Borxhi i Shqipërisë për t’u paguar në monedhën vendase në raport me PBB-në, vetëm për vitin 2013 është rreth 17% e PBB-së….
Shqipëria ka nivelin më të lartë të borxhit bruto në rajon (duke përjashtuar garancinë), në gati 60% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, i cili ka ardhur vazhdimisht në rritje në tre vitet e fundit. Ajo ka gjithashtu borxhin më të lartë për t’u paguar në monedhën vendase në raport me PBB-në, në rreth 17% të PBB-së, nga 7% që është ky tregues për shtetin e dytë pas Shqipërisë, që është Maqedonia me 7%. Të dhënat bëhen të ditura në raportin e Bankës Botërore, “Evropa Juglindore: Raporti i Zhvillimeve Ekonomike: Nga recesioni i dyfishtë tek rimëkëmbja e brishtë”. Kombinuar dhe me faktin që pjesa më e madhe e tij është afatshkurtër, Banka Botërore paralajmëron se borxhi publik afat-shkurtër vendas e ekspozon qeverinë ndaj rrezikut të rinovimit të borxhit.
Sipas Bankës Botërore, borxhi publik është rritur në të gjithë vendet e EJL6 për vitet e fundit.
Mesatarisht, borxhi i përgjithshëm qeveritar (përjashtuar garancitë dhe faturat e bankave qendrore) u rrit nga 37 për qind e PBB në fund të vitit 2011 në 42 për qind në fund të vitit 2012. Rritja e Serbisë ishte rreth 12.5 pikë përqindje, nga 39.7 në 52.2 përqind të PBB përjashtuar garancitë(duke përfshirë garancitë borxhi publik bruto i Serbisë ishte mbi 60 përqind në 2012). Më tej, Shqipëria e ndryshoi ligjin për të qenë në gjendje të kapërcente tavanin e borxhit të saj prej 60 për qind të PBB. Megjithatë vlerësimet e kredisë sovrane kanë qenë të qëndrueshme në gjithë rajonin që nga mesi i 2012 me përjashtim të IRJ Maqedonisë që kohët e fundit pati një ulje të vlerësimit në BB.
Borxhi i garantuar nga shteti është problem për disa vende dhe vazhdon të rritet. Borxhi i garantuar është mbi 11 për qind e PBB në Malin e Zi dhe mbi 8 për qind në Serbi. Ndërkohë që garancitë mbeten nën 5 për qind e PBB në Shqipëri, Maqedoni dhe Malin e Zi, ato të gjitha duket që po ngrihen ngadalë. Kosova lëshoi kohët e fundit një garanci për Kompaninë e Transmetimit të Energjisë KOSTT, por garancitë e saj janë më pak se 0.2 për qind e PBB. Garancitë në Bosnjë dhe Hercegovinë janë rreth 0.8 për qind e PBB.
Borxhi afat-shkurtër, veçanërisht në monedhat vendase, ka arritur të mbizotërojë portofolin e borxhit të disa vendeve. Edhe pse në fund të vitit 2012 dy të tretat e borxhit të brendshëm të IRJ të Maqedonisë kishte afat maturimi deri në fund të vitit 2013, autoritetet arritën gjatë gjysmës së parë të vitit 2013 të zgjasin maturitetin e borxhit të brendshëm në mënyrë drastike duke zvogëluar shumën në bono thesari me maturim tre mujor, dhe duke rritur ato me maturim 6 mujore dhe 12 mujor, si dhe duke emetuar bono te reja thesari me afat 3 dhe 5 vjeçar. Gati gjysma e borxhit vendas të Shqipërisë maturohet brenda fundit të vitit. Vetëm rreth një e treta e borxhit në monedhën vendase të Serbisë e ka afatin deri në fundin e vitit dhe borxhi afat-shkurtër po ulet: 37 për qind e bonove të thesarit dhe obligacioneve të lëshuara në tregun vendas në 2013 janë për 53 javë ose më pak, krahasuar me më pak se gjysmën në 2012. Të gjitha bonot e thesarit dhe obligacionet që Bosnja dhe Hercegovina ka lëshuar në 2013 kanë qenë afat-shkurtër, krahasuar me 57 për qind në 2012.
Shumica e instrumenteve të borxhit të jashtëm publik të EJL6 kanë maturitet të gjatë. Asnjë vend nuk ka më shumë se 8 për qind të borxhit të tij total në monedhë të huaj (FX) për të paguar në 2013 dhe Bosnja dhe Hercegovina, Kosova nuk kanë fare. IRJ e Maqedonisë ka Euro 175 milion borxh në valutë të huaj që maturohet në vitin 2013 edhe pse është marrë në fillim të janarit 2013.
Megjithatë disa vende po përdorin instrumentet afatshkurtra të denominuara në monedhë të huaj. Kombinimi borxhit afat-gjatë me borxhin vendas afat-shkurtër ka ndihmuar në kufizimin e ekspozimit të drejtpërdrejtë të qeverisë ndaj rrezikut të paqëndrueshmërisë së kursit të këmbimit dhe për tu dhënë bankave vendase mundësinë të investojnë në instrumente borxhi afat-shkurtër.
Shumë nga borxhi publik afat-shkurtër është blerë nga bankat vendase, duke u mundësuar atyre që kanë aktive likuide të fitojnë interes më të madh se ai që paguajnë bankat qendrore mbi depozitat. Në një kohë kur depozitat e bankave private po rriten më shpejt se kreditë, shumë banka tregtare mirëpresin mundësinë për të fituar kthime më të larta diku tjetër.
Megjithatë, borxhi publik afat-shkurtër vendas e ekspozon qeverinë ndaj rrezikut të rinovimit të borxhit. Megjithëse bankat tregtare aktualisht kanë likuiditet dhe tendencë të rinovimit të borxhin publik afat-shkurtër, një ndryshim në mjediset e jashtme ose të brendshme financiare ose ekonomike mund të reduktojë gatishmërinë e tyre për ta bërë. Prandaj do të ishte e mençur të merreshin në konsideratë të gjithë këto rreziqe kur hartohen politikat fiskale dhe të borxhit, këshillon Banka Botërore.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.