Shqipëria është renditur në vendin e 58 në raportin e “Doing business 2017”, që sapo është publikuar nga Banka Botërore, duke u përmirësuar me 32 vende dhe duke rikuperuar humbjen e vitit të kaluar, ku u përkeqësua me 35 vende.
Përmirësimin më të madh e ka shënuar marrja e lejeve të ndërtimit, që u përmirësua me 80 pozicione. Ishte pikërisht ky tregues që e penalizoi Shqipërinë në raportin e vitit të kaluar, për shkak se qeveria vendosi që të pezullonte përkohësisht dhënien e lejeve të ndërtimit në gjithë vendin.
Sigurimi i energjisë gjithashtu ka shënuar ecuri pozitive, me një përmirësim prej 8 vendesh. Të njëjtën linjë ka pasur dhe pagimi i taksave, me 12 vende më lart.
Përkeqësim ka shënuar nisja e biznesit, me 4 vende më poshtë, për të dytin vit radhazi, marrja e kredisë me minus 2 vende, mbrojtja e së drejtës së minoriteteve, me minus katër vende.
Në raportin e vitit të kaluar, Shqipëria shënoi përkeqësim të ndjeshëm, duke zbritur me 35 pozicione, kryesisht për shkak të treguesit të lejeve të ndërtimit (që u përkeqësua me 67 vende), por edhe tregues të tjerë si pagimi i taksave, apo marrja e kredive u përkeqësuan në raportin e kaluar me përkatësisht me 4 dhe 12 vende.
Milva Ekonomi: Raporti të Bësh Biznes, renditje historike për Shqipërinë
Ministrja e Ekonomisë, Milva Ekonomi, ka reaguar ndaj renditjes së Bankës Botërore “Të bësh biznes”. Vendi ynë renditet i 58-ti nga 190 shtete që Banka Botërore vlerësoi këtë vit.
“Ky është jo vetëm një përmirësim i dukshëm prej 32 vendesh në krahasim me vitin e kaluar, por është njëkohësisht renditja dhe vlerësimi më i mirë që Shqipëria ka pasur ndonjëherë, që nga viti 2003 kur ky raport u publikua për herë të parë nga Banka Botërore.
Gjithashtu raporti konfirmon rritjen cilësore të reformave të ndërmarra nga Qeveria për lehtësitë e të bërit biznes, duke nënvizuar se distanca e Shqipërisë ndaj praktikave më të mira, në të bërit biznes ka pasur përmirësim të dukshëm, duke u rritur nga 61.3 pikë në raportin e vitit të kaluar në 68.9 pikë në raportin e sivjetshëm.
Vlerësimi i Bankës Botërore ka rëndësi të veçantë, jo vetëm sepse konfirmon që reformat e ndërmarra nga qeveria janë duke ecur në drejtimin e duhur, por çka është më e rëndësishme, sepse inkurajon investitorët e huaj për të ardhur në Shqipëri, pasi vendi ynë është miqësor ndaj sipërmarrësve të huaj dhe të bësh biznes tek ne VLEN.
Jane tre reformat e mëdha që kanë bërë të mundur këtë vlerësim kaq pozitiv, më të mirin që Shqipëria ka pasur ndonjëherë.
E para, reforma me thjeshtimin e dhënies së lejeve të ndërtimit.
Raporti thekson se në fushën e lejeve të ndërtimit, Shqipëria ka thjeshtësuar procedurat për marrjen e lejes dhe ka hartuar një rregullore të re për lejet e ndërtimit, duke përmirësuar renditjen në këtë indikator me 83 vende.
E dyta, reforma në marrjen e energjisë dhe shpejtësinë e lidhjes në rrjet.
Në marrjen e energjisë, raporti nënvizon se eficenca e procesit të marrjes së energjisë është përmirësuar. Raporti evidenton se, koha për marrjen e një lidhje të re energjie u shkurtua me 43 ditë, duke përmirësuar renditjen në këtë indikator me 6 vende.
E treta, reforma në pagesën e taksave.
Pagesa e taksave, sipas raportit “Te bësh biznes”, është bërë më e shpejtë dhe e thjeshtë me fillimin e pagesës elektronike të taksave që nga 1 janari 2015. Koha totale e pagesave u shkurtua me 96 orë. Renditja e Shqipërisë në këtë indikator është përmirësuar me 45 vende.
Për të qenë të sinqertë deri në fund, nga të gjithë indikatorët përmes të cilëve Banka Botërore vlerëson ekonomitë, i vetmi vendim i qeverisë shqiptare që ka pasur ndikim negativ në renditjen e Shqipërisë, ka qenë ai për të skanuar në mënyrë të detyrueshme në dogana çdo mall që importohet ose eksportohet.
Vendim ky që, ndonëse mund të ngadalësojë procedurat e eksport/importit, është tejet i rëndësishëm në kushtet e debatit të sotëm për sigurinë e mallrave që importohen në vend, apo të debatit për importin e mbetjeve të riciklueshme”, tha Ekonomi.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.