Shqipëria, jashtë radarit të investitorëve

30/11/2016 10:20 AM 0 komente

Shqipëria nuk renditet në listën e 100 shteteve me markat më të vlefshme, sipas raportit Nation Brands 2016 të publikuar së fundmi nga kompania konsulente Brand Finance, i cili vlerëson destinacionet më tërheqëse për Investimet e Huaja Direkte.

Nga vendet e rajonit, destinacioni më i preferuar për investitorët është Sllovenia, e cila renditet në pozicionin e 62. Dy vende pas saj është Bullgaria, ndërsa Serbia është e 73-a në renditje nga e 78-a një vit më parë, duke u ndjekur menjëherë nga Kroacia.

Për të mirë a për të keq, njohja e markës ndikon ndjeshëm kur konsumatorët blejnë një produkt. E njëjta vlen edhe kur kompanitë marrin në konsideratë destinacionin e ardhshëm për të investuar. Megjithëse është e vështirë të masësh ndikimin e saktë të këtyre perceptimeve tek Investimet e Huaja Direkte, studimi i kompanisë konsulente Brand Finance synon të heqë paralele mes vendeve që kanë marka më të vlefshme dhe atyre që tërheqin më shumë investitorë.

Sipas raportit, SHBA janë marka më e vlefshme për 2016-n, duke vijuar të ruajnë dominancën. Brand Finance ia atribuon suksesin e saj të vazhdueshëm ekonomisë së shkallës së vendit, sistemit të lartë arsimor që është lider në botë dhe “fuqisë së butë që vjen nga dominanca e saj në industritë e muzikës dhe të zbavitjes”. Në vend të dytë dhe të tretë vijojnë të mbeten përkatësisht Kina dhe Gjermania, ndërsa Britania e Madhe ka kaluar në vend të pestë, duke ia lënë vendin Japonisë. Më pas, në dhjetëshe janë Franca, India, Kanadaja, Italia dhe Australia.

Pakistani ishte një nga vendet me rritje më të shpejtë të vlerës së markës, me një zgjerim prej 41%. Pakistani ka zbatuar një sërë reformash ekonomike të mbështetura nga pagesat e mëdha nga FMN. Raporti shpjegon se “çmimet e ulëta të naftës vazhduan të punonin në favor të vendit, por ashtu dhe përmirësimi i sigurisë”.

Një nga shtetet që pa një rënie më të madhe të vlerës së markës ishte Turqia, me tkurrje prej 29%. Kjo ka ardhur si rrjedhojë e destabilitetit pas grushtit të dështuar të shtetit, që provokoi një reagim të fortë nga qeveria. Hyrja në Bashkimin Europian nuk ka të ngjarë të ndodhë në të ardhmen e afërt. Për më tepër, përfshirja e diskutueshme e Turqisë në Siri, së bashku me sulmet e vazhdueshme terroriste nga i ashtuquajturi Shteti Islamik, po dëmtojnë tërheqjen e vendit për investitorët.

nation brands

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of