Industria mbështetëse automotive po njeh zgjerim në tregun shqiptar. Gjermanët e “Forschner” pritet që të nisin punë së shpejti në fabrikën e tretë të saj, ndërkohë që edhe “PSZ Albania” ka vite që operon. Së fundmi, industrisë i janë shtuar edhe francezët e “Delmon Group”, me një fabrikë në Elbasan, kurse koreanët e “Yura” gjatë këtij viti pritet të vendosen në Fier pas një epopeje 2-vjeçare zvarritjeje.
Kompanitë kanë njoftuar zgjerim në planet afatgjata dhe është në dorën e qeverisë nëse do të dijë të përfitojë nga ky shans. Teksa jemi të rrethuar nga fqinjët me politika më konkurruese avantazhi ynë mbetet vetëm krahu i lirë i punës. Për ata që e njohin mirë këtë treg ka disa probleme që duhen zgjidhur, që mund ta bëjnë Shqipërinë më atraktive duke nisur nga çështjet e pronësisë te krijimi i lidhjeve sa më të thjeshta infrastrukturore përmes korridoreve që lehtësojnë transportin
Nga Nertila Maho
Krahu i lirë i punës, pozicioni gjeografik i favorshëm dhe maturimi i tregut të fqinjëve me fabrika të industrisë automotive që kryejnë procese të thjeshta fasoneri, po shërbejnë si shtysë në vendimet e investitorëve që të hedhin sytë nga Shqipëria. Pas gjermanëve të “Forschner” dhe “PSZ Albania” që kanë disa vite në Shqipëri, së fundmi edhe një grup francez, “Delmon” njoftoi planet e zgjerimit nga fabrika, ku po operon prej një viti në Elbasan.
Kjo u ndoq me kontratën që qeveria nënshkroi me koreanen “Yura Corporation” pak javë më parë. Përtej peripecive që iu deshën kësaj të fundit për të hyrë në Shqipëri, me një investim fillestar 6.5 milionë euro dhe 516 vende të reja pune në horizont, duket se jemi përpara një momenti të rëndësishëm për industrinë në përgjithësi. Shqipëria ka një shans që nëse e shfrytëzon siç duhet, katër kompanitë që përfaqësojnë një fushë, krejtësisht të re por në lulëzim, të zgjerohen ashtu siç edhe kanë në planet e tyre afatgjata.
“Forschner”, gati fabrikën e tretë në Rrashbull, plani për Spitallën “pezull”
Kompania gjermane që prodhon pajisje kabllore për autobusët e “Benz Mercedes” dhe mjetet e rënda, “Forschner” një muaj më parë hapi fabrikën e tretë. Bëhet fjalë për një kapanon të ri më të vogël sesa dy të mëparshmit, i vendosur diku në zonën e Rrashbullit në Durrës. Kompania ka kërkuar regjistrimin e kësaj njësie nën një NIPT sekondar pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit, duke konfirmuar edhe një herë planin e saj të zgjerimit në Shqipëri, edhe pse jo me ritmet që kishte në fillim.
Aktualisht “Forschner” ka fabrikën e saj të parë në Vaqar, me rreth 400 të punësuar, e hapur në 2015-n dhe një fabrikë të dytë në autostradë, me rreth 300 të punësuar, e hapur në janar të vitit 2017. Fabrika apo kapanoni i ri, që ndodhet në Rrashbull sot, është një magazinë, e cila në vijim synon të punësojë minimalisht 30-50 veta me idenë e rritjes së mëtejshme.
Në fakt, “Forschner” kishte në planet e saj hapjen e një fabrike të madhe në zonën e Spitallës në Durrës, por për momentin kompania ka lënë pezull këtë plan, ku synohej zgjerimi me 30 mijë metra katrorë dhe me potencial prej 1200 vendesh të reja pune. Proceset e punës në kompani janë relativisht të thjeshta, çka vetëm me trajnime mund të përvetësohen shumë mirë. Në fabrikën e saj në Vaqarr, kompania ka një dominim të punonjëseve femra, ndërkohë që shumica e tyre janë të rinj dhe të reja.
“Yura Corporation” vendoset në Fier pas dy vitesh zvarritje, plani afatgjatë për dy fabrika
Kompania koreane “Yura Corporation”, e cila prodhon pjesë për KIA dhe “Hyundai” për herë të parë do të shfaqte interes për Shqipërinë në vitin 2017. Nga ai moment, duket se përfaqësuesit do të përballeshin me zvarritje të procedurave që në një moment ngriti dilemat e braktisjes së planit për të hyrë në vendin tonë.
Përfaqësuesi i kompanisë, Lukas Nam, në nëntor të 2018-s, u shpreh se burokracia që po haste po vinte në dyshim vijimin e planit, por fatmirësisht në shkurt të këtij viti duket se gjërat morën kthesë.
Ministria e Financave dhe Ekonomisë njoftoi se tashmë kishte autorizuar kalimin me qira 1 euro të truallit të pronës shtetërore, ku koreanët do të ngrenë fabrikën e parë. Bëhet fjalë për një sipërfaqe rreth 4.9 hektarë, pronë shtetërore, e njohur si “Baza e Tubove” që ndodhet në Zhupan, Fier. Kjo zonë është përcaktuar si zonë me përparësi zhvillimi për këtë industri. Aktualisht duket se janë miratuar dhe publikuar të gjitha aktet që autorizojnë “Yura”-n që të vijojë me hapin e radhës.
Lukas Nam shprehet se ai synon që fabrika të nisë punën brenda këtij viti dhe nëse gjithçka do të shkojë mirë brenda dy vitesh, ajo do të dyfishojë kapacitetin dhe numrin e të punësuarave. Kompania ka në planet e saj prodhimin e 200 mijë pjesëve në vit. Ministria e Financave dhe Ekonomisë njoftoi se, referuar plan-biznesit të koreanëve në afat të gjatë, gjasat janë që të hapen dy fabrika që do të krijojnë 4 mijë vende pune.
“Aktiviteti ekonomik i ‘Yura’, do të fillojë në vendin tonë brenda vitit 2019, ku do të punësohen rreth 600 punonjës, ndërsa vlera e investimit është parashikuar 6,5 milionë euro në fazën e parë. Faza e dytë e këtij projekti parashikon një riinvestim me 13 milionë euro dhe numrin e punonjësve me 1100 vetë. Në planet afatgjata, kompania parashikon edhe hapjen e dy fabrikave të tjera në Shqipëri, ku numri i të punësuarve të arrijë në rreth 4000 vetë”, njoftoi kjo ministri.
“Delmon Group” synon zgjerimin, gjithçka nisi me 1 milion euro
Elbasani është bërë pritësi i një prej kompanive franceze që prodhon produkte në mbështetje të industrisë së automobilave, por jo vetëm. “Delmon Group”, që vitin e shkuar, është vendosur në një kapanon që punëson rreth 50 punonjës, që janë trajnuar nga kompania për të përvetësuar proceset e punës.
Prodhuesi i gominave amortizuese që përdorin autoveturat si “Peugeot”, “Renault”, “Fiat Group” synon që të zgjerohet edhe më tej dhe të rrisë eksportet e tij në 6 milionë euro nga 1 milion që ishin në vitin e parë të operimit.
“Vlera fillestare e investimit i kalon 1 milion euro vetëm në 6-mujorin e parë të aktivitetit në Shqipëri. Vetëm në këtë periudhë, ne kemi punësuar rreth 50 punonjës dhe kemi arritur të eksportojmë rreth 1 milion euro produkte llogaritur në vlerën e tregut. Në vitin e dytë, synojmë që të shkojmë në 6 milionë euro eksporte dhe rrjedhimisht të zgjerojmë kapacitetet e të vazhdojmë të punësojmë dhe trajnojmë punonjës të rinj”, konfirmon Ertjan Cabiri, Drejtor Menaxherial i kompanisë. Ai vlerëson se kompania zgjodhi Shqipërinë në një përpjekje për të ulur kostot e saj lidhur me krahun e punës, por edhe për të qenë më afër klientëve të saj.
Rriten eksportet për grupin “makineri dhe pajisjet elektrike”
Në fund të 2018-s, eksportet në grupin makineri dhe pajisje elektrike ku përfshihen edhe produktet finale që dalin nga fasoneria e industrisë automotive shënuan vlerë 11 miliardë lekë. Kjo përfaqëson një rritje të përgjithshme me 21.5% në raport me një vit më parë. Në vitin 2017, vlera e eksporteve të këtij grupi ishte 9.1 miliardë lekë.
Gjatë këtij viti, “Forschner” nisi operimin në fabrikën e saj të dytë në autostradë me 300 të punësuar, çka justifikoi edhe kërcimin me një rritje 41.6% të vlerës së eksporteve në këtë vit, në raport me 2016, kur kjo vlerë ishte 6.4 miliardë. Gjithsesi, viti 2016 regjistron një vlerë më të ulët në eksporte sesa viti 2015, por kjo mund t’i atribuohet lëvizjeve të aktorëve të tjerë të tregut që përfshin ky grup mallrash siç janë makineritë. Në vitin 2015, vlera e eksporteve ishte 7 miliardë lekë.
Ky vit shënon edhe hyrjen e parë në treg të “Forschner” me fabrikën në Vaqar, me rreth 400 të punësuar. Në raport me vitin paraardhës, rritja në vitin 2015 ishte 21.5%. Në vitet 2014 dhe 2013, eksportet në këtë grup kanë një diferencë pak a shumë në 600 mijë dollarë në favor të 2014-s që përfaqëson një rritje rreth 11%.
Ertjan Cabiri, Drejtor Menaxherial i “Delmon Group Albania”
“Avantazhi kryesor, krahu i lirë i punës, planet tona për zgjerim”
Shqipëria sot ka si avantazh kryesor në raport me fqinjët krahun e lirë të punës. Për Ertjan Cabirin, Drejtor Menaxherial i francezes “Delmon Group” në Shqipëri, kjo është ajo që po nxit kompanitë që operojnë në industrinë automotive të drejtojnë sytë nga vendi ynë.
Ai nënvizon në vendimet që marrin kompanitë e mëdha kalojnë në vlerësim një sërë faktorësh, si sistemi i taksave, burokracitë, afërsia me partnerët dhe avantazhi në secilin prej tyre krijon totalin e një nisme investimi. Në këtë kontekst, ai nënvizon se nga ana e qeverisë duhet të ketë nisma që përmirësojnë mjedisin e të bërit biznes dhe që nxisin investitorët të shohin Shqipërinë si një mundësi të re investimi.
A mund të bëni një profil të “Delmon Group” si kompani? (Nga “Delmon” në Francë zgjerimi i saj në tregjet e huaja dhe te dega e saj në Shqipëri. Çfarë ka në objekt të aktivitetit?)
“Delmon Group” është një kompani franceze e themeluar në vitin 1965 dhe e specializuar në përpunimin e gomës dhe aplikimet e saj në industri. Portofoli i produkteve të saj varion nga gominat amortizuese që përdorin autoveturat, specifikisht prodhohet për “Peugeot”, “Renault”, “Fiat Group”, te pjesët e gomës që përdoren në motorët e avionëve, apo sondat e shpimit të puseve të naftës. Kompania ka disa fabrika në Francë dhe Spanjë të specializuara në pjesë të ndryshme, sipas nevojave të klientëve përfundimtarë. Vitet e fundit, “Delmon Group” ka vazhduar në mënyrë agresive zgjerimin edhe në gjeografi të tjera si Kina dhe së fundmi në Shqipëri. Sigurisht, qëllimi kryesor mbetet ulja e kostove dhe afrimi me fabrikat e klientëve.
Sa është vlera fillestare e investimit të kompanisë, sa të punësuar ka dhe sa është volumi i eksporteve? Cili është plani afatmesëm i saj?
Vlera fillestare e investimit i kalon 1 milion euro vetëm në 6-mujorin e parë të aktivitetit në Shqipëri. Vetëm në këtë periudhë, ne kemi punësuar rreth 50 punonjës dhe kemi arritur të eksportojmë rreth 1 milion euro produkte llogaritur në vlerën e tregut. Në vitin e dytë synojmë që të shkojmë në 6 milionë euro eksporte dhe rrjedhimisht të zgjerojmë kapacitetet e të vazhdojmë të punësojmë dhe trajnojmë punonjës të rinj.
Sa e vështirë apo e lehtë është të gjesh krah pune të kualifikuar për proceset që kryhen në fabrikë në vendin tonë dhe në zonën ku operon? A zhvillon trajnime kompania dhe si janë të organizuara?
Është e pamundur të gjesh punonjës që nuk kanë nevojë për trajnim. Sigurisht, ka teknikë, të cilët kanë përvojë dhe mund të mësojnë më shpejt se sa të tjerë pa përvojë, por të gjithë duhet të kalojnë një periudhë trajnimi. Si strategji trajnimi, ne kemi preferuar trajnimin në vendin e punës dhe më pak atë teorik. Teknikët e mirëmbajtjes, të cilët kanë nevojë për më shumë specializim, kanë kaluar disa muaj në fabrikën tonë në Francë ku kanë punuar përkrah kolegëve francezë. Ndërkohë, për pozicionet e operatorëve të makinerive, përgjithësisht kemi preferuar t’i trajnojmë në fabrikën e Elbasanit, duke sjellë specialistë nga Franca, të cilët i mbikëqyrin dhe i drejtojnë. Kuptohet që këto trajnime janë mjaft të kushtueshme për kompaninë, por janë të domosdoshme për të garantuar një rritje të shpejtë dhe eficiente.
Sa nxitës e konsideroni sistemin e taksave dhe mjedisin e përgjithshëm të të bërit biznes në Shqipëri në kushtet aktuale? Çfarë avantazhesh ka Shqipëria që mund të nxisë zhvillimin e kësaj industrie në vend?
Avantazhi kryesor që ka Shqipëria në tërheqjen e investimeve të huaja është krahu i lirë i punës. Jo rastësisht, ka pasur një lulëzim të industrive që përdorin regjimin e përpunimit aktiv ose fasoneria. Sistemi i taksave sigurisht është i rëndësishëm, por nuk mendoj se ka një rol vendimtar, sigurisht duke krahasuar vendet konkurruese me Shqipërinë. Gjithashtu edhe burokracia që ka të bëjë me themelimin e kompanive, si dhe marrëdhëniet me shtetin janë përgjithësisht të lehtësuara, falë përmirësimeve të ardhura nga qeveria shqiptare ndër vite, por edhe falë kompanive private që ofrojnë shërbime gjithnjë e më të kompletuara, si zyrat e avokatëve apo kontabilistëve.
Ndërkohë, mendoj që shteti shqiptar duhet të vazhdojë të punojë për të ulur sa më shumë kostot që mund të jenë vendimtare për marrjen e vendimit nga ana e një kompanie për të zgjedhur Shqipërinë apo një vend tjetër të rajonit. Për shembull, duhet të përshpejtohet liberalizimi i tregut të energjisë, duke qenë se kostot e energjisë në Shqipëri janë shumë të larta. Gjithashtu, duke qenë se kostot e transportit janë shumë më të larta se transporti brenda BE-së, pse të mos synohet një lehtësim fiskal për kompanitë e transportit? Sigurisht këto janë thjesht ide, por thelbi qëndron në faktin se duhet punuar për të rritur avantazhet dhe për të eliminuar dizavantazhet e Shqipërisë në krahasim me vendet e rajonit.
Flet Lukas Nam, përfaqësues i “Yura Corporation” për Shqipërinë
“Synojmë të hapim fabrikën brenda 2019, trajnimi nga koreanët”
Kompania koreane, “Yura Corporation:, e cila pas një zvarritje 2-vjeçare arriti të marrë autorizimet dhe kontratën e qirasë 1 euro me qeverinë shqiptare, synon që të hapë fabrikën e parë në Fier brenda 2019-s me 516 të punësuar.
Përfaqësuesi i saj për Shqipërinë, Lukas Nam, në një intervistë për “Monitor” nënvizon se, nëse gjithçka ecën sipas planit, kompania do të zgjerohet në dyfishin e planit fillestar brenda dy viteve, duke e çuar numrin e të punësuarve mbi 1000. “Yura Corporation” synon që të prodhojë 200 mijë copë sisteme kabllore në vit për klientët e saj KIA dhe “Hyundai”. Përfaqësuesi i kompanisë vlerëson se Shqipëria duhet të bëjë ndryshime serioze në sistemin e saj për nxitjen dhe zhvillimin e investimeve të huaja.
“Yura” ka tashmë një kontratë me qeverinë shqiptare, a mund të na jepni disa detaje lidhur me kompaninë, vlerën e investimit, numrin e punonjësve që do të keni në fazën tuaj të parë?
Kompania “Yura Corporation” është një kompani koreane e njohur si prodhues i sistemeve kabllore dhe produkteve të tjera të ngjashme për makinat. Aktualisht “Yura” ka një fokus të veçantë tek angazhimi i burimeve në kërkime inovatore dhe zhvillimin e teknologjive që mundësojnë gatishmërinë për ndryshimet e së ardhmes dhe shpërndarjen e teknologjisë më të re për partnerët tanë. Në Europë dhe Afrikë, kompania ka një prani në të paktën 7 vende si Sllovaki, Çeki, Poloni, Serbi, Shqipëri, Marok dhe Tunizi me të paktën 13 mijë punonjës në total.
Zgjerimi më i fundit është menduar në Shqipëri dhe investimi fillestar do të jetë 6.5 milionë euro dhe do të punësohen 516 punonjës me kontratë.
Cilat janë planet në afatmesëm dhe afatgjatë për investimin dhe punësimin?
Ne do të donim që të kishim fabrikën e parë në Fier brenda vitit 2019. Nëse ky investim fillestar është i suksesshëm, do të zgjerojmë fabrikën e Fierit me dyfishin e punësimit dhe investimit brenda dy viteve.
Çfarë do të prodhojë kompania në Shqipëri saktësisht dhe volumi i planifikuar i prodhimit në fillim?
Do të prodhohen dy lloj sisteme kabllore për KIA dhe Hyundai motor. Volumi i prodhimit do të jetë rreth 200 mijë pjesë në vit.
Pse zgjodhët Shqipërinë, cilat janë disa nga avantazhet që ju shihni këtu?
Së pari, zgjidhje më të mira logjistike për të plotësuar kërkesat e konsumatorit. Së dyti, fuqi më e mirë punëtore. Kjo në krahasim me vendet e Afrikës së Veriut si Tunizia apo Maroku, ku ne kemi fabrika prej kohësh. Këto vende kanë kosto më të ulët të fuqisë punësonte, por klientët tanë kanë preferuar që të afrohen në Shqipëri.
Sigurisht 516 vende të reja pune të hapura menjëherë është një shifër e konsiderueshme. A mendoni se do ta keni të lehtë ta gjeni këtë forcë punëtore në zonën ku do të zhvilloni aktivitetin që është Fieri dhe a keni programe trajnimi?
Që në fillim, ne kemi shpresuar që do të kemi mundësi të gjejmë një forcë të mirë punëtore në zonën e Fierit. Kompania ka menduar që të përfshijë edhe trajnimet në axhendën e saj. Ato do të zhvillohen në Shqipëri dhe kryesisht nga trajnues koreanë specifikisht në çdo sektor dhe për një periudhë deri në tre muaj.
Pak kohë më parë, në një intervistë tonën në nëntor ju ishit skeptik në lidhje me investimin në Shqipëri duke konfirmuar se mund të tërhiqeshit për shkak të zvarritjes së procesit. Sot që flasim, a do ta sugjeronit Shqipërinë si një destinacion për investitorët e huaj?
Shpresoj që sistemi juaj për zhvillimin dhe nxitjen e investimeve të huaja të përmirësohet dhe duhet të përmirësohet. Ishte shumë e vështirë për ne si kompani të merrnim lejen. Kam shpenzuar më shumë se dy vite me këtë çështje në Shqipëri. Nëse nuk zgjidhet, ky do të jetë një kusht frenues shumë serioz për investitorët e huaj që duan të vijnë në Shqipëri.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.