Shqipëria është renditur e fundit ndër 20 vendet e Europës Qendrore dhe Lindore për të bërë biznes. Dhomat e Tregtisë Gjermane në të gjitha këto shtete kanë anketuar gjatë muajit mars mbi 1600 anëtarë të tyre që kryesisht janë firma gjermane që kanë investuar atje.
Vendi ynë mbetet mbrapa Maqedonisë, Serbisë e madje edhe Kosovës, duke mbetur kështu si destinacioni ‘më pak i preferuar’ për investime të huaja.
Panorama bëhet edhe më negative nga të dhënat që vijnë nga kompanitë që operojnë në Shqipëri.
Rezultatet e anketimit mbi klimën e biznesit në Shqipëri 2013 dëshmojnë për një përkeqësim të situatës ekonomike në vend. Në vitin 2011, 67 % e të anketuarve e cilësojnë situatën si pozitive, në vitin 2012 vetëm 42 % dhe në vitin 2013 ky vlerësim ka rënë në 24 %.
Në vlerësimin e kushteve të vendit si destinacion investimesh, kompanitë e pyetura vazhdojnë të shohin nevojën për përmirësim të dukshëm.
Rezultatin më të keq e merr faktori “Korrupsioni dhe kriminaliteti”. 55% e të anketuarve shprehen se janë shumë të pakënaqur me “Luftën ndaj korrupsionit dhe kriminalitetit“.
52% e kompanive të pyetura janë të pakënaqura me “Administratën Publike” dhe kërkojnë që procedurat në administratën publike të jenë më transparente. 48 % janë të pakënaqur me “Parashikueshmërinë e politikave ekonomike”.
Në këto kushte edhe nismat e qeverisë për të ulur taksat për biznesit, kryesisht taksa e sheshtë, duket se nuk po japin asnjë efeket tek bizneset.
“Ne po shohim se taksa e sheshtë nuk është realisht 10%, por shumë më tepër “, tha Andrea Gebbeken, presidenete e DIHA.
Përsa i përket parashikimeve afatmesme mbi ekonominë shqiptare, në ndryshim nga viti i fundit, kompanitë janë më optimiste. 15 % e të anketuarve parashikojnë përmirësim të gjendjes ekonomike gjatë vitit 2013. 33 % mendojnë se situata nuk do të ndryshojë, ndërkohë që 52 % mendojnë se situata do të përkeqësohet.
Vitin e shkuar asnjë kompani nuk ka parashikuar përmirësim të situatës ekonomike.Drejtuesit e DIHA-s theksuan : “Në qoftë se Shqipëria dëshiron të ketë investitorë të huaj, duhet të punojë me të gjithë kushtet e përmendura më sipër. Në mënyrë të veçantë duhet që ligjet shqiptare të respektohen nga të gjitha palët. Vetëm në këtë mënyrë mund të shfrytëzohen potencialet e vendit nga kompanitë vendase dhe të huaja”.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.