Sipas informacionit nga Ambasada Amerikane, “sistemi i përgjithësuar i preferencave” (Generalized System of Preferences) është një program preferencial që mundëson hyrjen pa dogana në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për më shumë se 3,500 produkte nga 127 vende në zhvillim, përfshirë Shqipërinë. Qëllimi i programit është të mbështetet rritja ekonomike duke u dhënë shteteve një avantazh special në tregun amerikan. Në të njëjtën kohë, kjo ul gjithashtu koston e bizneseve amerikane dhe konsumatorëve amerikanë. Lista e produkteve miratohet çdo vit nga Presidenti.
Shqipëria është një nga vendet që mund të përfitojë nga ky sistem dhe shumë produkte si perime dhe fruta të përpunuara, ujë mineral, bimë medicinale, erëza apo minerale e shumë të tjera që prodhohen dhe përpunohen në vend, janë në listën e produkteve që mund të eksportohen në Amerikë me trajtim preferencial.
Në vitin 2011, Shqipëria eksportoi në Shtetet e Bashkuara 26.5 milionë dollarë, nga të cilat 14.3 milionë dollarë ishin produkte që plotësonin kushtet e GSP dhe prej të cilave 13.5 milionë dollarë përfituan nga programi GSP. Përqindja e përdorimit të GSP për Shqipërinë është 94.5% kundrejt një mesatareje prej f 70%. Taksat e kursyera për tregtinë prej 13.5 milionë dollarësh janë 275,000 dollarë.
Bill Jackson Zëvendës Drejtuesi i Programit të Sistemit të Përgjithësuar të Preferencave në Zyrën e Përfaqësuesit Tregtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndodhet në Tiranë dhe do të takohet me shoqata dhe përfaqësues të biznesit në mënyrë që të rrisë ndërgjegjësimin për këtë program. Në fakt, Shqipëria e ka shfrytëzuar më mirë këtë sistem, por ky ndrgjegjësim do të shërbejë dhe për të zgjeruar gamën e produkteve që plotësojnë kushtet e GSP për t’u eksportuar në tregun amerikan.
Produktet kryesore të eksportuara në SHBA gjatë vitit 2011 janë ferrokromi (që mban pjesën e luanit me rreth 13 milionë euro) dhe disa bimë mjekësore, po ashtu dhe fruta dhe zarzavate.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.