Shqipëria gdhihet nën ujë; Autostrada Tiranë-Durrës, kronikë e një përmbytjeje të paralajmëruar

01/12/2017 7:00 AM 0 komente

24 orë shi i pandërprerë kanë bërë që vendi të gdhihet nën pushtetin e ujit, sidomos në zonën qendrore dhe atë jugore. Shumë rrugë të pakalueshme, lumenj të dalë nga shtrati, fshatra të përmbytur dhe banorë në vështirësi e të evakuuar është panorama e këtij mëngjesi të jashtëzakonshëm. Policia e Shtetit  Emergjencat Civile, Ushtria,  Zjarrëfikësit dhe Autoriteti Rrugor Shqiptar, Operatori i Shpërndarjes kanë punuar intensivisht për të menaxhuar problemet e krijuara nga reshjet e dendura. Një elektriçist humbi jetën në krye të detyrës. Shkollat sot do të jenë të mbyllura. Mbi 300 persona u evakuuan gjatë natës.

Situata më e rënduar ishte në Autstradën Tiranë-Durrës, e cila që prej mbrëmjes së djeshme u bë e pakalueshme për shkak të vërshimit të ujit, duke bllokuar dhjetëra makina, teksa uji vërshoi dhe në bizneset aty pranë, përfshirë dhe qendrën tregtare City Park, ku u bllokuan dhjetëra vizitorë.

 

Kronika e një përmbytjeje të paralajmëruar

Në zonën e Autostradës mes Tiranës dhe Vorës u përsërit pikë për pikë historia e 8 nëntorit të një viti më parë, kur ujërat vërshuan me rrëmbim brenda pak minutash duke përmbytur shumë biznese të zonës dhe duke shkaktuar dëme që u vlerësuan nga sipërmarrësit në 10 milionë euro. LEXO: http://www.monitor.al/permbytjet-bizneset-e-autostrades-10-milione-euro-deme-shteti-ka-braktisur/

Sipërmarrësit, që në atë kohë krijuan Bashkimin e Bizneseve Vorë-Tiranë bënë thirrje që të merreshin masa që të mos përsëritjet e njëjta situatë. Ata kërkuan marrjen e masave urgjente për rikthimin e infrastrukturës në gjendjen e mëparshme, në mënyrë që të shmangen fenomene të tilla në të ardhmen. Për këtë kërkuan që në mënyrë urgjente të fillojë pastrimi dhe rehabilitimi i gjithë infrastrukturës së ujërave dhe aksesi i bizneseve (kanalet kulluese, përroi i Kasharit, nënkalimi i Kasharit, kanalet ujore nën trasenë e autostradës në këtë segment, deri në derdhjen e tyre në lumë etj).

Në atë kohë ata fajësuan hapjen e rezervuarëve për përmbytjen e menjëhershme. “Duke pasur parasysh që çdo gjë ndodhi në vetëm 5 minuta, do të kërkonim asistencën tuaj në zbardhjen e shkakut të kësaj përmbytjeje. Sipas vlerësimit tonë, përmbytja nuk është shkaktuar nga reshjet natyrore, por si pasojë e hapjes së portave të rezervuarëve të zonës (liqeni Gjokaj, Picar dhe Rezervuari Kashar)”, thuhej në një shkresë që iu dërgua autoriteteve.

Një tjetër problem ishte ai i menaxhimit të baseneve. Që nga dhjetor 2015, infrastruktura e  ujitjes dhe kullimit,  personelit dhe të aseteve të luajtshme e të paluajtshme të bordeve rajonale të kullimit ka kaluar nga Ministria e Bujqësisë te Bashkitë, në territorin e të cilave është vendndodhja e tyre. Si rrjedhojë, bashkitë janë përgjegjëse për administrimin, shfrytëzimin dhe mirëmbajtjen e infrastrukturës së ujitjes dhe kullimit, të transferuar në pronësi të tyre, sipas legjislacionit në fuqi, përfshirë edhe sigurinë e digave të rezervuarëve që përdoren për ujitje dhe që u janë transferuar bashkive. Por kjo rritje e kompetencave të bashkive, në kuadër të reformës së re territoriale, ka rezultuar problematike.

Kanalet nën autostradë, thanë në atë kohë sipërmarrësit, janë të bllokuara apo dhe të zaptuara, ndërsa dhe mbjellja e palmave në zonën Kashar-Laprakë është shoqëruar me ngushtim të kanaleve kulluese.

Ka kaluar fiks një vit nga ajo përmbytje dhe një tjetër, akoma më e rëndë, ndodhi. Do të duhet të kalojnë ditë që të qartësohet situata, të gjenden shkaqet (nëse hapja e digave të rezervuarëve e ka rënduar përmbytjen dhe nëse menaxhimi i digave ka funksionuar normalisht) dhe të llogariten dëmet. Por, në një pamje të parë është e qartë se pak gjëra kanë ndryshuar dhe pak masa, (si ajo e hapjes së kanalit përballë me City Park),  janë marrë për të menaxhuar një situatë të tillë. Me përjashtim të një vendimi të Bashkisë Tiranë, për të zëvendësuar palmat e thara në dy krahët e Autostradës me pisha dhe një sistem ujitjeje shiu artificial!!!

 

City Park: Këtë herë dëmet janë më të mëdha, na thanë se u hap diga

Burime nga City Park thanë për Monitor se dëmet janë më të mëdha se një vit më parë.

“Na thanë që janë hapur digat  por nuk e dimë të saktë”, pohuan drejtues të City Park, duke shtuar se kemi të bëjmë me një situatë më të vështirë se vjet në nëntor.

“Shumë klientë mbetën të bllokuar në Citypark dhe askush nuk bëri asgjë dhe për më tepër as për punonjësit e fabrikës”.

Ndërsa energjia u kthye vetëm ne ora 2 pas mesnate. Sot në mëngjes oborri i City Park i ngjante një vendi lufte me makina të mbushura me baltë, po ashtu dhe kati i parë i ndërtesës.

Share on FacebookTweet about this on TwitterShare on Google+Share on LinkedInEmail this to someonePrint this page

Komente

Jeni i pari për të shkruar një koment!

Notify of
avatar
wpDiscuz