Me mbi 20% të kredive të pakthyera në banka, Shqipëria renditet në mesin e 25 vendeve me nivelin më të lartë të kredive me probleme në botë.
Në Raportin e Tranzicionit të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) mësohet se fenomeni i kredive të pakthyera është përqendruar kryesisht në Europë dhe sidomos në vendet në zhvillim.
Nga 25 shtetet problematike në botë me kthimin e huave, 16 prej tyre janë nga Europa dhe rajoni i Ballkanit.
Por siç shpjegohet nga grafiku që ka dhënë BERZH, Shqipëria hyn në mesin e vendeve me nivel të lartë të NPL-ve. Gjithsesi, problemi ka hyrë në një trajektore pozitive pasi në 12 muajt e fundit, niveli i NPL-ve ka pësuar ulje me të paktën 3 pikë përqindjeje.
Kazakistani shihet të jetë shembulli më i mirë në reduktimin e NPL-ve, pasi në 12 muajt e fundit ka arritur të tkurrë kreditë me probleme nga më shumë se 30% në 10%. Ulje të NPL–ve gjatë këtij viti kanë shënuar edhe Maqedonia, Mali i Zi dhe Republika Sllovake.
Por për disa vende të tjera të rajonit, fenomeni i moskthimit të kredive ka vijuar të përkeqësohet. Huat me probleme u rritën vitin e fundit me 5 pikë përqindjeje në Serbi, duke shkuar në mbi 30% nga 25% që ishin. Rritje të madhe vjetore me mbi 6% shënuan edhe huat me probleme ne Ukrainë. Ndërsa rritje deri në 3% shënuan huat e këqija në Armeni, Rusi, Azerbajxhan, Moldavi dhe Turqi.
Shqipëria aktualisht po zbaton një plan për uljen e NPL-ve që synon që në periudhë afatmesme të çojë treguesin në nivelin e 16%.
Sipas të dhënave të tjera krahasuese të Bankës Botërore, dy shtetet me nivelin më të lartë të kredive me probleme në botë janë Qipro dhe San Marino, që e kanë këtë tregues mbi 40%.
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Genti Sejko, komentoi se ecuria e sistemit financiar në Shqipëri ka një sërë paralelesh me ecurinë e sistemit financiar në vendet e rajonit. Sektori bankar është aktori kryesor i sistemit financiar, i cili ka në pronësi të tij mbi 90% të aktiveve financiare totale. Kredia bankare pati rritje të shpejtë në harkun kohor 2004-2008, duke kaluar nga niveli 8% në nivelin 35% të PBB-së. Periudha pasuese shfaqi ngadalësim të dukshëm të ritmit të rritjes së kredisë dhe raporti i saj ndaj PBB-së qëndron aktualisht rreth nivelit 36%. Po kështu, kreditimi në Shqipëri pati tendenca të forta euroizimi në periudhën para krizës, ku afërisht tre nga katër kredi ishin në valutë, ndërkohë që kjo tendencë ka shfaqur përmirësim të dukshëm në periudhën vijuese, ku raporti i kredisë në lekë ndaj totalit arriti rreth nivelit 40%. Së fundi, trajektorja e kredive me probleme ka pasur ecuri të ngjashme me vendet e rajonit. Periudha pas krizës u shoqërua me një rritje të shpejtë të këtyre kredive; raporti i tyre ndaj kredisë totale kulmoi rreth nivelit 25% në vitin 2014 dhe ka ndjekur më pas një tendencë të qartë rënëse.
Nga ana tjetër, sistemi financiar në Shqipëri ka dhe specifikat e veta. Një tipar pozitiv që vlen të përmendet është fakti se aktiviteti i sektorit bankar në Shqipëri bazohet në burimet e brendshme të financimit. Aktualisht, raporti i kredive ndaj depozitave luhatet rreth nivelit 50% dhe sektori bankar karakterizohet nga një situatë e lartë likuiditeti, sidomos në valutë. Ky tipar ka mbrojtur Shqipërinë nga luhatjet e flukseve financiare botërore. Në ndryshim nga shumë vende të rajonit, tërheqja e fondeve bankare nga Shqipëria ishte sporadike dhe relativisht e kufizuar. Po kështu, niveli i lartë i investimeve në vend është mbështetur në një masë të konsiderueshme nga Investimet e Huaja Direkte. Në periudhën pas krizës, këto investime janë luhatur rreth nivelit 8% të PBB-së dhe kanë përbërë një amortizues të ndjeshëm të ngadalësimit të kredisë bankare.
Shqetësim, rënia e të ardhurave
Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) ka publikuar raportin e tranzicionit 2015-2016. Për Shqipërinë, BERZH ka konfirmuar pritshmërinë për rritjen ekonomike prej 2.3% në 2015-n, për t’u përshpejtuar në 3.3% vitin e ardhshëm.
BERZH thekson se vendi ka stabilitet makroekonomik, por të ardhurat nga taksat kanë rënë poshtë pritshmërive. Raporti e vë theksin te sfida për të adresuar në mënyrë urgjente informalitetin.
Raporti vlerëson përparimin e reformës në sektorin e energjisë dhe thekson se ligji i ri është një hap vendimtar përpara në rrugën e gjatë drejt qëndrueshmërisë së energjisë.
Po punohet për zgjidhjen e huave me probleme (NPL) dhe po zbatohet një plan domethënës, që duhet të ndihmojë në kthimin e besimit dhe rritjen e kredisë në sistem.
Në veprimet prioritare që duhen ndërmarrë për vitin 2016, BERZH e vë theksin në rritjen e përpjekjeve nga autoritetet për të reduktuar informalitetin, të cilat janë të mirëpritura. “Informaliteti pengon zhvillimin e biznesit të ligjshëm, si dhe ndrydh të ardhurat nga taksat”.
Një zbatim i suksesshëm i Planit të NPL-ve është kritik për kthimin e rritjes së kredisë, thotë BERZH, duke nënvizuar se duhen më shumë përpjekje për të ulur NPL-të në nivele të pranueshme.
BERZH pohon se duhet nxitur përfshirja e sektorit privat në energji dhe infrastrukturë, por duke menaxhuar me kujdes rreziqet fiskale.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.