Ndodhemi në Rusi, në rajonin lindor të maleve Urale, ku është edhe Orda, shpella më e madhe e kristaltë në botë. Një mrekulli e natyrës, e cila është zbuluar vetëm gjatë viteve të fundit, duke u lënë në hije për shekuj me radhë.
Nëse neve sot na është krijuar mundësia për ta vizituar atë, një gjë e tillë është bërë e mundur falë një grupi ekspertësh rusë, të cilët, nëpërmjet një reportazhi, kanë prezantuar për publikun mrekullitë e kësaj shpelle të kristaltë, unike në llojin e saj në botë.
Ky grup ekspertësh e eksploruan shpellën për gjashtë muaj me radhë, duke u përballuar e temperaturën e ujit e cila lëvizte nga 1 deri në 2 gradë, qartësia e të cilit ishte aq e kristaltë sa të lejonte të shikoje deri në 50 metra thellësi.
Shpella e kristaltë Orda është më e thella në Rusi dhe njëkohësisht më e thella në botë.
Si për çdo shpellë tjetër, edhe për këtë ekzistojnë legjendat. Thuhet se në këtë shpellë jeton fantazma e një vajze me rroba të shndritshme dhe me flokë të gjatë, e cila i frikëson të gjithë vizitorët që shkojnë aty.
Për ta bërë sa më të vërtetë një fakt të tillë, në 2013, ish-kampionia e zhytjes, Natalia Avseenko, qëndroi për dy ditë rresht në këtë shpellë së bashku me një grup ekspertësh ndër të cilët edhe fotografë profesionistë si Viktor Lyagushkin, për të realizuar një set fotografik surreal.