Google njoftoi lançimin e “Street View” për Shqipërinë, duke u dhënë mundësi përdoruesve të shikojnë dhe të navigojnë 360° rrugët e qyteteve dhe vetë qytetet në të gjithë vendin.
“Street View” është një funksion falas i Google Maps që u lançua në maj të vitit 2007 dhe është tashmë në dispozicion në 77 shtete, në të gjithë botën. Është gjithashtu i aksesueshëm në Google Earth dhe Google Maps për celularë.
Për të parë imazhet, kërkoni për një vend në Google Maps për celularë (të disponueshme si për Android edhe për iOS), dhe zgjidhni opsionin Street View për të hyrë në udhëtimin tuaj 360°. Ju mund të shikoni një hotel para se të mbërrini, të bëni planet e udhëtimit, të caktoni pika takimi, ose të kërkoni ndihmë sa herë që keni nevojë për të gjetur rrugën. Turistët nga e gjithë bota do të jetë në gjendje të kontrollojnë se si të shkojnë në plazhet më të bukura, vendet historike ose kulturore.
Helena Kesic Kojan, Menaxhere e Programit, “EMEA Street View Operations” tha: “Street View do të hapë rrugët e bukura dhe qytetet e këtij vendi të mrekullueshëm për përdoruesit në mbarë botën. Tani bizneset dhe përdoruesit shqiptarë mund të gëzojnë shumë përfitime nga ky shërbim”.
Shqiptarët dhe njerëzit në të gjithë botën mund të bëjnë planet e udhëtimit, të kontrollojnë një restorant para se të shkojnë, të organizojnë pika takimi, ose vetëm të eksplorojnë dhe të njohin zonën më mirë.
Bizneset gjithashtu mund të përfitojnë nga teknologjia Street View duke vendosur Google Maps direkt në faqen e tyre falas, duke i ndihmuar ata të promovojnë një zinxhir hotelesh ose të rrisin ndërgjegjësimin për një dyqan, lokal apo restorant. Për shembull: një agjent i pasurive të patundshme mund t’u ofrojë klientëve të tij të mundshëm një pamje 360° të rrugës në të cilën ai ka një pronë për shitje. Turistët gjithashtu mund të kontrollojnë lehtësisht përpara festave destinacionin e saktë, hotelin dhe zonat përreth tij, ku ata mendojnë të kalojnë pushimet e shumëpritura”, tha znj. Kojan.
Përgjatë 8 javësh, Google mblodhi imazhe në Berat dhe Gjirokastër, dy qytetet pjesë e listës së trashëgimisë botërore, në qytetet e bregdetit të bukur Adriatik dhe Jon, në Durrës, Sarandë dhe Vlorë, në qytetet pranë liqeneve si Pogradeci dhe Shkodra, si dhe në qytete të tjera tërheqëse si Korça, Elbasani, Lezha, Fieri dhe natyrisht kryeqytetin tonë, Tiranën.
Google Street View, në Shqipëri, do të ndihmojë vizitorët nga e gjithë bota të zbulojnë vendin tonë të vogël por shumë të pasur, të kapërcejnë paragjykimet duke parë me sytë e tyre qytetet dinamike dhe brigjet e bukura, malet, liqenet dhe trashëgiminë kulturore dhe do të kontribuojë, që të ketë gjithnjë e më shumë njerëz që vizitojnë Shqipërinë.
Google ka arritur të mbrojë privatësinë, duke lejuar të gjithë përdoruesit e Shqipërisë të përfitojnë nga ky funksion. Street View përmban vetëm imazhet që janë tashmë të dukshme nga rrugët publike. Si me të gjitha imazhet e Street View, para publikimit, Google do të aplikojë mjegullimin e fytyrave të njerëzve si dhe mjegullimin e targave për të gjitha këto imazhe, me qëllim mbrojtjen e privatësisë së njerëzve. Pasi imazhet të jenë të disponueshme, njerëzit do të jenë në gjendje të raportojnë imazhet për t’i mjegulluar edhe më tej, duke klikuar mbi “Raporto një Problem” në këndin e majtë poshtë imazhit. Nga këtu, ata plotësojnë një formular të shkurtër ku tregojnë imazhin e saktë që duan ta mjegullojnë.