Brenda këtij viti, konsorciumi i Shah Denizit do të vendosë se cili do të fitojë të drejtën për të çuar gaz në Bashkimin Europian.
Pas skualifikimit të gazsjellësit ITGI (Turqi – Itali- Greqi), Shqipërisë nuk i mbetet gjë tjetër, veçse të rrisë lobimin dhe të bëjë gati “terrenin” për të pritur si duhet gjigantin e Azerbajxhanit.
Shqipëria sapo shënoi një fitore në “betejë” për të çuar gazin e Azerbajxhanit në Europë, ndërsa do t’i duhet ende të presë për të mësuar nëse përfundimisht do të renditet mes fitimtarëve.
Ekspertët shqiptarë e kishin parashikuar se projekti rival ITGI, pra ai që synonte të kalonte mes Turqisë, Italisë dhe Greqisë nuk do të ishte favorit, pasi rrezikohej nga kriza financiare,
por jashtë parashikimeve doli koha kur ky vendim u bë publik. Ishte menduar muaji prill, ndërsa konsorciumi i Shah Denizit e dha atë vetëm pak ditë më parë. Tani TAP (Trans Adriatik Pipeline),
projekti i gazit që përfshin Shqipërinë si pikë kalimi, do të “ndeshet” me Nabucco, që fillon nga Turqia deri në Austri. Shpresat janë rritur, ndaj dhe përgatitjet për të bërë gati terrenin duhet të intensifikohen.
Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës së bashku me Sekretariatin e Energjisë në Vjenë ka aplikuar për një fond për kryerjen e një studimi fizibiliteti, për përdorimin e gazit në të gjithë Ballkanin Perëndimor,
pra për krijimin e unazës rajonale të gazit. Me anë të këtij studimi do të qartësohen çështje që kanë të bëjnë me rrugën që do të ndjekë gazi, sektorët prioritarë që do të përfitojnë, si dhe mënyrën se si do të shpërndahet.
Drejtori i Integrimit Europian, në Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Dorian Duçka, thotë se e gjithë kjo do të revolucionalizojë sektorin e gazit në Shqipëri. Me pak fjalë, kjo përkthehet në përfitime ekonomike,
që nuk lidhen vetëm me të ardhurat që do të merren nga taksat e kalimit të gazit, por do të bëjnë që më në fund Shqipëria të nisë të përdorë një burim të ri energjie, me kosto më të ulët.
Një dritare e re
Projekti TAP (Trans Adriatik Pipeline) pak ditë më parë mori një lajm pozitiv për garën që u hap më 1 tetor të vitit 2011, në Baku të Azerbajxhanit.
Nga tri kompani konkurrente për të transmetuar gazin e Detit Kaspik drejt Europës, Nabucco, Tap (Trans Adriatik Pipeline) dhe ndërlidhësi Turqi-Greqi-Itali, që pothuajse kishte të njëjtët përmasa prodhuese dhe transmetuese sa TAP, mbetën dy.
Me skualifikimin nga gara të projektit ITGI, TAP-it iu hap një dritare e re për të filluar negociata më të specifikuara me konsorciumin e Shah Denizit dhe me Italinë dhe Greqinë.
“Deri diku ishte parashikuar skualifikimi, jo vetëm për shkak të krizës financiare që ka mbërthyer kryesisht Greqinë, por edhe për faktin se Projekti TAP ka mbështetjen financiare më solide se dy projektet (ITGI dhe Nabucco).
Është 100% projekt komercial, pra nuk flitet për investime me fonde publike apo me subvencione shtetërore, por nga kompani gjigante, si zvicerania EGL, norvegjezja Statoil dhe gjermania “E.ON Ruhrgas”,
te të cilat beson jo vetëm Shah Deniz, por edhe i gjithë tregu.
Nga ana tjetër, zyrtarë të TAP kanë ftuar edhe kompani të tjera të bashkëpunojnë, si “British Petroleum,” francezen “Total” apo edhe kompania e gazit dhe e naftës së Azerbajxhanit, “Socar”.
Tani pritet që të nënshkruhet një marrëveshje ndërqeveritare mes Shqipërisë, Greqisë dhe Italisë, ndërkohë që vendi ynë ka avancuar në negociatat me projektin TAP (që nisën në nëntor të vitit 2011).
Që në fillimet e negociatave me palën shqiptare, drejtori i konsorciumit TAP, z. Kjetil Tungland tha se “Shqipëria do të jetë arsyeja që do të fitoj TAP-i”.
Vendi ynë ka një rol të rëndësishëm gjeopolitik, pasi e bën më të mundshëm ekonomikisht këtë projekt dhe në aspektin e fizibilitetit është më shumë i mundshëm e më pak i vështirë.
Një tjetër avantazh i Shqipërisë ka të bëjë me faktin se është pika ku takohet projekti TAP me IAP (Ioanian-Adriatic Pipeline), i cili ka arritur të sigurojë fondet për të kryer studimin e fizibilitetit.
“Ministria do të nisë një axhendë të ngjeshur diplomatike me vendet ku kalon ky projekt, për t’u krijuar mundësia për nisjen e menjëhershme të tij pas përfundimit të studimit të fizibilitetit.
Takimi i dy projekteve do të krijojë një sinergji dhe në këtë mënyrë, Shqipëria do të kthehet në një superfuqi sa i takon gazit”, thotë z. Duçka.
Në të njëjtën kohë, roli i Shqipërisë pritet të rritet edhe më tej pasi vendi ka depozita gazi që mundësojnë kursimin e qindra miliona euro.
“Kjo fitore, deri-diku është edhe një meritë e shtetit shqiptar që ka kryer një diplomaci mjaft efikase. Janë një sërë masash që janë marrë si në përmirësimin e legjislacionit, klimës së të bërit biznes apo në thithjen e investimeve të huaja.
Konsorciumi Shah Deniz e sheh Shqipërinë, jo vetëm si një pikë transiti, por ndoshta edhe si një qendër e transportit të gazit në rajonin e Ballkanit Perëndimor”, thotë z. Duçka.
Në muajt në vijim do të pritet për shpalljen e projektit fitues që do të çojë gazin drejt Europës. Por, edhe pse vendimi i Shah Denizit për të investuar rreth 30 miliardë euro në platformat e Detit Kaspik do të merret në vitin 2013,
konsorciumi TAP ka planifikuar të nisë përgatitjet paraprake për marrjen me qira ose shpronësimet në zonat ku do të kalojë gazsjellësi. “Do të nisë rehabilitimi i qindra rrugëve nga ku do të kalojë rrjeti.
Në momentin që do të merret vendimi, brenda këtij viti do të nisë puna paraprake nga ana e këtij konsorciumi. Për Shqipërinë, kjo do të thotë më shumë vende pune dhe thithje e investimeve të huaja.
Ky projekt do t’i japë një pamje të re politikës energjetike në Ballkanin Perëndimor”, thotë drejtori i Integrimit Europian, në Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Dorian Duçka.
Qeveria shqiptare është shprehur se do të krijohet një komitetet për gazifikimin e vendit dhe strukturat kanë nisur përpjekjet se si mund të përfitojmë nga mundësia e kalimit të gazsjellësit.
Banka Botërore ka planifikuar se rreth vitit 2020, nevojat e Shqipërisë për gaz do të llogariten në rreth 1 miliard metër kub. Tashmë, me ndihmën edhe të kompanisë konsulente që është pajtuar për lotimin e Shqipërisë,
gjermania “Roland Berger” po punon për hartimin e një plani se si vendi do të përfitojë më shumë nga ky gazsjellës dhe se si mund të kthehet jo vetëm në një pikë transiti, por edhe në një nyjë të rëndësishme për tregun e gazit.
Rruga e gazit
TAP ose siç njihet ndryshe si tubacioni Trans Adriatik është një projekt që kërkon të transportojë gaz nga fushat e Azerbajxhanit drejt Bashkimit Europian. Ai është pjesë e Korridorit Jugor të gazit për Europën.
Qëllimi kryesor i këtij projekti është të diversifikohen burimet e energjisë në lidhje me vendet e origjinës së gazit që BE-ja përdor. Sot, Bashkimi Europian përdor rreth 20% të burimeve të gazit që vijnë nga Rusia.
Në kushtet e një kërkese gjithnjë e më shumë në rritje, vendet e BE-së dëshirojnë që të kenë më shumë burime alternative për të mos e siguruar gazin vetëm nga Rusia apo nga Afrika e Veriut.
Në dy-tre vitet e fundit kemi parë se si çështja e gazit është shndërruar edhe në një çështje gjeopolitike ku nuk ka munguar edhe përdorimi i influencës politike. Si në rastin e asaj që u njoh si
“Pranvera arabe”, ngjarjet mes Rusisë dhe Ukrainës etj..Nga ana tjetër rënia e tërmetit në Fukushima të Japonisë shtoi numrin e termocentraleve që përdorin gazin. Janë pikërisht këto arsyet se përse Bashkimi Europian kërkon
të diversifikojë burimet e saj energjetike. Një nga korridoret është pikërisht ai jugor, ku bën pjesë edhe projekti TAP (Trans Adriatic Pipeline) që ka si qëllim të transportojë gazin nga Azerbajxhani në Europë me kosto më të ulët se gazsjellësit e tjerë,
në mënyrë që konsumatori i BE-së ta përfitojë me çmim të leverdisshëm. Gjurma që ndjek ky gazsjellës është rruga më ekonomike dhe ka më pak vështirësi inxhinierike për t’u realizuar.
Në Shqipëri gazsjellësi do të ndjekë këtë gjurmë: do të hyjë në fshatin Miraz, në zonën e Devollit në Korçë, Skrapar, Berat dhe do të përfundojë në Fier. Në Fier do të ndërtohet gazsjellësi nënujor nga kompania “Statoil”,
për ta nxjerrë më pas në brigjet e Italisë në rajonin e Pulias. Bëhet fjalë për një punë të madhe inxhinierike. Në malin e Ostrovicës do të ndërtohet një tunel prej disa kilometrash.
Në rastin se ky projekt do të shpallet fitues, kompania do të ndërtojë dhe do të rehabilitojë disa qindra kilometra rrugë, pasi tubacionet e mëdha të gazit kërkojnë rrugë transporti. Në këtë mënyrë do të përfitohen edhe investime në infrastrukturë.
Konsorciumi TAP do të investojë në Shqipëri rreth 1 miliard euro. Parashikohet të hapen mbi 3,000 vende pune. Përfitime ekonomike do të ketë edhe nga tarifat vjetore që shteti shqiptar do të vendosë.
Kjo është pjesë e negociatave e që parashikohet t’i kalojnë dhjetëra milionë euro. Kjo është edhe arsyeja se përse qeveria shqiptare ka përzgjedhur kompaninë “Roland Berger” si konsulente.
Granti për pajtimin e kësaj kompanie u bë i mundur nga qeveria zvicerane dhe ajo norvegjeze, që kap shifrën qindra milionë euro. Kompania gjermane do të asistojë palën shqiptare gjatë gjithë negociatave deri në dhjetor të vitit 2013.
Avantazhet e Shqipërisë
Vendi ynë ka një pozicion gjeografik mjaft të favorshëm. Projekti TAP, ndryshe nga projektet e tjera, duke kaluar nga vendi ynë është rruga më e shkurtër për të çuar gazin në Europë.
Terreni, por edhe vija bregdetare është e favorshëm dhe teknikisht realizohet me më pak kosto. Shqipëria garanton siguri si vend anëtar i NATO-s. Është një vend që ka një regjim të favorshëm taksash, por edhe tërheqës për investimet e huaja.
Nga ana tjetër vendi ofron edhe mundësinë për të grumbulluar gazin. Në zonën e Dumresë ka zona që mund të përdoren si depozita për gazin që do të kalojë.
Në Shqipëri, kostoja për ta depozituar këtë gaz nën tokë është më e lirë në krahasim me vendet e tjera. Në këtë mënyrë, Shqipëria nuk do të shërbejë vetëm si një vend transit,
por edhe si një vend ku do të ruhet gazi, duke garantuar siguri në rast krize, apo mungesë furnizimi.
Shqipëria, me anë të projektit TAP, do të shndërrohet në një nyje të rëndësishme të furnizimit me gaz në Ballkanin Perëndimor.
Në këto momente është duke u finalizuar studimi i fizibilitetit i një gazsjellësi tjetër i quajtur Ioanian- Adriatic Pipeline. Ky projekt do të ketë një pikë lidhjeje me TAP në Fier dhe do të ketë një rrugëtim me dy nyje,
pra ose mund të sjellë ose mund të dërgojë gaz në Kroaci drejt vendeve si Bosnja, Mali i Zi etj.
Ky do të jetë një zhvillim i madh për një vend që nuk përdor gaz për të përmbushur nevojat e tij. Në këtë mënyrë do të shndërrohet në aktor të rëndësishëm për shpërndarjen e gazit në Ballkanin Perëndimor.
Natyrisht që nga projekti TAP, Shqipëria do të përfitojë me kosto të ulët një pjesë të gazit. Do të mund të përdoret si nga konsumatorët, ashtu edhe industria. Ardhja e gazit do të krijojë një treg të ri të shpërndarjes së gazit natyror.
Në këtë mënyrë do të ketë ndryshime edhe në infrastrukturën e brendshme apo në sektorin e ndërtimit.
Për sa i takon tarifave që do të aplikohen, ato do të negociohen. Për këtë do të ndihmojë kompania konsulente që është pajtuar. Në vitin 2013 do të merret vendimi nga vetë konsorciumi për investimin e ngritjes sw platformave të gazit në Detin Kaspik.
Gazi, burimet në vend
Kapacitetet e prodhimit të gazit në vendin tonë janë në kufij minimal, kjo për pasojë të shterimit të rezervave në vendburimet ekzistuese të gazit natyror.
Aktualisht, vendi ynë ka një prodhim minimal gazi natyror, rreth 10 Milion Nm3, sasi gati e papërfillshme dhe që shërben vetëm për të plotësuar një pjesë të kërkesave të rafinerive dhe proceseve teknologjike të industrisë së naftës.
Rezervat e gazit në vendburimet e njohura të gazit natyror e të naftës të vendit tonë llogariten të jenë 3 miliardë e 630 milion m3N.
Ato i përkasin vendburimeve natyrore dhe vendburimeve të naftës e gazokondensatit.
Gjithsesi prodhimi vendas i gazit është parashikuar në një nivel minimal, bazuar në shfrytëzimin e vendburimeve ekzistuese të gazit natyror dhe të naftës.
Aktualisht numri i puseve me gaz natyror llogaritet në rreth 20 dhe prodhimtaria e tyre është minimale, nga 300 – 200 Nm3 në ditë.
E vetmja mundësi konkrete për rritjen e prodhimit të gazit është shpimi i një pusi në Delvinë, që kërkon një investim prej 8 milionë dollarë.
Sipas të dhënave të Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore, rezervat e gazit në vendin tonë kanë pësuar rënie drastike qysh nga viti 1985,
duke arritur kulmin pas viteve 1990, si pasojë e mos zbulimit të vendburimeve të reja dhe mungesës së investimeve në vendburimet ekzistuese.
Rrjeti i gazsjellësve ne vendin tonë ka një gjatësi rreth 498 kilometra dhe lidh të gjitha vendburimet e gazit (Povelcë, Divjakë, Frakull, Panaja dhe Delvinë,) me konsumatorët të përqendruar në Fier,Vlorë, Elbasan, Lushnjë, Ballsh dhe Durrës.
SHIFRA
1 miliard m³ gaz parashikohet nevoja për gaz e Shqipërisë në vitin 2020
1 miliard euro parashikohet të financojë projekti TAP në vendin tonë
FJALI VEÇ
Avantazhi
Konsorciumi Shah Deniz e sheh Shqipërinë, jo vetëm si një pikë transiti, por ndoshta edhe si një qendër e transportit të gazit në rajonin e Ballkanit Perëndimor
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.