Shqipëria u rendit në vendet me normën më të lartë tatimore në rajon sipas një studimi të Al-Tax, por vendi gjithashtu paguan më pak taksa se çdo shtet tjetër i rajonit në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto në vitin 2016.
Studimi tregon se edhe për vitin 2016, Shqipëria dhe Serbia janë vendet me normën më të lartë tatimore ne vendet e Rajonit te zgjerimit. Në të kundërt, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Kroacia kanë normën më të ulët tatimore në mes vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Norma e taksave në Shqipëri është 36.5%, duke u rritur me gati 6 pikë përqindje në krahasim me 2014, kjo norme në Maqedoni është 13%, në Kosovë, 15%, në Kroaci 20.9%, në Malin i Zi 22.2%, në Bosnjë 22.6% dhe Bullgari 27,0%.
Por edhe pse formalisht Shqipëria ka normën më të lartë tatimore në rajon, paguan më pak taksa nga të gjitha vendet e rajonit. Sipas Al-Tax në vitin 2016, Shqipëria bashkë me Kosovën u renditën në vendet që paguajë më pak taksa, me një barrë tatimore përkatësisht 24,4% dhe 23.5%. AL-tax, me barrë tatimore mat pagesën e taksave në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto. Edhe në renditjet e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore Shqipëria paguan taksa në raport me PBB më pak se në të gjitha vendet e rajonit. Të ardhurat tatimore ne Shqiperi që janë pjesa kryesore e buxhetit për vitin 2016 dhe 2015, ishin respektivisht sa 24,4% dhe 24.1% e PBB-së.
Al-Tax shpjegon se barra tatimore (pagesa e taksave ne raport me PBB) në rajonin e Ballkanit në vitin 2016 është mesatarisht sa 32% e PBB, ndërsa në vitin 2015 ishte 31.5% e PBB-së.
Mesatarja e barrës tatimore në Ballkan është dukshëm më poshtë mesatares së barrës tatimore në BE (40%), por diferenca ka ardhur duke u ngushtuar vitet e fundit.
Secili nga parlamentet e vendeve të Ballkanit u ka prezantuar dhe ka kërkuar të ndikojnë në përmirësimin e klimës së biznesit nëpërmjet ndryshimit të normave tatimore të një viti më përpara, duke synuar një pagesë më të madhe të taksave sipas planifikimeve buxhetore dhe politikave të secilit nga vendet për zhvillimin e ekonomik.
Nga renditja shikohet se Maqedonia dhe Kosova ruajnë edhe në 2016 barrën më të ulët të normës së taksave në rajon.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.