Bumi në investimet e tregjeve në zhvillim nga firmat e pasura botërore ka “prodhuar” shumë zhgënjim
Në vitin 2007, UniCredit, një bankë italiane, luftoi konkurrencën e egër nga huadhënësit e tjerë perëndimorë për të blerë bankën e katërt më të madhe të Ukrainës nga një oligark për 2 miliardë dollarë. Ditët e fundit, në mes bisedimeve për luftë dhe “kolaps”, UniCredit kufizoi tërheqjet nga ATM e saj në Ukrainë. Në të njëjtën kohë ranë aksionet e firmave që janë të mëdha në Rusi, të tilla si Carlsberg dhe Renault, shkruan The Economist.
Trazira në Ukrainë është një nga moritë e trazirave me të cilat po përballen firmat perëndimore në tregjet e reja. Rritja e ngadalësuar, monedhat në rënie, çmimet e dobëta të mallrave, vendimet e këqija për investime dhe të një mijë problemet e korporatave si dhe rreziku politik, janë faktorët e kombinuar për të zhgënjyer pritshmëritë e menaxherëve. Investitorët kanë vënë re: se firmat e pasura të botës me ekspozim mbi mesataren ndaj ekonomive në zhvillim kanë mbetur shumë mbrapa tregut amerikan të aksioneve me rreth 40% gjatë tre viteve të kaluara.
E gjithë kjo situatë po i udhëheq firmat drejt rishqyrtimit të strategjive të tyre në tregjet në zhvillim. Për shumë firma, edhe pse përvoja ka qenë e vështirë, perspektivat janë të mira. Por disa kanë humbur mjaft nga paratë e aksionerëve dhe kështu janë të detyruara të kthehen “në shtëpi”.
Kaq ngjashëm me 1990-n
Bota e korporatave është po aq e ndjeshme ndaj modës sa janë zonat e biznesit. Në fund të viteve 1990, flluska e e-commerce (tregtia elektronike) joshi këdo, përveç firmave më të ndjeshme. Në mesin e viteve 2000 industria e kapitalit privat deklaroi se kompania e listuar nuk ekzistonte më. Por shumë më fuqishëm se secila prej atyre tendencave ka qenë besimi se firmat perëndimore duhet të grumbullohem në tregjet e reja.
Bumi daton në vitet 1990, kur ra Muri i Berlinit, u “hap” India dhe Kina filloi të përparojë. Firmat investuan në tregjet në zhvillim fillimisht me qëllim prodhimin e mallrave për shitje në vendet e pasura, dhe më pas për t’u shitur prodhimet e tyre konsumatorëve gjithmonë e më të pasur të klasës së re të mesme. Përplasja financiare dhe recesioni që pasoi në Perëndim thjesht “mprehu” entuziazmin e tyre për aventura të huaja.
Vëllimi i sipërmarrjes nga firmat e pasura të botës në vendet në zhvillim u rrit mbi katërfish në mes të viteve 2003 dhe 2010, në 180 miliardë dollarë. Firmat e pasura botërore kanë investuar rreth 3 trilionë dollarë në ekonomitë në zhvillim, duke e kthyer atë në një nga ciklet më të mëdha të investimeve të korporatave që nga bumi hekurudhor i shekullit të 19.
Prodhuesit e konjakut parisian, firmat japoneze për kozmetikën mashkullore u rritën të gjitha. Këto investime kanë transformuar strukturën e shumë firmave. Në vitin 1999, Unilever tha se bota e pasur ishte “shtylla” e saj. Tanimë shumica e shampove, sapunëve dhe supave të saj janë shitur në vendet në zhvillim. Boeing shet më shumë aeroplanë në Kinë dhe Amerikën Latine se sa në Europë. Shitësi për Mittlestand të Gjermanisë ofron darka dhe verë për klientët në Chengdu si dhe në Cologne. Operacionet kërkimore janë riorganizuar për të krijuar më shumë produkte për njerëzit e varfër. Drejtuesit me përvojë në tregjet në zhvillim po kryesojnë ndër të tjerët.
Bota në zhvillim premtoi pasuri spektakolare. Por mesatarisht të ardhurat e siguruara nga firmat shumëkombëshe të kapitalit në tregjet në zhvillim kanë qenë mediokre, jo më lart se mesatarja globale. Shumë firma nuk po sigurojnë shpërblimin e duhur për rrezikun që po ndërmarrin. Disa prej tyre kanë humbur një “mal” me para.
Pra, çfarë shkoi keq?
Në entuziazëm e sipër për të hyrë në tregjet në zhvillim, shumë kompani nuk i morën seriozisht parasysh rreziqet. Lëvizja e Rusisë në Krime mund të ketë qenë një shok, por pas lëvizjes së ngjashme në Gjeorgji në vitin 2008, vështirë se përbënte një surprizë. Qeveritë priren të luajnë edhe më egër në tregjet e reja. Firmës spanjolle të naftës, Repsol, iu shpronësuan asetet e saj në Argjentinë (më 26 shkurt ajo ra dakord për një paketë kompensimi). Zyrtarët e taksave të Indisë janë përpjekur të “gjunjëzojnë” Vodafone, Nokia dhe IBM midis të tjerëve.
Edhe pse kryesisht, duhet fajësuar menaxhimi i keq. Shumë firma paguan para më shumë se ç’duhej për blerjet. Mesatarja e vlerësimit në vitin 2007 ishte dyfish ajo e viteve 2002-‘03. Të tjerët u “zhytën” në tregje “të ngopura”. Në Brazil prodhuesit e makinave kanë të paktën 20% tepri në kapacitet dhe shitjet e automjeteve ranë vitin e kaluar. Të paktën 20 nga kompanitë e sigurimit në botë janë në “grindje” mbi tregun e vogël të sigurimeve të Indisë, që nuk është nën kontrollin e shtetit. Disa industri, të tilla si farmaceutika, kanë zbuluar se modelet e tyre të vjetra të biznesit nuk kanë funksionuar në vendet më të varfra dhe nuk arritën të shpikin modele të reja në përshtatje me vendin ku do operonin.
Drejtuesit kryesorë priren të besojnë se do të ishin të çmendur nëse do reduktonin ekspozimin e tyre ndaj tregjeve në zhvillim. Në fund të fundit, firmat që u larguan nga Azia pas krizës së saj të viteve 1997-1998 bënë një gabim të madh.
Por firmat e huaja po përballen me konkurrentë shumë më të fuqishëm lokalë se firmat e asaj kohe. Dhe kompanitë shumëkombëshe nuk duhet të supozojnë se kur të rimëkëmbet rritja ekonomike, ajo do të jetë po aq e shpejtë ose e përhapur si në të kaluarën.
Dekada e normave të ulëta të interesit dhe e kërkesës së shfrenuar kineze bëri të mundur që pothuajse të gjitha vendet në zhvillim të rriten me norma marramendëse – edhe ato që u drejtuan keq.
Tanimë mjedisi botëror është më pak tolerant.
Koha për “spastrim”
Për të përmirësuar të ardhurat e tyre në tregjet e reja, firmat e pasura botërore duhet të ndërmarrin dy hapa. Së pari, ato duhet të “skanojnë” portofolat e tyre në lidhje me përshtatshmërinë strategjike dhe të ardhurat financiare. Bizneset që kanë të ardhura të dobëta apo janë “periferike” janë kandidatë për t’u shitur, ristrukturuar ose mbyllur. Industritë e makinave dhe burimeve natyrore kanë filluar të procedojnë me një gjë të tillë. Disa firma do të kenë nevojë për një “operacion” më radikal. Disa banka të “shpëtuara nga jashtë” janë larguar; zinxhirët e mëdhenj të supermarketeve si Carrefour dhe Tesco po tërhiqen.
Së dyti, firmat shumëkombëshe do të duhet të forcojnë operacionet që kryejnë. Duke marrë hua në tregjet e borxhit lokal dhe duke zhvendosur më shumë prodhim drejt botës në zhvillim, ato mund të krijojnë një “gardh” kundrejt turbullirave të monedhës dhe të shmangin proteksionizmin. Firmat më të forta duhet të konsiderojnë blerjet për të rritur aksionet e tyre të tregut, por të sigurohen se nuk do të paguajnë më shumë se sa duhet.
Përfundimisht rritja në botën në zhvillim do ta “rimarrë veten”, duke “shpërblyer” firmat me biznese të forta dhe vazhdimësi. Por largimi i firmave perëndimore në këto tregje nuk do të përsëritet. Në vend të kësaj trafiku ka të ngjarë të marrë tjetër drejtim. Ekonomitë në zhvillim gjenerojnë 40% të PBB-së globale, matur me normën e këmbimit të tregut, por firmat e tyre zotërojnë vetëm 19% të investimeve ndërkufitare dhe (thonë konsulentët në Interbrand) vetëm 4 nga 100 markat kryesore. Gjatë dekadës së ardhshme, do të ketë më shumë firma në tregjet në zhvillim që do të zotërojnë aktive të botës së pasur.
Dhe të jeni të sigurt që kjo prirje do të udhëheqë gjithashtu drejt shumë vendimeve të këqija.