Sipas Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), shumica e investimeve kosovare, si në Gjermani, Shqipëri, Maqedoni, Zvicër, Holandë, janë në patundshmëri, por edhe në turizëm e ndërtim. Biznesmenët kosovarë thonë se vendet fqinje kanë politika më të favorshme fiskale se Kosova.
Shumë biznese kosovare po i investojnë paratë në vende të rajonit dhe më gjerë, disa për qëllime më të mëdha përfitimi e disa për shkak se kushtet e të bërit biznes në Kosovë nuk janë të mira, prandaj e kanë zgjedhur rajonin.
Zyrtari për informim i BQK-së, Besnik Kada, tha se investimet e rezidentëve kosovarë jashtë vendit në vitin 2013 kanë qenë rreth 17.9 milionë euro, ndërsa në tremujorin e parë të vitit 2014 këto investime ishin në vlerën e 5.2 milionë euro. Ai shtoi se statistikat për tremujorin e dytë ende nuk janë të gatshme. Sipas Kadës, shumica prej këtyre investimeve janë në formë të patundshmërisë, në vendet si: Gjermania, Shqipëria, Maqedonia, Zvicra, Holanda, etj.
Por, zyrtarët e Agjencisë për Investime dhe Përkrahje të Ndërmarrjeve, në MTI, nuk kanë të dhëna për investimet që po i bëjnë bizneset vendore jashtë Kosovës. Në përgjigjen elektronike që ka dërguar kjo zyrë thuhet se kjo agjenci nuk ka të dhëna për investimet e bizneseve kosovare jashtë vendit
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.