Shqipëria ka bërë përmirësime në drejtim të riskut, në tremujorin e katërt të 2017, sa i përket vlerësuesve të kreditit Euler Hermes. Sipas raportit të përfundimit të vitit, Shqipëria ka kaluar në D3, vlerësim i cili i përket zonës “risk i ndjeshëm”. Një tremujor paraardhës risku i kreditit, i investimit të parave etj. konsiderohej ‘i lartë’.
Euler Hermes, një kompani e sigurimit të kredisë që ofron një gamë të gjerë të bonove, garancive dhe shërbimeve të mbledhjes së arkëtimeve bussines-to-bussines, që ka një operim të gjerë në tregun global mbështetur nga Allianz ka bërë vlerësimin e saj për riskun e vendeve në tremujorin e katërt të vitit 2017.
Ky risk i vlerësuar e klasifikon Shqipërinë tek vendet me faktorë problematikë që në hartën e publikuar u përgjigjet ngjyra e portokallinjtë. Ndër vendet e rajonit me këtë ngjyrë është Serbia, Maqedonia, Greqia, Kroacia. Vetëm Bosnjë-Hercegovina është në zonën e kuqe të riskut të lartë.
Sipas analizës, në terma afatmesëm vlerësimi është me shkronjën D që i përgjigjet një vlerësimi dukshëm të ulët dhe që përcjell pasiguri të mëdha tek investitorët. Në afatshkurtër, risku i vendit kategorizohet me numrin 3 që do të thotë “risk i ndjeshëm”.
Sipas vlerësimit të agjencisë, Shqipëria, Lituania dhe Sllovenia janë të vetmet që kanë bërë përmirësime në këtë tremujor.
Metodologjia e tyre sikurse mbështetet në mbledhjen e informacionit mbi renditjen makroekonomike. Pra analiza e strukturës së ekonomisë, pjesa buxhetore, politika monetare, borxhi publik si dhe gjasat për një destabilizim politik.
Një tregues i dytë i marrë në vlerësim është mjedisi strukturor ku operon biznesi që mat perceptimin e biznesit mbi mbrojtjen ligjore si dhe luftën ndaj korrupsionit.
Së treti, bëhet një ndarje më vete për riskun politik që merr parasysh përqendrimin e pushtetit, efektivitetin e politikë-bërjes si dhe pavarësinë e institucioneve që duhet të funksionojnë si të tilla.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.