Eficenca e energjisë mbetet një zhargon i përsëritur në dhjetëra dokumente të rëndësishme kombëtare, por në praktikë vetëm 9% e banesave kanë të instaluar një element sipas këtij parimi. Deri në vitin 2030, do të duhen 228 milionë euro investime që të arrihet objektivi i kursimit 15.5% nga eficenca. BERZH, BE dhe qeveria austriake kanë bashkuar forcat për të aplikuar një program në Ballkanin Perëndimor për Financimin e Ekonomisë së Gjelbër (GEFF), i cili prek edhe Shqipërinë dhe që ndalet tek investimet në sektorin rezidencial. Të paktën 9 milionë euro linjë kreditore do të mund të përfitohen nga qytetarët, që do të bëjnë investime sipas parimit të eficencës. Një pjesë e investimit do të kthehet si grant
Nga Nertila Maho
Më 11 mars, Komisioni Europian njoftoi se do të aplikojë një sistem të ri etiketash për eficencën e energjisë në pajisjet shtëpiake. Janë pesë grupe produktesh shtëpiake, si lavastoviljet, lavatriçet dhe makinat e tharjes, frigoriferët, përfshirë ata për ruajtjen e verës, llambat dhe pajisje elektronike si monitorët e televizorëve. Kurse për bizneset do të jetë në dispozicion një grup pajisjesh frigoriferike. Të gjitha këto do të jenë të disponueshme për konsumatorët brenda 1 marsit 2021 dhe do të shoqërohet me një fushatë të gjerë informimi nga Bashkimi Europian. Informacioni mbi këto pajisje do t’ju mundësojë qytetarëve të dinë saktë sa energji kursejnë gjatë përdorimit, nivelin e zhurmës për secilin apo përdorimin e ujit.
E teksa lexon këtë njoftim në faqen e Komisionit Europian ndërgjegjësohesh për hendekun që ndan Shqipërinë nga ky komunitet. Eficenca e energjisë, e konceptuar në disa dhjetëra dokumente, strategji, plane veprimi, është në fazën e saj embrionale. Gjithsesi pozitive në gjithë këtë duket fakti që kanë nisur të hidhen hapat e parë konkretë dhe pjesë e tij janë institucione të rëndësishme financiare.
Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Bashkimi Europian, Korniza për Investimet në Ballkanin Perëndimor dhe qeveria e Austrisë kanë bashkuar forcat për të zbatuar një program që synon pikërisht financimin e ekonomisë së gjelbër. Shqipëria është stacioni i fundit ku mbërrin kjo nismë, ndërkohë që ka nisur më herët në disa vende të rajonit. Mali i Zi është i vetmi që ende nuk e ka filluar, por që pritet që t’i bashkohet shumë shpejt.
Çfarë është Programi për Financimin e Ekonomisë së Gjelbër (GEFF)
Në Shqipëri, vetëm 9% e banesave kanë të përfshirë një apo më shumë elemente që lidhen me eficencën e energjisë. Këto elemente kanë të bëjnë me teknologjinë apo materialet e përdorura siç mund të jetë izolimi i banesës, përdorimi i paneleve diellore, dyert apo dritaret specifike që ruajnë temperaturën. Niveli 9% konsiderohet si tejet modest, çka përbën një sfidë për Shqipërinë në lidhje me objektivat që ka vendosur në strategjinë e saj kombëtare për Energjinë për vitet 2018-2030.
Programi për Financimin e Ekonomisë së Gjelbër (GEFF) synon pikërisht nxitjen e investimeve që ndihmojnë vendin tonë në arritjen e këtyre objektivave, që i takojnë kursimit nga eficenca e energjisë. GEFF në Shqipëri është pjesë e programit prej 85 milionë euro, një program dedikuar financimit të ekonomisë së gjelbër në Ballkanin Perëndimor dhe që ka si qëllim që të zvogëlojë përdorimin e energjisë në sektorin e banesave, të ulë ndotjen e ajrit dhe të përmirësoje komoditetin e jetesës nëpërmjet një huaje që kalon te bankat partnere për të mbështetur investimet në teknologjinë e gjelbër. Union Bank dhe Fondi Besa janë dy institucionet e para financiare që iu bashkuan këtij programi, duke nënshkruar linja krediti me vlerën 9 milionë euro së bashku.
Pronarët e banesave që duan të bëjnë një investim që ka në bazë parimin e eficencës mund të zgjedhin se në cilat teknologji duan të investojnë, duke përdorur Selektorin e Teknologjisë, një katalog online i produkteve dhe pajisjeve të para, të aprovuara për eficencën e energjisë që gjenden në tregun shqiptar. Nëpërmjet këtyre investimeve, pronarët shqiptarë do të kenë mundësi të aplikojnë për një grant të Bashkimit Europian deri në 20% të vlerës së investimit të tyre. Për investimet si grup, pra në komunitet për ndërhyrjen në një godinë, granti mund të arrijë deri në 35% të vlerës së investimit. Në total, BE ka dedikuar 1.8 milionë euro për grante për programin GEFF.
Javën e shkuar, në Tiranë, u bë edhe prezantimi për atë çfarë përfaqëson Programi i Financimit të Ekonomisë së Gjelbër. Të pranishëm në këtë aktivitet ishin përfaqësues të institucioneve kyçe të përfshira në program nga financuesit, te bankat partnere apo asistenca teknike. Drejtori i BERZH në Shqipëri, Matteo Colangeli, u shpreh se fakti që në Shqipëri, vetëm 9% e banesave kanë elemente sipas parimit të eficencës do të thotë se ka një hapësirë të madhe për mbështetje.
Sipas tij, është krijuar një zinxhir i mirë bashkëpunimi, duke nisur nga institucionet kyçe si BERZH apo BE tek ato të asistencës teknike, shitësit lokalë të produkteve apo institucionet financiare lokale që i janë bashkuar nismës. Ai ftoi banka dhe institucione të tjera për t’u bashkuar, ndërkohë që nënvizoi se Union Bank dhe Fondi Besa janë të parat që janë rreshtuar pro kësaj “sipërmarrjeje”.
Ambasadori i BE në Tiranë, Luigi Soreca, në fjalën e tij tha se në total, në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor ku po zbatohet ky program janë 36 banka dhe institucione financiare të cilat, përmes kredidhënies, kanë regjistruar histori të shumta suksesi. Nga ana tjetër, ai theksoi se qeveria e Shqipërisë duhet t’u përgjigjet këtyre nismave me ngritjen e infrastrukturës së qëndrueshme dhe mbështetje të energjisë së gjelbër me nisma të vetat.
Drejtori Ekzekutiv i Union Bank, Gazmend Kadriu, nënvizoi se institucioni financiar që ai përfaqëson, mbetet i angazhuar që vitin 2019 ta kthejë në një vit edhe më pozitiv sesa 2018, vit gjatë të cilit banka shënoi rezultate shumë të mira. “Bankën Union dhe BERZH-in që është një mbështetëse kryesore e këtij programi e lidh një histori e gjatë projektesh në këto dhjetë vite. Pak kohë më parë, Union Bank nënshkroi një marrëveshje për një kredi 6 milionë euro, që ka në objektiv mbështetjen e këtij programi për ekonominë e gjelbër.
Kjo marrëveshje na mundëson që t’iu ofrojmë klientëve tanë potencialë zgjedhje efikase, në kuadër të investimeve që kanë në bazë parimin e eficencës së energjisë. Aktualisht, po punojmë për të promovuar dhe për të rritur informimin, pasi Union Bank është e vetmja bankë, pjesë e programit në Shqipëri. Kemi potencialin e duhur për të vazhduar në 2019-n kreditimin e ekonomisë duke i dhënë një vend të veçantë edhe programit për financimin e ekonomisë së gjelbër”, tha Kadriu.
Nga ana tjetër, edhe Bajram Muçaj, Drejtor Ekzekutiv i Fondit Besa, nënvizoi se përmes fondit 3 milionë euro që parashikon marrëveshja që ky institucion ka me BERZH do të mbështeten individët që kanë në fokus të tyre investimin në funksion të eficencës së energjisë. Në finale, ky program do t’i shërbejë ekonomisë së gjelbër në vend.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.