Shqipëria dhe Kosova kanë normën më të ulët të tregtisë ndaj Prodhimit të Brendshëm Bruto në rajon. Nga të dhënat e përpunuara nga portali Our World in Data, nga gjashtë vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor, Kosova renditet e fundit, ku norma e tregtisë ndaj Prodhimit të Brendshëm Bruto përllogaritet të jetë 73.6%. Me më pak se një pikë përqindje më shumë renditet Shqipëria, ku tregtia ndaj Prodhimit të Brendshëm Bruto llogaritet 74.3%.
Në Malin e Zi, në Serbi dhe në Maqedoni, volumi i tregtisë tejkalon Prodhimin e Brendshëm Bruto, me një normë përkatësisht 107.9%, 109.2% dhe 113%.
Të dhënat për vitin 2016-n për Bosnjë-Hercegovinën ende nuk janë përditësuar, ndërsa në një vit më parë, tregtia ndaj Prodhimit të Brendshëm Bruto ishte 88.2 për qind.
Në periudhën kohore 2006-2016, norma më e lartë e tregtisë ndaj Prodhimit të Brendshëm Bruto u arrit në vitin 2011, ku sipas të dhënave ishte 90.8%, favorizuar kryesisht nga eksporti i naftës dhe i mineraleve.
Tregtia në përqindje ndaj Prodhimit të Brendshëm Bruto është një tregues i rëndësishëm mbi tregtinë ndërkombëtare të një vendi. Ky tregues përllogaritet duke pjesëtuar vlerën e importeve dhe eksporteve agregate të një viti ushtrimor me Prodhimin e Brendshëm Bruto të së njëjtës periudhë. Zakonisht është i shprehur si përqindje. Treguesi përdoret si një matës i hapjes së një vendi ndaj tregtisë ndërkombëtare.
Kur ky tregues tejkalon 100%, do të thotë që ekonomia është e orientuar drejt eksportit. Në përgjithësi shtetet që kanë një normë më të lartë se 100%, importojnë mallra me vlerë të ulët dhe eksportojnë mallra me një vlerë më të lartë. Në Serbi dhe në Maqedoni, në vitet e fundit po operojnë komani shumëkombëshe, të cilat kanë rritur eksportet në vlerë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.