Shqiptarët këtej e tutje do të kenë mundësi që të punojnë edhe në Katar. Ministri i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Spiro Ksera i cili ndodhet për një vizitë zyrtare në shtetin e Katarit ka rënë dakord me homologun e tij Hasser Al-Hemedi për nënshkrimin e një marrëveshje të përbashkët “Për rregullimin e Punësimit të Fuqisë Punëtore në Shtetin e Katarit”. Kjo marrëveshje është negociuar prej disa muajsh nga ekspertët e dy ministrive. Ministri Ksera tha se në qendër të politikave të qeverisë shqiptare është rritja e punësimit dhe se marrëveshje të tilla nxisin dhe inkurajojnë biznesin vendas, investimet e huaja dhe kontribuojnë në zhvillimin e ekonomisë. Ministri i Katarit Al-Hemedi tha se kjo marrëveshjes do t’u mundësojë punëdhënësve të vendit të tij të përzgjedhin fuqi punëtore të kualifikuar, që mund të kontribuojnë edhe në ndërtimin e veprave të mëdha për Lojërat Olimpike 2020.
Do të jetë Ministria shqiptare e Punës ajo që do të përzgjedh punëkërkuesit shqiptarë, që do të përmbushin kërkesat e ofertave. Nga ana e tyre punëdhënësit do të duhet të specifikojnë në ofertat e tyre kualifikimet e kërkuara, përvojën dhe specializimet e kryera, kohëzgjatjen e kontratës, kushtet e punësimit, pagesën, si dhe periudhën e provës dhe lehtësirat lidhur me transportin dhe strehimin.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.