Vetëm vitin e kaluar janë krijuar mbi 1000 ndërmarrje, shifër kjo e barabartë me sipërmarrjet e krijuara në tetë vjet së bashku (2006-2013). …
Orientimi i investimeve në bujqësi, një tendencë që ka shpërthyer vitin e fundit është reflektuar dhe në regjistrin e ndërmarrjeve të publikuar nga INSTAT.
Sipas statistikave të INSTAT, në vitin 2014 janë krijuar 1031 ndërmarrje të reja në fushën e bujqësi, peshkimit dhe pyjeve, duke u katërfishuar, në raport me 259 ndërmarrje që ishin hapur në 2013.
Duke e bërë krahasimin me dekadën e fundit, në 2014-n janë krijuar aq kompani bujqësore sa në tetë vite bashkë 2006-2013. Në total, numri I ndërmarrjeve bujqësore në fund të vitit 2014 ka arritur në 2260. Në raport me sipërmarrjet në total në vend, ato zënë gjithsesi një peshë shumë të vogël, prej vetëm 2% të totalit.
Me maturimin e shumë sektorëve, veçanërisht dy-tre vitet e fundit ka mjaft biznesmenë shqiptarë, që në fushat e tyre të veprimtarisë, kanë suksese dhe kanë krijuar kapitale të lira, po synojnë të gjejnë rrugë të reja për të investuar kapitale, pasi në fushat ku ata veprojnë nuk kanë më të njëjtën dinamikë investimi. Këtu bëjnë pjesë, në radhë të parë ndërtues, të cilëve u është ulur dinamika e ndërtimit, për hir të ngopjes së tregut të banesave, vështirësive të marrjes së lejeve të ndërtimit, etj.
Ndër alternativat që ata zgjedhin janë kryesisht fusha e bujqësisë, kryesisht investime në perime, vreshta e pemëtore dhe mbajtje të blegtorisë, përfshirë edhe investime në industritë përpunuese të ushqimeve.
Por, ekspertët e bujqësisë paralajmërojnë për riskun e lartë që mbart ky sektor. “Për të arritur një biznes të suksesshëm, nuk mjafton të kesh vetëm para, sidomos në bujqësi. Bujqësia dhe blegtoria zhvillohen në natyrë dhe varen shumë nga kushtet natyrore dhe risku i tyre është më i lartë se çdo biznes tjetër”, thotë Ismail Beka, ekspert i njohur i bujqësisë. “Shumë sipërmarrës nisen për të investuar vetëm duke parë njëri-tjetrin. P.sh., nëse dikush blen dhi alpine, e ndjekin dhe të tjerët, por që nga koncepti, ky investim e humb thelbin. Kur e merr dhinë alpine e çon në Myzeqe apo zonat bregdetare, nuk është komode, se ajo është “dhi alpine””.
Një tjetër shembull i investimeve të gabuara po vërehet aktualisht në blegtori, thotë Beka. Shumë njerëz rikonstruktojnë godinat e vjetra të stallave që kanë qenë me teknologji jofunksionale në kushtet e klimës që ka Shqipëria, pasi janë ndërtuar me struktura të rënda, kur në fakt, klimës shqiptare i përshtaten strukturat e lehta ndërtimore dhe me dalje të bagëtive për shumë kohë në tokat bujqësore përreth stallave.
Ndaj, shton ai, kërkohen shumë mendime, studime dhe eksperimentime, në mënyrë të kemi sa më pak shembuj që të kthehen në negativë.
“Raste të tjera të investimeve edhe nga biznese janë në fushën e bimëve mjekësore. Kanë investuar shumë njerëz në bimë mjekësore, si p.sh. sherebela dhe po marrin fara nga jashtë por kjo është shumë e gabuar, sepse po humbasin autenticitetin dhe parametrat cilësorë të këtij produkti”.
Ndonjëherë, investitorët priren nga grantet dhe fillojnë të ndërtojnë pa shqyrtuar mirë alternativat, shton beka, duke paralajmëruar se është shumë e rëndësishme që ata të shfrytëzojnë asistencën teknike.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.