Organizatat e biznesit në Kosovë po shikojnë mundësinë për të çuar taksën e vendosur për segmentin Milot-Morinë në Gjykatën e Strasburgut. Lajmi konfirmohet për “Monitor” nga Safet Gërxhaliu, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, organizata kryesore e biznesit në Kosovë.
Gërxhalliu tha se janë tre arsyet se pse ata gjykojnë që taksa që po vihet është e padrejtë:
-Së pari, nuk ka një alternativë tjetër rruge pa pagesë. Rruga e vjetër është tepër e amortizuar dhe ka dalë praktikisht jashtë funksioni.
-Së dyti, taksa është më e lartë në krahasim me studimet, të cilat kanë rekomanduar se tarifa duhet të ishte maksimumi 1.4 euro.
-Së treti, rruga është e papërfunduar dhe po vihet tarifë kalimi, kur në gjithë rrugën ka shumë elementë pasigurie.
Gërxhalliu thotë se ata janë ende në hapat e parë të organizimit. Do të merret një studio ligjore dhe do të formulohet padia pasi të jenë grumbulluar të gjitha argumentet.
Sipas tij, janë 10 kompani të mëdha, 5 nga Shqipëria dhe 5 nga Kosova, në rrezik falimenti, sepse e kanë të lidhur gjithë aktivitetin me njëra-tjetrën.
Gërxhalliu paralajmëron se do të jenë bizneset e Shqipërisë që do ta vuajnë më shumë shtimin e kostove. “Kompanitë e Kosovës do ta kenë më të lehtë të gjejnë treg për shkak të investimeve që Kosova po bën në infrastrukturë, që do ta lidhin më shpejt me Maqedoninë me autostradën e re dhe me Malin e Zi, përmes hekurudhës që pritet të ndërtohet”.
Gërxhalliu shprehu dhe keqardhjen që nga ana e Shqipërisë nuk kanë parë solidaritet për ta kundërshtuar këtë taksë, sipas tij të padrejtë, sidomos nga organizatat shqiptare të sipërmarrjes. Edhe juristi i njohur, Ylli Manjani, thotë se grupet e interesit dhe shoqëria civile mund të çojnë në gjyq koncesionin e Rrugës së Kombit.
Sipas tij, dhënia e rrugëve kombëtare në administrim privat është praktikë e njohur në botë. Por shteti e lejon këtë lloj administrimi, vetëm në kushtet kur rruga që i jepet privatit për ta ndërtuar ose për ta administruar është rrugë alternative e rrugës publike.
Pra parimi është që shteti ka detyrë të sigurojë lëvizjen e mallrave dhe njerëzve në rrugë publike. Për këtë qëllim, njerëzit paguajnë taksa, shprehet më tej juristi i njohur.
Ai tha se, për aksesin në rrugë publike shteti nuk mund të kërkojë para apo tarifa shtesë, sepse është paguar nëpërmjet taksës. Ndërsa privati është gjithnjë shërbim alternativ. Natyrisht më i mirë, më i shpejtë dhe më i sigurt. Mbi këtë shërbim përdoruesi paguan çmimin ose përdor rrugën publike. Ky është shtrati parimor i ndërtimit dhe administrimit të rrugëve në çdo shtet, pavarësisht formës apo regjimit politik që e drejton, shtoi ai.
“Tani nëse e marrim dhe analizojmë ligjshmërinë apo kushtetutshmërinë e koncesionit të Rrugës së Kombit, krahasuar me këtë set parimesh që sapo përmenda, do të shohim se ka çështje që meritojnë sqarim”, analizoi më tej eksperti, duke shtruar disa pyetje.
-Së pari, duhet të dimë sa para nga taksimi i përgjithshëm i kalojnë kësaj rruge dhe në ç’formë?
-Së dyti, mbi sa para nga të ardhurat e mbledhura nga taksa e naftës i kalojnë rrugës?
-Së treti si janë flukset e qarkullimit, dhe cilat janë pritshmëritë tani që aplikohet taksa?
-Së katërti, a ka dhe a funksionon rruga publike? D.m.th Rruga e Kombit quhet alternative apo rrugë e zakonshme?
-Së pesti, si ndikon qarkullimi në këtë rrugë në treguesit ekonomikë të vendit?
Informacionet që dalin nga përgjigjja e këtyre pyetjeve do të na japin një panoramë më të qartë mbi ligjshmërinë e kontratës. Këto fakte do të kërkonin edhe gjykim kushtetues, shtoi ai.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.