Në 9 muajt e parë të këtij viti, realizimi i shpenzimeve kapitale është vetëm 30 miliardë lekë, nga 67 miliardë lekë që është plani për gjithë vitin. Në tre muajt e mbetur duket mjaft e vështirë që të arrihet të realizohet pjesa e mbetur prej 37 miliardë lekësh.
Në këtë situatë, financat kanë filluar të hartojnë skenarin rezervë për të rialokuar shpenzimet kapitale në një shumë prej rreth 15 miliardë lekësh, teksa FMN nuk ka dhënë konsensus që fondet e pashpenzuara të kalojnë për vitin e ardhshëm. Sipas burimeve nga Ministria janë tre drejtimet kryesore, ku mendohet të shpenzohen këto para:
-Së pari, do të përshpejtohen shpronësimet e rrugëve, me qëllim që t’i hapet rruga investimeve në projekte të mëdha të infrastrukturës gjatë vitit të ardhshëm.
-Së dyti, financat po mendojnë që të shlyejnë detyrimet që KESH i ka hidrocentraleve të vogla, që vlerësohen në shumën e 50 milionë eurove. Gjithsesi, për këtë duhet të merret miratimi nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, pasi ky është një detyrim i KESH dhe jo direkt i buxhetit. Përmes kësaj skeme, financat shpresojnë të negociojnë edhe për çmimin me të cilin KESH u ble energjinë, që është më i lartë se mesatarja e tregut dhe ka vënë në vështirësi korporatën energjetike.
-Së treti, një pjesë e fondeve do të shkojë në investime për by pass-e në disa nyjet kryesore rrugore në vend.
Ministria e Ekonomisë ka filluar ndërkohë të verifikojë projektet që nuk do të arrijnë të realizohen këtë vit dhe pas kalimit të buxhetit 2015 do të hartohet dhe akti normativ për riaolkimin e shpenzimeve kapitale të këtij viti.
Financat i shpjegojnë vonesat në realizimin e shpenzimeve kapitale gjatë këtij viti mevonesën e miratimit të buxhetit 2014, administratën e re dhe kalimin e menaxhimit të tyre nga Ministria e Financave tek Ministria e Ekonomisë. Të gjitha këto bënë që çelja e fondeve të niste nga maji i këtij viti, duke sjellë pamundësi në realizimin e projekteve të planifikuara. Për vitin e ardhshëm vlerësohet që procesi do të ecë me ritme të shpejta.