Shqipëria, me vdekjet më të larta në Europë për shkak të diabetit

14/11/2018 12:42 PM 0 komente

Sot është Dita Ndërkombëtare e Sëmundjes së Diabetit, sëmundje e cila vlerësohet se është shkaktari i shtatë i vdekjeve në botë. Të dhënat tregojnë se në Shqipëri, numri i vdekjeve të shkaktuara nga kjo sëmundje është më e lartë se në çdo vend tjetër të Europës. Sipas përllogaritjeve të Monitor në 2017-n numri i vdekjeve të shkaktuar nga sëmundjet endokrine të lidhura me ushqimin ishte 110 për 1 milion banorë.

Në këtë grup përshihen edhe sëmundje të tjera që lidhen me sistemin endokrin, por sipas mjekut endokrinolog, Dashamir Gjergji, peshën më të madhe e kanë të sëmurët me diabet. Në raportin Shëndetësor të Ministrisë në 2014, thuhej se niveli i vdekjeve nga diabeti ishte trefishuar në vend.

Kjo rritje e trefishtë e nivelit të vdekshmërisë nga diabeti, sipas raportit, vjen për shkak të nivelit të lartë të glukozës, dietës jo të shëndetshme, obezitetit dhe inaktivitetit fizik.

Barra e diabetit mellitus pothuajse është dyfishuar në Shqipëri në të dy gjinitë gjatë dy dekadave të shkuara. Te meshkujt u vërejt një rritje prej 96% të DALY-t nga diabeti, ndërsa te femrat rritja ishte 85%, shkruhet në raportin e Ministrisë.

Për mjekun Dashamir Gjergji, ky numër kaq i madh jo vetëm në vendin tonë, por ngado, vjen nga shumë shkaqe, ku më kryesoret janë: Mosvajtja për kontrolle periodike mjekësore, orientimi joracional drejt grupeve të riskut si edhe sensibilizim jo optimal dhe mosreagim të popullatës ndaj këtyre informacioneve.

Europa Juglindore më e prekura

Të dhënat e Eurostat për normën e vdekjeve të shkaktuara nga diabeti tregojnë se vendet e Europës Juglindore janë më të prekura. Vendi me normën më të lartë pas Shqipërisë për vdekjet nga diabeti është Qipro, ku në 2015-n llogariteshin 65 vdekje për 1 milion banorë. Pas Qipros renditet Turqia me 49 vdekje për 1 milion banorë, Malta me 46 për 1 milion dhe Serbia me 44 për 1 milion banorë (shiko grafikun).

Ndërsa vendet me normën më të ulët të vdekjeve me shkaktar diabetin e kanë vendet e Europës së Veriut dhe Perëndimore. Normën më të ulët e mban Lihtenshtajni, ku sipas të dhënave të Eurostat numri i vdekjeve për 1 milion banorë ishte 2.65, pasuar nga Finlanda me 8 vdekje për 1 milion banorë.

Burimi: Eurostat për vendet e BE-së, INSTAT për Shqipërinë (të dhënat për Shqipërinë i referohen vdekjeve të shkaktuara nga sëmundjet endokrine që kanë lidhje me të ushqyerin, ku sipas mjekëve specialistë peshën më të madhe e zënë vdekjet e shkaktuara nga diabeti)

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of