Kryeministri kinez shprehu dëshirën për të rritur importet bujqësore nga Shqipëria…
Kryeministri Edi Rama kërkoi nxitjen e bashkëpunimit në bujqësi dhe rritjen e investimeve kineze në energji dhe infrastrukturë.
Deklarata e kryeministrit u bë gjatë takimit dypalësh me kryeministrin e Kinës, Li Keqiang në Beograd, ku po mbahet samiti i tretë i Kinës me vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore.
Gjatë këtij takimi, Kryeministri Edi Rama theksoi rëndësinë e marrëdhënieve të Shqipërisë me Kinën, si në rrafshin ekonomik dhe tregtar, ashtu edhe në atë kulturës dhe arsimit.
Kryeministri Li Keqiang vlerësoi marrëdhëniet mes dy vendeve si të shkëlqyera dhe shprehu kënaqësinë për takimin e tretë brenda një viti me homologun shqiptar.
Në emër të qeverisë kineze, Kryeministri Li Keqiang shprehu dëshirën për të rritur importet bujqësore nga Shqipëria, si dhe për të rritur investimet e kompanive kineze në prodhimin e energjisë dhe zhvillimin e infrastrukturës, që do të ndihmonte jo vetëm Shqipërinë, por edhe ndërlidhjen e vendit tonë me akset kryesore në Ballkan dhe Evropën Juglindore.
Në përfundim të takimit, Rama ftoi Kryeministrin Li Keqiang për të vizituar Shqipërinë në një moment të afërt e të përshtatshëm. Nga ana e tij, kryeministri kinez lajmëroi zhvillimin e takimit të katërt mes krerëve të qeverive të 16 vendeve evropiane dhe kreut të qeverisë kineze, takim që vitin e ardhshëm do të mbahet në Kinë./Shekulli.com
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.