Një çështje me rëndësi, e trajtuar në vrojtimin e Bankës së Shqipërisë, “Kultura financiare në Shqipëri: Rezultatet e vrojtimit për matjen e nivelit të njohurive financiare të popullatës, 2011”, është edhe përcaktimi i shkallës së përgjegjshmërisë së individit në administrimin e financave familjare dhe në mbajtjen e një buxheti. Kjo tematikë është analizuar nëpërmjet përgjigjeve të dy pyetjeve të ndryshme. Pyetja e parë kërkon që i intervistuari të tregojë nëse jeton në një familje që mban një buxhet familjar20. Më pas, pyetet se kush është personi përgjegjës për vendimet që lidhen me menaxhimin e përditshëm të parave në familjen e tij për të analizuar procesin e vendimmarrjes financiare brenda familjes. pjesa dërrmuese e familjeve shqiptare (78.4% e totalit) mban një buxhet familjar, çka dëshmon një shkallë të lartë organizimi dhe planifikimi financiar të tyre.
Buxheti familjar mbahet më së shumti nga personat e martuar ose që bashkëjetojnë me partnerin (79.7% e tyre), praktikë kjo e ndjekur edhe nga 78.6% e personave të divorcuar apo të ve dhe më pak nga personat e pamartuar (68.4% e tyre). me rritjen e numrit të pjesëtarëve të familjes, ulet përqindja e personave që deklarojnë se mbajnë një buxhet familjar. Gjithashtu, 1 në 10 persona që jetojnë në një familje me më shumë se 7 pjesëtarë nuk është në dijeni nëse në familjen e tij mbahet një buxhet. Këto rezultate bien ndesh me pritshmëritë se familjet e mëdha kanë nevojë për një organizim financiar më të mirë, për të përballuar shpenzimet e shumta.
Më të rregullt në mbajtjen e një buxheti duken të jenë personat me të ardhura familjare të ulëta, të ndjekur nga afër nga ata me të ardhura të larta (përkatësisht 82.4% dhe 80.2% e tyre). Ndërkohë gati një e katërta e personave me të ardhura të mesme shprehet se nuk mban një buxhet familjar.
Të pyetur se cili është personi përgjegjës për vendimmarrjen e përditshme financiare në familje, të anketuarit dëshmojnë një shkallë të lartë përfshirjeje në këtë proces.
Gati 3 në 4 persona deklarojnë se janë të përfshirë personalisht ose në bashkëpunim me pjesëtarë të familjes në administrimin e përditshëm të parave21. Të dhënat tregojnë se, vendimmarrja financiare kryhet më së shumti në bashkëpunim me bashkëshortin/ en (në 43.1% të rasteve)22. Ky rezultat pasohet nga 36.3% e të anketuarve, që cilët pohojnë se vendimmarrja financiare qëndron në dorën e një personi të vetëm (të të intervistuarit ose të bashkëshortit/es të tij/saj).
Përqindja e meshkujve dhe femrave që deklarojnë se vendosin bashkë me bashkëshortin/en mbi menaxhimin e përditshëm të parave në familje është i përafërt (përkatësisht 43.6% dhe 42.4%). Nga ana tjetër, 1 në 3 meshkuj shprehet se vendimet e natyrës financiare i ndërmerr i vetëm, sjellje e ndjekur nga 1 në 5 femra. Gjithashtu, 16.1% e femrave dhe 9.0% e meshkujve pohojnë se këto vendime ndërmerren nga pjesëtarë të tjerë të familjes. Këto rezultate dëshmojnë se në familjet shqiptare, femrat janë më pak të përfshira në vendimmarrjen e përditshme financiare të familjeve të tyre.
E analizuar sipas moshës së të intervistuarit, vendimmarrja financiare paraqitet e ndikuar dukshëm prej kësaj karakteristike. Individët e grup-moshës mesatare (30-59 vjeç) rezultojnë më aktivët (83.2% e të intervistuarve të kësaj grupmoshe janë personalisht të angazhuar në menaxhimin e përditshëm të parave në familje, kundrejt 69.9% të individëve mbi 60 vjeç dhe 22.6% të atyre 18-29 vjeç). Një rezultat që bie në sy në këtë analizë, është edhe fakti se 75.7% e individëve të grup-moshës 18-29 vjeç pohojnë se janë persona të tjerë të familjes ose jo, ata që ndërmarrin vendimet e përditshme financiare, duke lënë të kuptohet se jetojnë ende në familjet e origjinës dhe vendimmarrja qëndron në duart e prindërve të tyre.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.