Investimet kineze në botë në 10-vjeçarin e fundit nxjerrin në pah një strategji të përqendruar në katër drejtime: qasjen ndaj lëndëve të para dhe energjisë, qasjen në teknologji të përparuar dhe njohuri të avancuara teknike, daljen e firmave kineze nga konkurrenca e tregut kinez dhe anashkalimin e barrierave ndërkombëtare të tregtisë.
Në racionalitetin e investimeve direkte kineze gjithashtu përfshihet dhe synimi për të anashkaluar kuotat, tarifat dhe barrierat për mallrat kineze. Ndonëse që nga hyrja në OBT, këto tarifa janë ulur ndjeshëm, kompanitë kineze vazhdojnë të kenë synim qasjen mundësisht të pakufizuar në tregjet e zhvilluara.
A është Shqipëria në “radarin” e investimeve direkte kineze?
Raporti mbi Aktivitetin Ekonomik të vitit 2012 i Qeverisë së RPK i publikuar më 15 mars 2012, cilëson si objektiv kryesor gjetjen e tregjeve dhe hapësirave të reja për mallrat dhe investimet direkte kineze jashtë zonave tashmë të konsoliduara të SHBA-së, BE-së dhe Japonisë. Dhe Shqipëria në fakt, nuk i përket asnjë prej këtyre grupimeve. Për më tepër, në kushtet kur kriza financiare ka kapluar Europën dhe kur investitorët tanë historikë si Greqia dhe Italia po kalojnë kohë të vështira, kur qeveria po përpiqet të mbajë nivelin e borxhit nën 60% të PBB, kur shkalla e rritjes ekonomike vjetore (që kushtëzon dhe të hyrat fiskale) llogaritet më e vogël se kurrë, futja e Shqipërisë në “radarin” e kapitalit kinez bëhet kusht për stabilitetin makrofinanciar të vendit.
Investimet kineze në Shqipëri, sa të ulëta!
Në një këndvështrim ekonomik afatgjatë, fakti se në 2011-n investimet direkte kineze në Shqipëri ishin vetëm 5 milionë euro tingëllon gati si një anomali statistikore, nëse kujtojmë se gjatë viteve 1967–1985, Kina ishte i vetmi investitor i huaj në vend. Gjatë asaj periudhe, investimet kryheshin në formë ndihme bilaterale, kryesisht në makineri dhe asistencë teknike me specialistët kinezë të vendosur në Shqipëri, të përqendruar kryesisht në industrinë e rëndë dhe sektorin energjetik. Shtylla vertebrore e industrisë shqiptare ato vite u planifikua me ndihmën e specialistëve kinezë dhe u ngrit me kapitale dhe teknologji kineze, si Kombinati i Tekstilit në Berat, Hidrocentrali i Fierzës, Kombinati Metalurgjik në Elbasan. Monedha e pagesës “shqiptare” ndaj këtyre investimeve ishte prodhimi minerar, si kromi, bakri, etj. Ndryshimi i sistemit politik në Shqipëri u shoqërua me ndryshimin e strukturës ekonomike, që riorientoi flukset e kapitalit të huaj që hynë në vend, si dhe sektorët e investimeve. Vendin e Kinës e zunë gradualisht partnerë europianë, industria e rëndë i la vendin shërbimeve dhe industrisë së ndërtimit. Bankat e para private dhe fabrikat e çimentos u themeluan me kapital grek dhe italian, privatizimet tërhoqën interesin e investitorëve të tjerë perëndimorë. Investitorët e rinj vendas, të kushtëzuar nga kapitali i mbledhur në pak vite, si dhe teknologjia në dispozicion gjetën mundësinë më të mirë në ndërtim, investimet nën-kontraktim dhe punë me porosi (fason) për klientë të huaj.
Kapitali kinez në Ballkan
Investitorët kinezë në Ballkan janë të interesuar drejt sektorëve të prodhimit të energjisë elektrike dhe infrastrukturës, si kontraktorë, por dhe financues. Në krahasim me ofertat e tjera të kapitalit (institucione financiare publike ose private, të huaja ose vendore), kompanitë kineze janë atraktive në Ballkan, për shkak të kushteve të favorshme të financimit të investimeve ku marrin pjesë (kredi afatgjata me interes të ulët dhe grace-period të konsiderueshme). Në tabelën 1 paraqiten investimet direkte kineze në vendet ballkanike, krahasuar me Investimet e Huaja Direkte në këto vende. Shifrat janë të vitit 2010 dhe duhet të jenë në rritje gjatë vitit të kaluar, sidomos për Serbinë.
Tabela 1
Vendi |
Investimet e Huaja Direkte në 2010 |
Investimet Direkte Kineze në 2010 |
Investitori kinez dhe sektorët kryesorë të investimeve kineze |
Shqipëria |
2,312 |
4.73 |
Huawei dhe Zhongxin-ZTE në pajisje telekomunikacioni; IMMI-Zhongguo JianCai në minerale etj. |
Maqedonia |
3,350 |
0.8 |
Në negociata për financimin e 12 hidrocentraleve nga China Development Bank |
Bosnjë & Hercegovina |
4,906 |
6.0 |
Dongfang Electric Corporation në pjesëmarrje minoritare në ndërtimin e termocentralit të Stanarit dhe të një hidrocentrali |
Mali i Zi |
2,766 |
0.3 |
Sinohydro Corporation në hidro-energji |
Serbia |
15,780 |
4.8 |
China Road & Bridge Corporation; termocentralet e Kostolacit nga CMEC & Eximbank; dhe Nikola Tesla nga Environmental Energy Holdings & Shenzhen Energy Group |
Kroacia
|
25,649 |
8.1 |
E shpërndarë në shumë kompani të vogla dhe mesatare |
Burimi. Instituti për Bashkëpunim dhe Zhvillim (www.cdinstitute.eu)
Kapitali kinez në Shqipëri: kush, ku dhe sa ?
Sipas burimeve të Bankës së Shqipërisë, në vitet 2009 dhe 2010 stoku total i kapitalit kinez të investuar në Shqipëri ishte respektivisht 4.73 milionë euro dhe 4.05 milionë euro (për referencë investimet direkte të Kosovës në Shqipëri janë respektivisht 6.2 dhe 6.39 milionë euro). Një hulumtim i mëtejshëm i Institutit për Bashkëpunim dhe Zhvillim (CDI) ka identifikuar tri kompani kineze të rangut botëror aktive sot në Shqipëri: Huawei, Zhongxin-ZTE dhe IMMI-Zhongguo JianCai (dhe më shumë se 30 mikrondërmarrje). Nëse këto tri kompani vërtet do të kishin sjellë investimet e tyre në Shqipëri, kjo do të ishte risi shumë inkurajuese. Por në fakt, këta gjigandë botërorë në Shqipëri janë ndërkontraktore të kompanive të treta dhe kryesisht bëjnë furnizimin e tyre me pajisje. Nga ana tjetër, shumë kompani shqiptare furnizohen në tregun kinez kryesisht me pajisje teknologjike dhe me mallra konsumi. Sipas Bankës së Shqipërisë, importet kineze arritën 216 milionë USD në 2010-n. Ndonëse një treg i vogël për nga madhësia dhe fuqia blerëse, Shqipëria ofron mundësi zhvillimi strategjik afatgjatë për kapitalet kineze. Për më tepër, me disa fusha të ekonomisë shqiptare kinezët janë mjaft të familjarizuar, sikurse janë prodhimi i hidro-energjisë, kërkimi, nxjerrja dhe përpunimi i mineraleve, sektorë ku miqtë tanë kinezë kanë të dhëna shumëvjeçare, të sakta e të plota. Për më tepër, tregu kinez është shumë i interesuar të importojë mineralet shqiptare. Por përsëri, pjesa dërrmuese e mineralit të kromit dhe një pjesë e madhe e hekur-nikelit shkon në Kinë përmes kompanive turke, zvicerane, austriake, etj., çka rrit koston, vështirëson transaksionet, duke rritur riskun dhe kohëzgjatjen, krijon edhe stoqe të panevojshme. Aktualisht, në Portin e Durrësit, ka një pirg prej mbi 300 mijë tonësh mineral kromi, me vlerë monetare rreth 3 milionë USD (çmimi i shitjes me shumicë në Bulqizë) sasi mjaft e konsiderueshme për ekonominë e brishtë shqiptare. Kromi nxirret në zona me varfëri gati të tejskajshme, ndaj është luks mbajtja e tij në port. Lista e interesave të dyanshme është e gjatë dhe përfshin sektorin e turizmit (që nga ky vit dhe për një 10-vjeçar parashikohet që turistët nga Kina të jenë i vetmi segment në rritje për ofertën turistike botërore) bashkë me telekomunikacionin dhe teknologjitë e gjelbra (ku ndërmarrjet kineze po dominojnë tregun botëror në prodhimin e paneleve diellore).
Një fillim i ri
Shqipëria, duke qenë në Europë por jo në Bashkimin Europian, paraqet avantazhe kompetitive të konsiderueshme për kapitalin kinez. Marrëdhëniet tradicionale bilaterale, pozicioni gjeopolitik, pasuria dhe larmia e burimeve natyrore, nevoja e madhe për investime në energjetikë, infrastrukturë, kuadri ligjor modern dhe krahu i punës i kualifikuar, e bëjnë Shqipërinë një platformë ideale për tërheqjen dhe zhvillimin e investimeve kineze. Në këtë kontekst, merr rëndësi të veçantë strategjia e investimeve kapitale kineze si vektor i promovimit të eksporteve në Europë, me synim përpunimin dhe montimin e lëndëve të para dhe gjysmë të gatshme kineze. Nuk është as rastësi që Shqipërinë, brenda një kohe shumë të shkurtër pas vizitës së Kryeministrit shqiptar në Kinë, e kanë vizituar anëtarë të Byrosë Politike të PKK dhe përfaqësues të biznesit kinez. Rivënia e Shqipërisë në qendër të interesit strategjik të kapitalit kinez, nisja e veprimeve konkrete për inkurajimin, mbështetjen, këshillimin dhe në veçanti, ofrimi i një konteksti miqësor bashkëpunimi afatgjatë mbeten sfidat pasuese për sipërmarrësit kinezë dhe partnerët shqiptarë.
*Ambasador i Shqipërisë në Kinë, në vitet 1997-2000
**Ka qenë drejtor i Departamentit të Privatizimeve të Mëdha, Misioni i OKB-së në Kosovë
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.