Cenueshmëria e vazhdueshme është një kërcënim për zhvillimin njerëzor. Nëse kjo cenueshmëri nuk luftohet në mënyrë sistematike me anë të politikave dhe normave sociale, progresi nuk do të jetë as i paanshëm e as i qëndrueshëm. Ky është parimi thelbësor i Raportit të Zhvillimit Njerëzor, të vitit 2014, të publikuar sot nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (PNUD).
I titulluar Progresi i qëndrueshëm njerëzor: Reduktim i cenueshmërisë dhe ngritje e aftësive ripërtëritëse, raporti jep një perspektivë të re për cenueshmërinë dhe propozon mënyra për të ngritur aftësitë ripërtëritëse.
Sipas matjes së varfërisë në bazë të të ardhurave, 1,2 miliardë njerëz jetojnë me 1,25 USD ose më pak në ditë. Gjithsesi, vlerësimet më të fundit të Indeksit të Varfërisë Shumëdimensionale të PNUD-it tregojnë se thuajse 1,5 miliardë njerëz në 91 shtete në zhvillim jetojnë në varfëri me privime të njëkohshme në shëndetësi, arsimim dhe standardet e jetesës. Dhe megjithëse varfëria po bie në përgjithësi, thuajse 800 milionë njerëz rrezikojnë të bien sërish në varfëri, nëse hasen pengesa.
Raporti prezanton dhe renditjen e re globale të treguesve të zhvillimit njerëzor. Koordinatorja e Përhershme e OKB-së dhe Përfaqësuesja e Përhershme e UNDP në Shqipëri Znj. Zineb Touimi-Benjelloun theksoi se Shqipëria pozicionohet në mes të vendeve me zhvillim të lartë njerëzor duke u renditur në vend të 95 nga 187 vendet e botës, dy vende me lart se renditj e nje viti me pare. Nga pikëpamja e Treguesit të Pabarazisë Gjinore – cili reflekton pabarazitë gjinore në tre dimensione – shëndeti riprodhues, fuqizimi dhe aktiviteti ekonomik, Shqipëria renditet në vendin e 44.
“Rënia e varfërisë si dhe e cenueshmërisë së njerëzve për të rënë në varfëri duhet të jetë objektivi kryesor i axhendës për zhvillim post-2015” thuhet në raport. “Zhdukje e varfërisë nuk do të thotë thjesht “eliminim i saj”, por edhe moskthim në varfëri.”
Prizmi i zhvillimit njerëzor mbi atë që është i cenueshëm dhe pse është i cenueshëm
“Rënia e cenueshmërisë është përbërësi kryesor në çdo axhendë për rritjen e zhvillimit njerëzor”, shkruan fituesi i çmimit Nobel Joseph Stiglitz, në kontributin që jep në raport. “[Ne] duhet ta trajtojmë atë nga një perspektivë më e gjerë dhe gjithëpërfshirëse.”Raporti i vitit 2014 e bën këtë qasje duke përdorur prizmin e zhvillimit njerëzor për t’i dhënë një këndvështrim të ri cenueshmërisë si një grup rreziqesh që mbivendosen dhe që përforcojnë njëra-tjetrën.
Raporti shqyrton cenueshmëritë strukturore, ato që kanë rezistuar dhe janë shtuar në kohë si rezultat i diskriminimit dhe mosfunksionimit institucional, duke lënduar shtresën e varfër, gratë, emigrantët, njerëzit me aftësi të kufizuara, grupet indigjene dhe të moshuarit. Për shembull, 80 për qind e të moshuarve në botë nuk përfitojnë mbrojtje sociale, ku një numër i madh nga këta të moshuar janë edhe të varfër e me aftësi të kufizuara njëkohësisht.
Raporti paraqet edhe konceptin e cenueshmërive gjatë ciklit të jetës, periudhat delikate gjatë jetës, ku krizat mund të kenë ndikim më të madh. Ato përfshijnë 1000 ditët e para të jetës dhe kalimin nga shkolla në punë dhe nga puna në daljen në pension. Ndërhyrjet në kohë, të tilla si investimet në zhvillimin e fëmijërisë së hershme, janë vendimtare, thuhet në raport.
“Aftësitë fitohen gjatë jetës së një individi dhe duhen ushqyer e ruajtur, në të kundërt mund të mbeten në vend ose edhe të zbehen,” thuhet në raport. “Aftësitë jetësore ndikohen nga investimet e bëra gjatë fazave të mëparshme në jetë dhe mund të kenë pasoja afatgjata si rezultat i ekspozimit ndaj krizave afatshkurtra.”
Në raport kërkohet riangazhimi i qeverive në arritjen e objektivit të punësimit të plotë, një shtyllë kryesore e politikave makroekonomike të viteve 1950 dhe viteve 1960 që u zëvendësua nga objektiva politike konkurruese pas krizave të naftës të viteve 1970. Në raport diskutohet se punësimi i plotë sjell avantazhe sociale që i tejkalojnë përfitimet private, të tilla si nxitja e qëndrueshmërisë dhe e kohezionit social.
Duke i njohur sfidat me të cilat përballen vendet në zhvillim në lidhje me punësimin e plotë, nevojitet fokusimi në transformimin strukturor, “në mënyrë që punësimi formal i ditëve të sotme gradualisht të përfshijë shumicën e forcës së punës”, përfshirë kalimin nga bujqësia te industria dhe shërbimet, me mbështetjen e investimeve në infrastrukturë dhe arsim.
Raporti bën thirrje për një veprim kolektiv më të fuqishëm, si dhe koordinim dhe angazhim më të mirë në rang global për të mbështetur aftësinë ripërtëritëse, si reagim për cenueshmëritë të cilat po bëhen gjithnjë e më globale për sa i përket origjinës dhe ndikimit të tyre.
Kërcënimet, nga krizat financiare, te ndryshimet klimatike e deri te konfliktet, janë me natyrë ndërkombëtare, por ndikimet e tyre përjetohen në shkallë lokale dhe kombëtare dhe shpesh janë të mbivendosura. Në raport argumentohet se kërcënimet ndërkombëtare nuk mund të zgjidhen nëse vendet individuale veprojnë në mënyrë të pavarur; ato kërkojnë një fokus të ri nga komuniteti ndërkombëtar, i cili shkon përtej reagimeve afatshkurtra të tilla si ndihma humanitare.
Për të rritur mbështetjen për programet kombëtare dhe për të krijuar hapësira për politika, në mënyrë që vendet ta përshtatin universalizmin sipas kushteve specifike të vendit, në raport kërkohet që në axhendën e post-2015 të përfshihet “një konsensus ndërkombëtar për mbrojtjen sociale universale”.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.