pjesëmarrëse. Në bazë të parashikimeve të dhëna, për klubet që marrin pjesë në kompeticionet europiane të këtij sezoni do të shpërndahen 1.7 miliardë euro, nga të cilat 399.8 milionë euro do të shkojnë për klubet pjesëmarrëse në UEFA Europa League.

Secili prej 48 ekipeve që morën pjesë në fazën e grupeve përfituan 2.6 milionë euro. Çdo fitore vlerësohej me 360 mijë euro dhe çdo barazim me 120 mijë euro. Fituesit e grupit u vlerësuan me 600 mije euro, ndërsa vendi i dytë me 300 mijë.

Sa i përket fazës me eliminim direkt, secili ekip që mori pjesë në fazën e 1/16 përfitoi 500 mijë euro, në fazën e 1/8 çmimi është 750 mijë euro për çdo ekip, çerekfinalistët fitojnë 1 milion euro kurse gjysmefinalistët me 1.6 milionë secili. Fituesi i UEFA Europa League do të marrë 6.5 milionë euro, ndërsa vendi i dytë, 3.5 milionë.

Një ekip mund të përfitojë, në rastin më të mirë, 15.71 milionë euro nga kompeticioni.
Klubet që marrin pjesë në raundet kualifikuese kanë të drejtën të marrin 215 mijë euro për raundin e parë, 225 mijë për raundin e dytë, 235 mijë në raundin e tretë dhe 245 mijë euro vlerësohet raundi play-off.

 

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of