Shqipëria me shpenzimet më të larta nga xhepi për shëndetësinë në Europë

19/02/2019 9:53 AM 0 komente

Shqiptarët rezultojnë se kanë barrën më të lartë financiare, që u referohet shpenzimeve nga xhepi që familjarët paguajnë direkt për sigurimin e shërbimeve shëndetësore, sipas të dhënave të Eurostat dhe Bankës Botërore.

Sipas Eurostat, në vitin 2017, më shumë se gjysma e popullsisë (55%) në Bashkimin Europian (BE) raportuan se shuma që familja e tyre duhej të paguante për kujdesin mjekësor nuk përfaqësonte një barrë financiare. Nga ana tjetër, 34% thanë se shpenzimet e kujdesit shëndetësor ishin disi një barrë financiare, ndërsa 11% i perceptojnë këto shpenzime si një barrë të rëndë financiare në buxhetin e familjes.

Nga rajoni, raporti përfshin të dhëna për Maqedoninë e Veriut, ku përqindja e atyre që deklarojnë se shpenzimet e kujdesit shëndetësor janë një barrë financiare është 28.3%, më se dy herë më e lartë sesa mesatarja europiane. Në Serbi, kjo peshë është më e ulët, në rreth 15%.

Të dhënat për Shqipërinë mungojnë, por një raport i mëparshëm i Bankës Botërore bën të ditur se shpenzimet nga xhepi për shëndetësinë janë një barrë për 57% e shqiptarëve, përqindje që sipas Bankës është më e larta në Europë dhe në nivelin e vendeve me të ardhura të ulëta si dhe shumë më e lartë se Europa Qendrore dhe vendet Baltike, që e kanë këtë tregues në 23%. Pas Shqipërisë në rajon renditet Mali i Zi (me rreth 32%), Bosnja, e ka këtë tregues gati 29%, sipas Bankës Botërore, ndërsa të dhënat për Kosovën mungojnë.

Në botë, vendet që paguajnë më shumë nga xhepi për kujdesin shëndetësor janë Armenia, Jemeni, Azerbajxhani, me rreth 80% të të anketuarve, që e raportojnë se e kanë një barrë të lartë financiare.

Sipas Eurostat, nga vendet e BE-së, 13% e të anketuarve kanë pohuar se kanë një barrë të lartë financiare blerjen e ilaçeve, 17% për shërbimet dentare, dhe 13% të paguajnë për shëndetësinë. Qipro, Bullgaria, Italia, Letonia janë shtetet që raportojnë kosto më të lartë për shërbimet shëndetësore dhe ato dentare. Ndërsa blerja e barnave është barrë më shumë për polakët, qipriotët, bullgarët.

Një tjetër raport i Komisionit Europian për cilësinë e jetës e rendit Shqipërinë si vendin me papërballueshmërinë më të lartë për shërbimet dentare. Sipas Anketës Europiane të Cilësisë së Jetës, të Komisionit Europian, 77%  e të anketuarve shqiptarë u përgjigjën se e kanë shumë të vështirë që të përballojnë shërbimet e përkujdesit dentar, duke u renditur të parët në Europë. Pas Shqipërisë renditet Greqia, ku 68% e të anketuarve kanë thënë se e gjejnë të vështirë apo shumë të vështirë që të përballojnë përkujdesjen dentare në vend. Me gjithë atë kanë një diferencë me 10 pikë përqindje në krahasim me Shqipërinë.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Burimi: Eurostat, Banka Botërore për Shqipërinë, Bosnjën, Malin e Zi

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of