Pjesa më e madhe e opozitës ka bojkotuar Parlamentin dhe prej gati dy javësh është në protestë, nën strehën e një çadre të madhe përballë Kryeministrisë, kërkon të garantojë zgjedhje të lira përmes një qeverie teknike, si kusht të parë. Ndërsa shumica qeverisëse i kërkon të kthehet në Parlament për votat e Reformës në Drejtësi. BE dhe SHBA kanë dërguar mesazhe të qarta se zgjidhjet nuk vijnë nga rruga,por nga Parlamenti, dhe se pushteti nuk ndërron me politika kontroverse.
Kriza e brendshme shqiptare ka lindur në një moment të keq rajonal.
Në Maqedoni po ndodh një grusht shteti, sepse Presidenti Ivanov nuk i pranon shqiptarët si pjesë e shumicës qeverisë se re në koalicion me maqedonasit,socialdemokratët e Zoran Zaev. Kryeministri ende në detyrë, Gruevski, nga ana tjetër, duke i fryrë shovinizmit,po u bën thirrje maqedonasve të protestojnë kundër gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare, praktikisht kundër shqiptarëve si entitet, të cilët janë sërish tani më shumë në rrezik. Megjithëse shefja e diplomacisë europiane i kërkoi Ivanov-it të tërhiqej nga vendimi, ai nuk pranoi. Duke lënë pas Shkupin në krizë, ajo iu drejtua Serbisë ku, sipas “The Economist”, rreth 60 përqind e serbëve, nën ndikimin rus, janë kundër NATO-s dhe BE-së.
Ndërkohë edhe Mali i Zika pasiguri të shkaktuara nga rusët, Kosova dhe Serbia nuk po përparojnë në dialog, ndërsa në Bosnjë ka shenja të një konflikti të egër mes etnish. Në tërë rajonin e ballkanik ka një perceptim të gjerë se situata politike është më e përkeqësuar. Deutsche Welle pyeti shumë ekspertë dhe në analizën e saj të fundit për rajonin arrin në përfundimin se Ballkani nuk është më një fuçi baruti, por se fitili nuk është shuar ende plotësisht. Ndërkohë e mirënjohura “The Economist” shkruan se ndikimi i SHBA-së dhe BE-së në Ballkan ka rënë dhe se vendin bosh po përpiqet ta zërë Rusia nëpërmjet Serbisë, së cilës i ka dhënë mbështetje të konsiderueshme financiare, armatime, si dhe ka ndërtuar një rrjet të gjerë mediash dhe organizatash që reklamojnë dobinë e lidhjes me Moskën. Qëllimi i Rusisë, thotë “The Economist”,është i qartë: të ndalojë Serbinë, Malin e Zi,Maqedoninë dhe Bosnjën të anëtarësohen në NATO dhe të pengojë integrimin e tyre në BE.
Por çfarë po bën Shqipëria? I vetmi vend anëtar në NATO në Ballkan, përfshihet në një krizë politike që, pikësëpari, i krijon vetes pengesa në integrim drejt BE-së, njësoj sikur ta kishte bërë Rusia. Nga ana tjetër, duke qenë të angazhuar me krizën brenda vendit, politika e Tiranës, zhvendos axhendën për shqiptarët përtej kufirit që,veçanërisht në Maqedoni, janë në rrezik të madh për shkak se Rusia,e cila ka fijet e saj në qeverisjet ballkanike, po i bën ata fajtorë si njerëz që kërkojnë viktima. Vetëdija e ulët politike dhe kombëtare, për momentin kur po zhvillohet kriza e Tiranës, do të dobësonte faktorin dhe fuqinë ndikuese të shqiptarëve në rajon, pasi do të ulte besueshmërinë si partner që prodhon qetësi dhe siguri. Kjo është njësoj si të luash ruletën ruse,duke e ditur që do të mund të vetëvritesh.
Por Shqipëria nuk është ingredient i kësaj sallate ruse që Moska kërkon të gatuajë në Ballkan, ndaj edhe kriza politike e kësaj radhe duhet të marrë fund shpejt për të mos treguar, siç ka ndodhur edhe më parë në situata të ngjashme, se nuk dimë të ngrihemi në nivelin e tryezave që na thërrasin aleatët, por mbetemi ushtarë të vegjël të rrugës dhe armiq të vetes…
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.