Shqipëria e ka mbyllur vitin 2012 duke shënuar jo vetëm nivelin më të lartë të kredive me probleme në të gjithë rajonin, por dhe një ndër rritjet me të mëdha të këtij treguesi në pikë përqindjeje.
Kreditë e pakthyera në afat në bankat shqiptare u rritën me pesë pikë përqindjeje gjatë 2012-s, nga 17% në fund të 2011-s, në 23% në nëntor 2011.
Të dhënat krahasuese bëhen të ditura në raportin e tremujorit të katërt të Komisionit Europian lidhur me ecurinë ekonomike të vendeve që aspirojnë të hyjnë në BE.
Vendet e tjera kanë arritur që të menaxhojnë më mirë këtë tregues, duke arritur madje që ta ulin atë.
Në Mal të Zi, e cila mbante rekord për huat jo performuese në rajon në vitin 2011, niveli i kredive të këqija zbriti në tremujorin e tretë 2012 në 17.7% të totalit, nga 21% që ishin në dhjetor 2011.
Në Serbi, huat me probleme u rritën me më pak se një pikë përqindjeje përgjatë vitit 2012, për të arritur në 19.9% në fund të vitit, nga 19% në 2011-n.
Kroacia pa një rritje të këtij treguesi, nga 12% në 14% përgjatë 2012-s.
Bosnja është shteti në rajon që ka më pak probleme me huat e pakthyera në afat, të cilat ishin në një nivel prej 12.7% në fund të tremujorit të tretë 2012.
Në Maqedoni ato u rritën minimalisht, nga 9.5% në 2011-n në 10.7% në fund të tremujorit të tretë 2012.
Një tjetër tregues që llogaritet ndër më të lartët në rajon është ai i borxhit publik, që për Shqipërinë ishte rreth 59% e Prodhimit të Brendshëm Bruto në nëntor 2012. Serbia e ka nivelin të krahasueshëm me Shqipërinë, në 58%; Kroacia në rreth 54% të PBB-së; Mali i Zi 52%, Bosnja në rreth 27% dhe Maqedonia rreth 31%.
Burimi: Komisioni Europian
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.