Shqipëria fillon roadshow për eurobondin, po tenton të zgjasë maturimin mbi 5 vite

09/08/2018 10:01 AM 0 komente

Qeveria shqiptare po bën hapa konkrete në drejtim të emetimit të Eurobondit me vlerë 500 milionë euro këtë vit, teksa ka nisur faza paraprake për prezantimin e karakteristikave tek investitorët (roadshow), sipas njoftimeve zyrtare në agjencitë e lajmeve të tregjeve të kapitalit.

Të dhënat themelore janë prezantuar tek investitorët potencialë nëpërmjet të cilave qeveria synon të emetojë  Eurobondin kundrejt një afati maturimi 5-10 vjet me gjasë për të siguruar së paku shtatë vite, ashtu si edhe Maqedonia veproi në fillim të këtij viti.

Pas kësaj faze investitorët do të shprehen në lidhje me shumat që do të ofrojnë me interesat përkatëse.

Ministria e Financave ka përzgjedhur edhe bankat që do të udhëheqin procesin e emetimit të eurobondit në tregjet e kapitalit. Komisioni i posaçëm i ngritur për këtë proces ka përzgjedhur Citi, Banka IMI dhe Societe Generale si skuadrën rregulluese të përbashkët të transaksionit. Për herë të fundit Shqipëria doli në tregjet e kapitalit në vitin 2015 kur emetoi 450 milionë euro për 5 vjet me një kupton prej 5.75%,  ndërkohë që në 2010 emetoi eurobondin e parë me vlerë 300 milionë euro.

Shqipëria është e fundit në Rajon që del në tregjet e kapitalit këtë vit, ndërkohë që më herët me sukses kanë përfunduar këtë proces Maqedonia, Mali i Zi dhe Republika Serbe e Bosnjës (njëra nga dy entitetet e Bosnjë-Hercegovinës, tjetra është Federata e Bosnjës). Të treja kanë siguruar eurobonde me vlera të konsiderueshme.

Siparin e ngriti Maqedonia në janar e cila emetoi një Eurobond me vlerë 7 vjeçare ntë këtij viti dhe me një normë interesi prej 3 për qind.  Kjo është norma më e ulët me të cilin ky shtet që doli për herë të shtatë në tregje ka siguruar ndonjëherë borxhin. Më herët interesat janë luhatur mes 3.9 dhe 9.8 për qind. Kërkesa e investitorëve për euroboondin maqedonas ishin 3.5 miliardë euro apo 7 herë më e madhe se oferta. Me këtë emetim Maqedonia në një deklaroi se do të plotësonte një pjesë të eurobondit të vjetër të saj që maturohej në dhejtor 2020 dhe që kishte një interes 4.8 për qind. Kjo u cilësua si një lëvizje e zgjuar e qeverisë për të ulur borxhin dhe riskun e rifinancimit.

S&P vlerësoi Shqipërinë me notën në B +/ B të analizës së renditjes së borxhit sovran afatshkurtër dhe afatgjatë të Shqipërisë, me perspektivë të qëndrueshme.

I njëjti vlerësim ishte edhe për Maqedoninë, por Shqipëria ka borxhin publik rreth 71 % e PBB, ndërsa Maqedonia me vetem 38.7 për qind të PBB-së. Por gjatë 2017 Shqipëria pati një rritje ekonomike 3.8 %, ndërsa Maqedonia 0.1 për qind.

Shqipëria do të dalë zyrtarisht për herë të tretë në tregjet e kapitalit këtë vit për të siguruar një Eurobond në vlerën 500 milionë euro duke provuar veten para investitorëve pas tre vitesh. Kuponi me të cilin vendi ynë siguroi borxhin e fundit në këto tregje ishte me një interes 5.75 për qind.

Boshti që shërben për caktimin e interesit për borxhet në tregjet e kapitalit është besimi që transmeton vendi emetues që zakonisht është derivat i raporteve të rëndësishme. Së pari në analizë merren raportet e insitucioneve financiare ndërkombëtare si Banka Botërore apo Fondi Monetar Ndërkombëtar. Po kështu merren raportet e agjencive të vlerësimit të kreditit Moody’s, Standard and Poor’s apo Fitch Rating e në vazhdim edhe një sërë elementësh të tjerë të kombinuar.

Vendet e tjera  të Rajonit më herët këtë vit kanë emetuar Eurobonde. Pas Maqedonisë i dyti në treg ishte Mali i Zi që në prill të këtij viti njoftoi daljen në tregjet e kapitalit për 500 milionë euro. Investitorët e interesuar për ketë Eurobond ofruan një total prej 1.48 miliardë euro pra rreth 3 herë më shumë se interesi i Malit të Zi. Në fund qeveria vendosi të blinte vetëm 362 milionë euro me një interes mestatar 3.37 për qind dhe për të cilat ripagesa nis në 2019, 2020 dhe 2021.

Edhe për Malin e Zi ky ishte interesi më i ulët me të cilin u sigurua një Eurobond në tregun e kapitalit.

Republika Serbe e Bosnjës nga ana tjetër njoftoi se në qershor mbylli daljen e saj në tregjet e kapitalit ku emetoi një Eurobond me vlerë 168 milionë euro për një afat 5 vjeçar. Kuponi me të cilin u sigurrua ky borxh ishte 4.75 për qind. Kjo ishte hera e parë që Republika Serbe e Bosnjës debutante në tregjet e kapitalit dhe një peshë të konsiderueshme të përqindjes së saj e mban pikërisht ky fakt. Kërkesa fillestare ishte për të paktën 200 milionë euro në bursën e Vjenës.

Share on FacebookTweet about this on TwitterShare on Google+Share on LinkedInEmail this to someonePrint this page

Komente

Jeni i pari për të shkruar një koment!

Notify of
avatar
wpDiscuz