Ekonomia e vendit ka vënë në punë vetëm 66% të kapaciteteve investuese këtë vit, por disa sektorë po vuajnë pasojat e mbiinvestimeve të bëra gjatë viteve të kaluara. Vetëm Shoqata e Hidrokarbureve raporton se ka investuar 350 milionë euro në kapacitete depozitimi të panevojshme. Industria e prodhimit të tullave dhe çimentos kanë angazhuar 300 milionë euro investime, ku shfrytëzohet vetëm gjysma e tyre. Tregtia me pakicë po vuan nga përqendrimi i lartë i qendrave tregtare në Tiranë-Durrës. Si po rrezikohet ekonomia, nga çmimet te pagat prej hendekut të lartë të prodhimit
Blerina Hoxha
Teksa ekonomia shqiptare është duke u rritur nën potencial, shumë sektorë po vuajnë nga mbiinvestimet e larta. Disa linja të tregut kanë investuar aq shumë në zgjerimin e kapaciteteve të prodhimit dhe depozitimit, saqë edhe një rikthim hipotetik i vrullshëm i konsumit si para krizës nuk do të shfrytëzonte tërësisht potencialet e tyre. Superinvestimet erdhën nga zhvillimet e shpejta të disa sektorëve brenda një kohe të shkurtër, të tilla si ndërtimi dhe zinxhiri që lidhet me të dhe nga konkurrenca e pakontrolluar ndërmjet operatorëve në linja të tjera të prodhimit dhe shërbimeve.
Kriza e ekonomike e 2008-s e ka sjellë ekonominë shqiptare në një normalitet të ri, ku rritja ekonomike e para gjashtë viteve (6%) as nuk mund të ëndërrohet dhe mbajtja e konsumit mbi zero konsiderohet zhvillim pozitiv. Në këto kushte, as kapacitetet normale të investimeve nuk po shfrytëzohen. Në fund të tremujorit të parë të këtij viti, norma shfrytëzimit të investimeve ishte 66.3 me ulje 9% në krahasim me 2011, sipas raportimeve nga Banka e Shqipërisë. Edhe gjatë periudhës së “artë”, 2007-2008, norma e shfrytëzimit të investimeve nuk ka qenë më shumë se 76%.
Banka e Shqipërisë dhe ekspertët e saj shpjegojnë se përdorimi i dobët i kapaciteteve është sinjali më i qartë për rritjen e dobët ekonomike në periudhën afatmesme. Rritja e hendekut të prodhimit lajmëron se ekonomia nuk ka nevojë për investime të reja dhe vende pune shtesë në një hark kohor trevjeçar. Nga këto ngjarje, zhvillimet ekonomike duket se kanë rënë në rreth vicioz, pasi mosshfrytëzimi i kapaciteteve është bërë shkak për dobësitë në konsum, i cili nga ana e vet, po i kthehet biznesit në bumerang për shitjen e produkteve. Mosshitja e produkteve nuk gjeneron të ardhura dhe për pasojë, biznesi nuk ka nevojë të rrisë prodhimin.
350 mln euro mbiinvestimet në depozitat e karburanteve
Vetëm sektori i naftës llogarit 350 milionë euro mbiinvestime në linjat e depozitimit. Këto vlera monetare tashmë të investuara nuk po shfrytëzohen. Të nxitur nga disa projekte të mëdha energjetike të prezantuara nga ish-qeveria Berisha para viteve 2008, tregtarët e mëdhenj të karburanteve rritën kapacitetet depozituese. Luigj Aliaj, nga Shoqata e Hidrokarbureve, pohon se depozitat e sektorit privat të hidrokarbureve janë aktualisht të mjaftueshme për të rezervuar 820 mijë tonë. Konsumi i hidrokarbureve në një vit llogaritet në mes 550 dhe 600 mijë tonëve. Aliaj shpjegon se kriteret që ndjek tregu në rajon dhe më gjerë për kapacitetet e depozitimit është sa një e dhjeta e konsumit. Në këtë logjikë, grosistëve shqiptarë u takon të mbajnë rreth 70 mijë tonë kapacitete depozituese, por në fakt ato janë sa dhjetëfishi.
Ndërtimi i 1000 tonëve depozitë naftë kushton 500 mijë euro. Shoqata e Hidrokarbureve pohon se 750 mijë tonë kapacitete nuk janë në shfrytëzim dhe investimet në to janë 350 milionë euro. Në Durrës, në zonën e Porto Romanos, janë të instaluara 600 mijë tonë depozita, në Vlorë 150 mijë tonë dhe në Shëngjin, mbi 70 mijë tonë. Burimet zyrtare nga sektori i hidrokarbureve bëjnë me dije se në dekadën e fundit janë investuar rreth 4 miliardë euro në infrastrukturën portuale, kapacitete depozituese dhe në rrjetin e distribucionit të hidrokarbureve. Por investitorët pohojnë se 10% e këtyre investimeve nuk shfrytëzohen.
Ligji për hidrokarburet detyron grosistët e naftës të mbajnë rezerva sigurie në atë masë sa të mund të sigurojnë konsumin e 90 ditëve. Kompanitë e sektorit, në çdo pesë vjet, detyrohen të hartojnë një plan të detajuar për mirëmbajtjen e kapaciteteve ekzistuese, si dhe të bëjnë shfrytëzimin e instalimeve, në përputhje me rregullat dhe standardet teknike të përcaktuara në legjislacionin në fuqi.
Prodhimi i tullave, investimet, tepër 50 mln euro
Kur sektori i ndërtimit u rrit me ritme dyshifrore në mes të viteve 2000, shpërthyen bizneset e sektorit dhe zinxhiri i lidhur me të. Prodhimi i tullave, çimentos, nga njëra anë, dhe tregtia e hidrosanitareve e materialeve të tjera të ndërtimit nga ana tjetër, u zgjeruan pa marrë në konsideratë perspektivën afatgjatë të sektorit. Vetëm në industrinë e prodhimit të tullave llogariten 50 milionë euro të investuara tepër. Në katër vitet e fundit kanë falimentuar 6 fabrika thotë Vahid Ruli, kryetar i Shoqatës së Industrisë së Prodhimit të Tullave. Ndërtimi i një fabrike kushton rreth 8 milionë euro. Në dy dekadat e fundit janë ndërtuar 11 fabrika, me vlerë investimi rreth 100 milionë euro, nga të cilat 6 kanë falimentuar dhe 5 janë ende në aktivitet. Ruli shpjegon se edhe ato që janë në punë po punojnë nën kapacitetet e investimit prej kërkesës së dobët dhe kostove në rritje. Ruli shpjegon se, industria pa vuan nga çmimet e larta të energjisë, rritja e taksave dhe rënia e kërkesës, faktorë që po çojnë në mbijetesë fabrikat që aktualisht janë në punë.
Fabrikat e prodhimit të tullave, jo vetëm që kanë ulur prodhimin, por kanë reduktuar ndjeshëm çmimet.
Shkaqet e rënies së shitjeve, sipas administratorit të kompanisë Kid ALB, lidhen me ndalimin e ndërtimeve, kostot e larta të aktivitetit të këtij lloj sektori, si dhe krizën ekonomike që prej vitesh ka përfshirë të gjithë.
Ai tregon më tej për “Monitor” se fabrikat e tullave në vend punojnë duke shfrytëzuar 30-40% të kapaciteteve të tyre, madje edhe pezullojnë aktivitetin, pasi rreziku i mbiprodhimit mbetet i lartë.
Sipas të dhënave të marra nga operatorët vendas, volumi i prodhimit ditor ka rënë ndjeshëm. Nëse u referohemi shifrave të 4 viteve më parë, ata pohojnë se prodhimi në total arrinte 4000 tonë/ditë, ndërsa tani shifrat sugjerojnë deri në 2000-2500 tonë/ditë dhe ka raste që mbeten stok. Kompanitë tregojnë se prodhimi ka rënë sidomos dy vitet e fundit (2014 dhe 2015), gjatë kësaj periudhe ata prodhuan vetëm sipas nevojës së tregut, tashmë në ngërç.
Kjo situatë shoqërohet me prodhimin nën kapacitet të secilës fabrikë në vend, si dhe reduktimin e kohëzgjatjes së punës, në 4-5 muaj në vit.
Çimentoja, me 50% të kapacitetit
Në një kohë kur në vend po shtohet numri i fabrikave të çimentos, për menaxherët rritet shqetësimi i mbingopjes së tregut.
Operatorë kanë shpjeguar se, tregu është në një situatë mbingopje, me një “mbiprodhim” prej gati 2 milionë tonësh në vit. Mundësitë e prodhimit vendas të çimentos janë rreth 3 milionë tonë në vit, ndërkohë që tregu ka nevojë për më pak se 1 milion tonë. Teksa importet e vitit 2015 zunë 40% të konsumit vendas të çimentos, fabrikave në Shqipëri u duhet të ndajnë në tregun e brendshëm vetëm 500 mijë tonë, pasi më shumë se 400 mijë tonë ishin importe më 2015. Eksporti ka qenë një zgjidhje. Ato arritën 1,1 milionë tonë më 2015, me një rënie prej 14% në krahasim me 2014.
Tregu i brendshëm dhe ai i jashtëm ka siguruar 1.6 milionë tonë shitje, për tre fabrikat e mëdha të çimentos në vend më 2015, teksa kapacitetet e prodhimit janë shfrytëzuar vetëm me 50%.
Ndërsa çimentoja është në mbiprodhim, shqetësues mbetet fakti se importet zënë rreth gjysmën e çimentos së përdorur në vend. Kjo është një situatë serioze për prodhuesit vendas dhe mënyra e vetme për të mbijetuar është reduktimi i importeve, përderisa nuk parashikohet një rritje e tregut në një plan afatshkurtër, për shkak të krizës ndërkombëtare që ka ndikuar ekonominë shqiptare dhe ritmet e saj
Për aktorët e tregut, problemi më serioz i infrastrukturës për eksportet janë portet detare. Sipas administratorëve, Porti i Durrësit duhet të thellohet në mënyrë që të përballojë anije më të mëdha mallrash dhe të pajiset me një terminal të posaçëm për eksportin e çimentos. Gjithashtu, njësoj si tulla, edhe eksporti i çimentos po vuan kostot e larta të skanimit në dogana, ku përveç vlerave monetare harxhohet shumë kohë në pritje të procedurave të skanimit. Aktualisht, kompanitë eksportojnë në vende të afërta si Maqedonia, Kosova, Mali i Zi dhe Greqia.
Menaxherët e “Antea Cement” kanë shpjeguar më parë për “Monitor” se, qëllimi i kompanisë është të prodhojë me kapacitet të plotë p.sh. 1.5 milionë tonë në vit dhe pjesa më e madhe të shitet brenda vendit. Por që të arrihet kjo, importet nga konkurrentët tanë duhet të ulen në mënyrë të konsiderueshme dhe eksportet duhen rritur.
Në një situatë të tillë, qeverisë shqiptare i duhet medoemos të përmirësojë infrastrukturën rrugore, hekurudhore, por sidomos atë portuale, që të krijojë mundësi për eksporte me sasi të mëdha. Infrastruktura aktuale i ka “ndrydhur” kompanitë që të shesin jashtë vendit vetëm në sasi të vogla.
Tregu shqiptar shihet me shanse shumë të mëdha, për shkak të cilësisë dhe sasive të mëdha të lëndëve të para. Është padyshim një nga arsyet se përse kompani të tjera të huaja janë të interesuara të ndërtojnë fabrika të çimentos në tregun shqiptar. Mirëpo kostot e larta të transportit dhe tarifave portuale në krahasim me rajonin e bëjnë të vështirë daljen në treg të huaj të çimentos “Made in Albania”.
Tregtia, mbiinvetime në Tiranë–Durrës
Me dy komplekse të reja tregtare që pritet të bëhen funksionale brenda dy viteve të ardhshme, Tirana Ring Center dhe Toptani Complex Center, sipërfaqja që jepet me qira në qendrat në Shqipëri pritet të rritet me rreth 20%, duke arritur mbi 230 mijë metra katrorë, sipas të dhënave nga Colliers International.
Kjo do ta çojë treguesin e përqendrimit të qendrave në rreth 80 m² për 1000 banorë, nga 67 m² për 1000 banorë, që është sot.
Ndonëse ky indikator është i ulët në raport me vendet e tjera të rajonit (mesatarja e Europës Qendrore është 209 m² për 1000 banorë, sipas Europa Property), përqendrimi i tyre në zonën e Tiranës dhe Durrësit, ku jetojnë më se një e treta e popullsisë së vendit rrezikon ta çojë këtë sektor drejt mbipopullimit.
Vetëm për zonën e Tiranës e Durrësit, treguesi shkon në rreth 200 m² për 1000 banorë, sa në vendet e tjera të zhvilluara të Europës Perëndimore e Qendrore, ku fuqia blerëse është shumë më e lartë.
BSH jep recetën për kthimin e ekonomisë në potencial
Shfrytëzimi i dobët i kapaciteteve të investimeve ka vënë në presion ecurinë normale të ekonomisë.
Banka e Shqipërisë, në një analizë të posaçme pohon se hendeku negativ i prodhimit gjeneroi presione të dobëta mbi inflacionin, dobësi në punësim dhe paga. Në fund të pesëmujorit të parë, inflacioni shënoi një rritje 0.7%. Rritja ekonomike me ritmet e 2% mbetet pozitive, por aktiviteti ekonomik në vend vazhdon të mbetet ende nën nivelin e tij potencial. Sipas vlerësimeve të Bankës së Shqipërisë, potencialet e rritjes së ekonomike të paskrizës mbeten 4%.
Ekonomia shqiptare ka shënuar rritje përgjatë gjithë periudhës 2000-2015, por kjo rritje nuk ka qenë e njëtrajtshme dhe e qëndrueshme. Ritmi i rritjes u ngadalësua, nga një mesatare prej rreth 6% deri në vitin 2008 në një mesatare prej rreth 2.3% pas këtij viti.
Periudha 2000-2008 përjetoi një rritje rreth potencialit të ekonomisë. Faktorët kryesorë që nxitën rritjen në këtë periudhë kanë qenë zhvendosja e burimeve nga sektorë më pak produktivë (bujqësi) drejt atyre më produktivë të ekonomisë (shërbime dhe ndërtim), adoptimi në rritje i teknologjisë, mbështetja e lartë me kredi bankare, por edhe baza e ulët nga e cila nisi rrugën rritja ekonomike. Në terma të kërkesës agregate, rritja ekonomike e kësaj periudhe u mbështet nga nivele të larta investimi dhe konsumi privat, ndërkohë që aktiviteti eksportues mbeti i dobët.
Por prej vitit 2009, ekonomia e vendit është vënë nën trysninë e pasigurive të shtuara, si pasojë e krizës financiare dhe asaj të borxheve në vendet e BE-së. Ajo ka përjetuar ngadalësim të zgjatur, të shoqëruar me paqëndrueshmëri të ritmeve të rritjes. Goditja që erdhi nga kriza botërore evidentoi se strategjia e mbështetjes në kërkesën e brendshme si burim rritjeje ekonomike kishte limitet e saj, veçanërisht në prani të shtrëngimit të kushteve të financimit në tregjet e huaja. Gjithashtu, kjo goditje evidentoi edhe shpërpjesëtimet sektoriale që kishin karakterizuar ritmet e larta të rritjes deri para vitit 2009, thuhet në analizën e Bankës së Shqipërisë për potencialet e rritjes.
Në këndvështrimin sektorial, ekspansioni i shpejtë i ndërtimit deri në vitin 2009, sidomos në segmentin rezidencial, u pasua me një rënie të menjëhershme të kërkesës për to. Për rrjedhojë, sektori i ndërtimit u karakterizua nga tkurrja e aktivitetit dhe ndikoi negativisht në rritjen ekonomike deri në fund të vitit 2014.
Sektorët e shërbimeve shënuan gjithashtu një ngadalësim të dukshëm të ritmeve të rritjes, kryesisht pas vitit 2010. Për periudhën 2009-2010, degë të caktuara (komunikacioni, telefonia celulare, informacioni, transmetimi dixhital, përhapja e internetit etj.), rezultuan me rritje të shpejtë të produktivitetit, duke ndikuar pozitivisht ecurinë e sektorit.
Më pas, degët me peshë të lartë të shërbimeve në PBB, si tregtia dhe mirëmbajtja, gjeneruan më pak vlerë të shtuar, duke ulur kontributin e tyre në rritjen ekonomike.
Këto zhvillime reflektuan në një masë të madhe efektet zinxhir të ngadalësimit të shpenzimeve familjare, si për mallra e shërbime ashtu edhe për blerje apartamentesh, dhe reduktimin e investimeve të biznesit. Në të njëjtën periudhë, kontributi i sektorëve prodhues të orientuar drejt eksportit apo mallrave konkurruese të importit, si bujqësia dhe industria, rezulton më i lartë. Por, këto zhvillime nuk kanë mundur të kompensojnë humbjet e shfaqura në sektorët e aktiviteteve të patregtueshme (ndërtim dhe shërbime). Industria u zhvillua duke shfrytëzuar më shumë avantazhet konkurruese në termat e kostove të ulëta të punës, se sa rritjen e produktivitetit. Kontributi i këtij sektori në rritje është pozitiv, më i lartë se sa para vitit 2008, por ende i pastabilizuar.
Bujqësia vijoi të reflektojë vështirësitë e trashëguara nga problemet e ndarjes dhe të pronësisë mbi tokën, të fragmentarizimit dhe të informalitetit, të mungesës së tregjeve të organizuara për tregtimin brenda dhe jashtë vendit, të investimeve relativisht të izoluara në rajone dhe nënsektorë të caktuar të saj. Ajo mbetet një degë me peshë të konsiderueshme në punësim, ndonëse në rënie përgjatë viteve, ndërkohë që pesha e saj në vlerën e shtuar bruto vlerësohet rreth 20%. Në përgjithësi, sektorët prodhues si industria, bujqësia dhe ndërtimi nuk kanë arritur të zgjerohen për të dominuar strukturën e vlerës së shtuar në ekonomi. Kjo e fundit mbizotërohet nga sektorët e shërbimeve, të cilët kanë rritur edhe peshën në punësim gjatë periudhës 2011-2014.
Nga pikëpamja e financimit prej sektorit bankar, duket se në vitet e parakrizës, interesi ka qenë i lartë drejt ndërtimit dhe shërbimeve. Pas vitit 2012, rezulton një zhvendosje në rritje e portofolit të kredisë bankare drejt sektorit të industrisë, kundrejt reduktimit të tij për ndërtimin.
Bujqësia mbetet sektori që ende nuk është futur seriozisht në axhendat e kreditimit për probleme që lidhen kryesisht me formalizimin e saj. Zhvillimet e dy dekadave të fundit pasqyrojnë lëvizjen e ekonomisë drejt një strukture më të qëndrueshme ekonomike dhe një modeli më eficient të saj.
Megjithatë, Banka e Shqipërisë arrin në përfundimin se, kjo lëvizje nuk mund të konsiderohet e përfunduar, nëse reformat strukturore që e mbështesin atë nuk vazhdojnë më tej. Banka sugjeron se këto reforma duhet të synojnë rritjen e konkurrueshmërisë së ekonomisë përmes faktorit të produktivitetit.
———
BSH lajmëron rënie drastike të kontratave të porosive për eksportet, ndërtimin dhe industrinë
Banka e Shqipërisë nisi të publikojë për herë të parë ecurinë e kontratave të porosive në sektorët kryesore të ekonomisë. Të dhënat u publikun në treguesin e tendencës Ekonomike dhe zbulojnë një rënie të madhe të kontratave të reja në tremujorin e dytë të vitit.
Pas një rritje sistematike tremujor pas tremujori të paktën në dy vitet e fundit, Banka e Shqipërisë raporti se kontratat e reja të eksporteve kanë pësuar një rënie me 23.2% në tremujorin e dytë, pas një rritje me 3.8% në tremujorin e parë 2016. Kjo ecuri sinjalizon rënie të eksporteve në periudhën në vijim.
Sipas të dhënave të bëra publike nga INSTAT, muaji maj 2015 shënoi një ulje të eksporteve shqiptare, krahasuar me një vit më parë, me 4.8%, shkak për të cilin mësohet të jenë grupmallrat “ushqime, pije, duhan”, ndjekur më pas nga tekstile dhe këpucë.
Sektori i ndërtimit ka pësuar rënien më të madhe të nënshkrimit të kontratave të reja. Banka e Shqipërisë në anketimin që ka bërë me aktorët e tregut ka pohuar se, kontratat porositëse shënuan rënie me 46% në tremujorin e dytë të 2016, por ritmet e rënies janë në të njëjtën trajektore përgjatë dy vitet e fundit. Hajredin Fratari, një ndërtues me eksperiencë pohon se rënia, rritja e kostove në sektor prej rritjes së taksave ka frenuar edhe me tej porositë e reja.
Rënie të porosive të reja ka shënuar edhe sektori i industrisë. Në tremujorin e dytë 2016 treguesi ka pësuar rënie me 24.6%, duke thyer rekordin e rënies që kur Banka e Shqipërisë nisë ta masë atë në (T3 2014).
Edhe pse treguesi i besimit në ekonomi u përmirësua në tremujorin e dytë, biznesët kanë raportuar rënie të fortë të porosive të reja në te gjithe sektorët e ekonomisë, duke lajmëruar kështu se dobësitë në konsum do të vijojnë edhe në periudhë afatmesme.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.