Shqipëria, e katërta në Europë për vdekjet nga trafiku rrugor

17/02/2017 9:17 AM 0 komente
aksidentet me mjetet motorike

Ndërsa në Europë, vdekjet dhe dëmtimet nga trafiku rrugor janë reduktuar ndjeshëm 30-40 vitet e fundit, në Shqipëri ka ndodhur e kundërta.

Të dhënat e Organizatës Botërore të Shërndetësisë, të përpunuara në Indeksin e Shëndetit të Konsumatorëve nga Health Consumer Powerhouse për vitin 2016 tregojnë se Shqipëria është e katërta në Europë përsa i përket vdekjeve në aksidentet rrugore, për 100 mijë banorë (shih grafikun).

Me rreth 8-9 vdekje për 100 mijë banorë, Shqipëria renditet pas Letonisë, Greqisë dhe Lituanisë, duke u renditur mes 5 vendeve që janë në zonën e kuqe të rrezikut.

Nga vendet e rajonit, numrin më të ulët të vdekjeve e dëmtimeve nga aksidentet e ka Serbia, që është e përfshirë në zonën jeshile, me rreth 6 dëmitime për 100 mijë banorë.

Në Europë, vendet ku ndodhin më pak aksidente me vdekje, janë Malta, Mbretëria e Bashkuar, Suedia, Holanda, Danimarka, Zvicra, Norvegjia.

Ka variacione të mëdha sipas vendeve, siç tregohen nga grafiku, thotë raporti. Ky është një tregues i ri, që është futur në vitin 2014.

Të dhëna të tjera të Organizatës Botërore të Shëndetësisë tregojnë se në përgjithësi vdekjet më të larta nga trafiku rrugor janë në Afrikë dhe më të ulëtat në Europë. Dëmtimet nga trafiku rrugor shkaktojnë rreth 1.3 milionë të vdekur në vit në botë, çka do të thotë se një person vritet çdo 25 sekonda. Vetëm 28 shtete, që përfaqësojnë 449 milionë njerëz (7% të popullsisë botërore),kanë ligje të përshtatshme që adresojnë të pestë faktorët e rrezikut (shpejtësia, ngarja e makinës nën efektin e alkoolit, kaskat e kokës dhe kufizimet për vendosjen e rripit të fëmijëve). Mbi një e treta e vdekjeve nga trafiku në rrugë në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme janë mes këmbësorëve dhe çiklistëve. Gjithsesi, më pak se 35% e vendeve me të ardhura të mesme e të ulëta kanë politika për mbrojtjen e kalimtarëve.

Personat e moshës midis 15 dhe 44 vjeç llogariten të zënë 59% të vdekjeve globale nga trafiku rrugor. 77% e vdekjeve janë mes meshkujve.

aksidentet me mjetet motorike

Share on FacebookTweet about this on TwitterShare on Google+Share on LinkedInEmail this to someonePrint this page

Komente

Jeni i pari për të shkruar një koment!

Notify of

wpDiscuz