Kriza nuk e ka ulur konsumin e pijeve energjike në vend, duke e çuar në rreth 57 milionë euro xhiron e këtij tregu, me konsumin më të lartë për frymë në rajon. Operatorët konfirmojë shtim të shitjeve, ndërkohë që rritet pesha e markave të lira, kryesisht nga Kosova
Konsumatori shqiptar është mjaft i tërhequr nga pijet energjike, shitja e të cilave nuk është ulur edhe në vitet e krizës. Të dhënat nga kompanitë e tregtimit të pijeve energjike konfirmojnë shtim të markave në treg, por edhe të shitjeve.
Rreth 14 kanoçe me “energji” përllogaritet të konsumojë çdo shqiptar në vit, duke u renditur të parët në rajon për këtë lloj produkti. Tregu shqiptar konsiderohet si një nga më potencialët në Ballkan për konsumin e pijeve energjike, çka ka nxitur edhe shtimin e markave të reja në treg.
“Shqipëria është e para në rajon dhe kjo tendencë sa vjen e rritet”, thotë Ledia Kucani, Brand Manager në kompaninë “Red Bull” në vendin tonë.
Konsumatorët e pijeve energjike, që përgjithësisht nuk janë me të ardhura shumë të ulëta, si dhe vendet ku konsumohet më shumë, si bare apo ‘pub’-e, janë indiferentë ndaj rritjeve të çmimeve që po pësojnë produktet bazë. Mosha që konsumon më shumë këtë produkt është nga 15-29 vjeç. Çmimi i një kanoçeje pije energjike është 150 lekë në tregun e marketeve dhe supermarketeve, ndërkohë që në lokale minimumi është 300 lekë.
Tregu është rreth 95% import, i cili është shtuar vitet e fundit, ku një peshë të rëndësishme po luajnë edhe markat kosovare. Naim Dedja, importues ekskluziv i markës kosovare “Golden” Eagle” në Shqipëri, thotë se ecuria e çmimeve ka qenë e kënaqshme dhe gjatë këtij viti shitjet janë rritur me afro 30%. Pika më e fortë e markave kosovare është çmimi konkurrues i tyre në treg, gjysma e çmimit të markave të shtrenjta, si “Red Bull”.
“Markat kosovare po marrin më shumë treg në këtë periudhë krize, sepse konsumatorët kërkojnë të shpenzojnë më pak”, thotë z. Dedja.
Sipas operatorëve, pijet energjike me çmime të ulëta e kanë rritur peshën në treg, kjo duke i marrë treg edhe pijeve freskuese apo lëngjeve të frutave.
“Markat kosovare janë shtuar me rritjen e numrit të shtetasve kosovarë në Shqipëri, të cilët i njohin dhe i konsumojnë ato”, thotë operatorët.
Por edhe “Red Bull” përllogarit rritje të shitjeve në 2011-n, si dhe gjatë këtij viti. “Ne vazhdojmë të kemi rritje, edhe pse jo në nivele aq të larta sa para krizës”, thotë znj. Kucani.
Energjia, “e dobishme” në krizë
Importuesit dhe tregtuesit e pijeve energjike thonë se kriza ekonomike ndikon në mënyrë pozitive te konsumi i tyre. Sipas tyre, në periudha të vështira, njerëzit kanë më shumë nevojë për energji dhe adrenalinë, fakt ky që vihet re edhe në ekonomitë në krizë.
Efekti krizë “stimulon” përdorimin e produkteve energjike, antistres dhe një argument për këtë është Greqia, ku pijet energjike në këto tre vjet krize kanë shitje me disa herë më të larta.
Në tregun shqiptar përllogaritet se shiten rreth 40 milionë kanoçe pije energjike në vit. Vlerësuar nga çmimi i tregut (çmim stende) vlera shkon rreth 60 milionë dollarë apo 57 milionë euro.
Për markat e reja që kanë hyrë në treg sigurisht që është më e vështirë të konkurrosh në tregun e pijeve energjike, kur përgjithësisht konsumatorët shqiptarë e identifikojnë këtë produkt vetëm me “Red Bull”.
“‘Red Bull’ ka ecur gjithmonë shumë mirë në Shqipëri, ky është tashmë një fakt i njohur dhe konsumatorët shqiptarë e duan vërtet produktin tonë. Përgjithësisht kur kërkohet një pije energjike, kërkohet ‘Red Bull’”, thotë Ledia Kucani, Brand Manager e “Red Bull” në Shqipëri.
Këtë fakt e përforcon edhe drejtori i përgjithshëm i kompanisë që importon pijen energjike “B52” në Shqipëri, Lavdush Tormetaj.
“Vitin e kaluar kemi pasur rënie të shitjeve deri në 30%, kjo ka ardhur për shkak të krizës dhe uljes së shpenzimeve të konsumatorëve. Efekt negativ për ne luan edhe fakti që shumë klientë vazhdojnë të identifikojnë pijen energjike me ‘Red Bull’-in”, thotë ai.
“B52” është një markë holandeze, e cila prej disa vitesh ka hyrë në tregun shqiptar dhe shitet gjithashtu me çmim të lartë, 20% më lirë se “Red Bull”, çka shtyn klientët e kësaj fashe që të mos ndryshojnë zgjedhje.
Konkurrencë në rritje
Por ndërkohë, konkurrentët e tjerë po kërkojnë të marrin treg me çmime shumë më të ulëta. Çmimet e markave kosovare apo të markave të tjera të reja janë në nivelin e 60-70 lekë në pikat e tregtimit me pakicë, sa 1/2 apo 1/3 e çmimit të “Red Bull” dhe në nivele të njëjta me çmimet e pijeve freskuese.
Pozitiv për markat e reja që hyjnë në treg është pikërisht fakti që janë “të reja” dhe konsumatorët joshen që t’i provojnë. Përgjithësisht konsumatorët shqiptarë e perceptojnë kategorinë si një risi nga ku mund të përfitohet rritja e ndjesisë energjike. Për operatorët e rinj, konkurrenca është gjithmonë e shëndetshme dhe sfiduese.
Marketingu është agresiv te pijet energjike dhe kryesisht të gjitha preferojnë të reklamojnë në median vizive, qoftë me reklama të dedikuara, qoftë me promovimin gjatë emisioneve argëtuese. Mjaft aktive kanë qenë markat kosovare. “Golden Eagle” prej muajsh promovohet gjatë emisionit “Zonë e Lirë” në televizionin “Klan”. Kjo markë prodhohet në Kosovë nga kompania “Frutex” dhe linja e prodhimit është aktive që në vitin 2006. Sipas të dhënave zyrtare nga kompania, linja e teknologjisë me kapacitet prej 15.000 kanoçe/ orë është instaluar në vitin 2008.
Një tjetër markë e re, “Top Energy” ka zgjedhur prezencën në programin “Big Brother” në “Top Channel”. Ky është gjithashtu një produkt kosovar, i cili ka hyrë së fundmi në tregun vendas. Hyrja e markave kosovare është rritur gjatë 3-4 viteve të fundit, si pasojë e lehtësisë së transportit, pas hapjes së rrugës së re Durrës-Kukës, shtimit të numrit të kosovarëve në vendin tonë, si dhe zgjerimit të kompanive kosovare në tregjet e rajonit e më gjerë.
Ndërkohë, kompania më e madhe në vend, “Red Bull” vazhdon të bëjë publicitet me spote të veçanta, të krijuara nga kompania mëmë dhe me mesazhe humori.
Botë, rritje të shpejta të konsumit
Pijet energjike filluan të shiteshin për herë të parë në vitin 1987 në Austri dhe në vitin 1997 në Amerikë. Në ditët e sotme njihen më shumë se 200 marka në 140 vende dhe numri i të rinjve që konsumojnë këto pije shtohet dita-ditës. Disa prej tyre i konsumojnë si ujë apo soda në mëngjes, drekë, darkë apo në vaktet në mes. Një studim i bërë në Amerikë tregoi se 31% e të rinjve të moshave 12-17 vjeç janë konsumatorë të rregullt të pijeve energjike. Sipas një raporti të dhënë në revistën “Fortune” tregu i pijeve energjike në Amerikë është rritur afërsisht me 700% që nga viti 2000 dhe shifrat vjetore të shitjeve arrijnë në shumën e 5,4 miliardë dollarëve. Në pijet energjike ka shumë më tepër kafeinë sesa te pijet e ngjashme joalkoolike me to si “Cola”, “Sprite”, “Soda”. Shumica prej tyre në 250 ml përmban 80 miligramë kafeinë, ndërsa në një kuti apo shishe të disa pijeve energjike mund të ketë më shumë se 505 miligramë kafeinë. Në mjekësi kafeina përdoret si një ilaç për sistemin nervor dhe në përgjithësi, nëse përdoret në sasi të pranueshme, është një lëndë e kontrolluar. Në të njëjtën kohë kafeina është i vetmi ilaç psiko-aktiv që mund të përdoret te fëmijët. Kafeina e marrë në sasi të mëdha mund të shkaktojë probleme si nervozizëm, pagjumësi, probleme të stomakut – zorrëve dhe takikardi. Pijet energjike nuk hyjnë as te produktet ushqimore, as tek ilaçet, vlerësohen si mbështetëse ushqimore dhe për këtë arsye, ligjet e vlefshme për ilaçet dhe ushqimet nuk vlejnë për këtë kategori. Në shumë shtete janë të ndaluara: Në Zvicër pijet energjike nuk u shiten fëmijëve nën moshën 15 vjeç dhe përveç kësaj ka shumë paralajmërime rreth mospërdorimit të pijeve energjike bashkë me pijet alkoolike dhe pas stërvitjes. Në Norvegji, shitja e tyre lejohet vetëm në farmaci. Në Angli është e detyruar ngjitja e shënimeve në pijet energjike në të cilat shkruhet se përdorimi i tyre nuk është i përshtatshëm për fëmijë nën moshën 16 vjeç, gratë shtatzëna, nënat që ushqejnë fëmijët me gji dhe personat të cilët janë të ndjeshëm ndaj kafeinës. Në shtete si Australia dhe Zelanda e Re këto pije njihen si mbështetëse ushqimore prandaj nuk bëhet fjalë për lejimin e përdorimit të 80 miligramë kafeinë në 250 ml.
Tregu
-14 kanoçe/frymë në vit përllogaritet konsumi në Shqipëri, duke u renditur të parët në rajon për këtë lloj produkti
-60-70 lekë/kanoçja janë çmimet e markave kosovare në pikat e tregtimit me pakicë, sa 1/2 apo 1/3 e çmimit të “Red Bull” dhe në nivele të njëjta me çmimet e pijeve freskuese
– 40 milionë kanoçe pije energjike në vit shiten në vendin tonë. Vlerësuar nga çmimi i tregut (çmim stende) vlera shkon rreth 60 milionë dollarë apo 57 milionë euro
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.