Shqetësimi global, nga tregtia, monedhat dhe materialet e papërpunuara. A mund t’i vihet një çmim edhe disa prej frikërave më të mëdha?
Ata përbëjnë një grup vërtet interesant, rreth 160 bojskaut në xhinse dhe çizme me baltë, që dalin duke u hedhur nga makinat e tyre me litarë në duar dhe zhyten në fushat me misër dhe me sojë në Midwest në Amerikë, shkruan The Economist. Ata nuk janë vetëm fermerë. Në mesin e tyre ka edhe tregtarë mallrash dhe menaxherë të fondeve të mbrojtjes.
Objektivi i tyre është që të parashikojnë të korrurat e këtij viti, duke përdorur litarët njësi matës dhe duke numëruar edhe kallirin e fundit të misrit dhe kokrrën e fundit të sojës. “Ne do të kemi një prodhimtari me të vërtetë të lartë gjatë këtij viti, madje mendoj se ky do të jetë një rekord i ri”, shprehet Ted Seifried, një strategjist tregu në Zaner Group, një broker mallrash në Çikago.
Balta në çizmet e tij është një shenjë pozitive e lagështirës së mjaftueshme në tokë. Por kur ai kthehet sërish në makinën e tij për të vazhduar turin Pro Farmer Midwest Crop, biseda që zhvillohet i kthehet disa temave më të errëta, si tensionet tregtare, monedhat në rënie dhe atë që ai e quan si fillimi i një “lufte ekonomike të ftohtë” mes Amerikës dhe Kinës. Ndërkohë që rrugëtimi nga një fushë në tjetrën zgjat nga 29-49 km, sigurisht që edhe bisedat që do të zhvillohen do të jenë të shumta.
Në përgjithësi, prodhuesi amerikan mendon se lufta me Kinën është e drejtë, por ndikimi i saj shumë i madh. “Nga fermat në Midwest në tregjet e monedhave në Çikago, Nju Jork, Londër dhe Shangai, kjo është një periudhë e ndërlikuar për të prodhuar dhe për të tregtuar mallra. Ndërsa amerikanët mund të shijojnë tregun e aksioneve të tyre në rritje. Por një dollar në rritje, normat e interesit amerikane më të larta, rënia drastike e monedhave të tregjeve në zhvillim dhe frika e një goditje si pasojë e tarifave të vendosura ndaj eksporteve në Kinë kanë penalizuar çmimet e mallrave të para në muajt e fundit.
Ndërkohë ndryshimet klimatike, frika ndaj të cilave është rritur shumë gjatë kësaj vere, si pasojë e të nxehtit dhe thatësirës, kanë goditur fushat europiane të mbjella me grurë. Për pasojë, çmimet europiane të grurit janë rritur, por ato të produkteve të tjera kanë pësuar rënie. Më 22 gusht, një kilogram kafe arabike ra nën 1 dollar amerikan, njëkohësisht edhe çmimi më i ulët në 12 vitet e fundit. Çmimi i sheqerit të papërpunuar ra në nivelin e tij më të ulët të këtyre dhjetë viteve të fundit. Të dyja produktet e mësipërme janë goditur nga furnizimi i tepërt në Brazil, si dhe nga një rënie në vlerën e monedhës braziliane, prandaj është më mirë që ato të vazhdojnë të shiten në dollarë sesa të mbahen stoqe.
Në korrik, çmimet e bakrit shënuan rënie prej më shumë se 20% që nga qershori, me frikën se proteksionizmi do të ngadalësonte rritjen globale, sidomos në Kinë. Çmimet e naftës kanë shënuar rënien e tyre për të shtatën javë radhazi. Rënia është shkaktuar kryesisht si pasojë e shqetësimeve rreth kërkesës së ulët të tregjeve në zhvillim dhe për shkak se një dollar më i fortë e bën më të përballueshme për vendet me monedha të dobëta që ta blenë atë të papërpunuar. Ndërkohë, çmimet e arit kanë rënë çuditërisht në mënyrë të sinkronizuar me jenin. Sipas Departamentit të Bujqësisë parashikohet një nivel rekord i prodhimit të misrit dhe i sojës gjatë këtij viti.
Por, duke qenë se Kina ishte një prej blerësve më të mëdhenj të sojës në Amerikë, nga momenti që ajo vendosi tarifat hakmarrëse ndaj këtij produkti dhe shumë të tjerave në korrik, prodhimtaria e lartë nuk shihet me pozitivitet. Fermerët po shpresojnë që të fillojnë të shesin më shumë në Europë, ku përdorimi i sojës si ushqim për kafshët ka një kërkesë të lartë për shkak të çmimit të lartë të grurit. Edhe rënia e monedhës vendase (realit) e bën sojën braziliane më konkurruese.
Dollari ra, duke forcuar çmimin e disa mallrave, menjëherë pas një interviste të Presidentit Donald Trump për Reuters më 20 gusht, ku ai u shpreh se nuk ishte i kënaqur me politikën e Rezervës Federale për rritjen e normave amerikane të interesit. Edhe progresi në bisedimet e Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Amerikës së Veriut do të ishte një lajm i mirë. Por sipas vlerësimit të BHP-së, minierës më të madhe në botë, proteksionizmi ishte “jashtëzakonisht i padobishëm” për një rritje të gjerë botërore, duke shtuar se tensionet tregtare kinezo-amerikane mund të dobësojnë rritjen e PBB-së të dy vendeve, me një të katërtën pikë përqindjeje nga tre të katërtat, nëse nuk merren kundërmasat e nevojshme.
Më 23 gusht, si Amerika ashtu edhe Kina vendosën një tjetër tarifë, me një vlerë prej 16 miliardë dollarësh ndaj mallrave të njëri-tjetrit. Sipas analistëve dy janë ndikimet kryesore të këtyre tensioneve në dëmin e shkaktuar ndaj çmimit të mallrave. I pari është për shkak të rritjes së rëndësisë së tregjeve në zhvillim për të kërkuar. Në një raport të muajit qershor, Banka Botërore llogariti se pothuajse e gjithë rritja në 20 vitet e fundit në konsumin global të metaleve, dy të tretat e rritjes së kërkesës për energji dhe dy të pestat e rritjes së konsumit të ushqimit erdhën nga shtatë vende: Brazili, Kina, India, Indonezia, Meksika, Rusia dhe Turqia. Ky grup tani e tejkalon Grupin e shtatë vendeve industriale në konsumin e qymyrgurit dhe të gjithë bazës së metaleve të çmuara, si dhe në drejtim të konsumit të orizit, grurit dhe sojës.
Prandaj, çmimet e mallrave të këtyre vendeve janë shumë herë më të ndikueshme ndaj fateve të këtyre vendeve, në krahasim me periudhën e mëparshme. E dyta janë spekulimet. Ole Hansen, kreu i strategjisë së mallrave në Saxo Bank, thotë se frika e një lufte tregtare ka penguar çmimet e mallrave më të tregtuara në nivel global, veçanërisht të bakrit, ndërsa spekulimet janë rritur. Kina përbën gjysmën e kërkesës botërore për bakër, të njëjtën sasi si dhe konsumi i saj prej çeliku.
Megjithatë, çmimet e çelikut kanë shënuar rritje, sepse pjesa më e madhe e kontratave të çelikut janë në Kinë, e cila është shumë më e influencuar nga faktorët e kërkesës dhe ofertës së brendshme sesa bastet e mëdha botërore. Më 22 gusht, në një prej kontratave të së ardhmes të çelikut të nënshkruar në Shangai, u arrit çmimi më i lartë i shtatë viteve të fundit. Sipas BHP-së, Kina do të përdorë zgjerimin fiskal dhe monetar për të zvogëluar sa më shumë të mundet ndikimin ndaj eksporteve të saj nga konflikti tregtar. Çka është e sigurt për momentin është se paqëndrueshmëria e tregjeve ndodhet përpara.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.