Shqiptarët, ndër më të varfrit në rajon

27/11/2016 9:23 AM 0 komente

Totali i pasurisë së shqiptarëve është 21 miliardë dollarë, sipas raportit më të fundit të Credit Swisse për pasurinë globale 2016.
Pasuria për çdo të rritur shqiptar është rreth 9200 dollarë. Në raport me vitin 2000, pasuria për të rritur është trefishuar. Megjithatë, cilësia e raportimit të të dhënave konsiderohet e varfër. Shqipëria përfshihet në grupin e vendeve me të ardhura të ulëta dhe të mesme. Pasuria e të rriturve shqiptarë është shumë më e ulët se mesatarja botërore prej rreth 52.8 mijë dollarësh.
Në krahasim me vendet e tjera të rajonit, pasuria e të rriturve shqiptarë është ndër më të ulëta, duke ia kaluar vetëm Serbisë.
Në raport, pasuria për çdo të rritur maqedonas është 9600 dollarë, për Serbinë është 6900 dollarë. Për Bosnjën është shumë më e lartë, duke arritur në 11.4 mijë dollarë, në Bullgari arrin në rreth 14.8 mijë dollarë dhe në Rumani, rreth 13.8 mijë dollarë.
Nga vendet fqinjë, më të pasur janë malazezët, ku një i rritur ka një pasuri prej 18.8 mijë dollarësh.
Më të pasur janë kroatët, me një pasuri prej rreth 22.3 mijë dollarësh.
Ndërsa në të gjithë rajonin e Ballkanit, më të pasur janë sllovenët me 57.4 mijë dollarë.

Raporti

Edicioni i shtatë i Pasurisë Globale konfirmon një kurs të dobët të rritjes së pasurisë globale. Në 12 muajt e fundit, pasuria globale është rritur me 3.5 USD trilionë në 256 USD trilionë, që paraqet një rritje prej 1.4%. Megjithatë, krijimi i pasurisë ka mbajtur thjesht ritmin me rritjen e popullsisë. Si rezultat, në vitin 2016, pasuria për të rritur ishte e pandryshuar për herë të parë që nga viti 2008, në rreth USD 52,800. Në mesin e ekonomive kryesore, SHBA dhe Japonia ishin në gjendje të gjeneronin rritje të ndjeshme të pasurisë shtesë, ndërsa në Mbretërinë e Bashkuar është regjistruar një rënie e ndjeshme si pasojë e zhvlerësimit të monedhës.
Pasuria mesatare për të rritur në botë ishte 52,800 dollarë, duke shënuar ndryshime të mëdha nga një shtet në tjetrin. Kombet më të pasura, ku pasuria për të rritur i kalon 100 mijë dollarë janë në Amerikën e veriut, Europën Perëndimore në Azi dhe Lindjen e Mesme.
Shtetet e Bashkuara vijuan të rrisnin pasurinë, duke shtuar pasurinë me 1.7 trilionë dollarë.
Zvicra mbajti vendin e parë dhe kryeson me diferencë me Australinë (USD 376,000, në rënie me SD 5,000). Shtetet e Bashkuara (USD 345,000, me rritje USD 3,000), dhe Norvegjia janë ende përkatësisht në vend të tretë dhe të katër, por Zelanda e Re (USD 299,000, në rritje me USD 34,000) ka kërcyer në vendin e pestë, duke lënë pas Mbretërinë e bashkuar, Singaporin dhe Belgjikën. Kanadaja me (USD 270,000, me rritje USD 2,000) ka rënë në vendin e nëntë, ndërsa Danimarka (USD 260,000, në rritje nga USD 5,000) ka mbajtur vendin e dhjetë.

Në Shqipëri ka 16 mijë individë me pasuri deri në 1 milion dollarë

0.7% e të rriturve shqiptarë kanë një pasuri mbi 100 mijë dollarë, që arrin deri në 1 milion dollarë, sipas Credit Swisse. Sipas raportit janë rreth 2.3 milionë të rritur në Shqipëri, çka nënkupton që në vlerë absolute janë rreth 16 mijë individë, pasuria e të cilëve arrin deri në 1 milion dollarë.
Pjesa më e madhe e të rriturve shqiptarë, 73.3% e tyre, janë relativisht të varfër dhe kanë një pasuri nën 10 mijë dollarë. 26% e tyre kanë një pasuri që luhatet nga 10 mijë deri në 100 mijë dollarë.
Në krahasim me vendet e tjera të rajonit, Shqipëria rezulton se ka përqindjen më të ulët të milionerëve së bashku me Serbinë, që e ka këtë peshë 0.5%. Në Maqedoni, përqindja e milionerëve është 0.8%, në Bosnjë 1%, në Bullgari 1.5%, në Kroaci 2.6%, në Mal të Zi arrin në 2%

blerje online 1

Si janë rritur borxhet

Në 2015-2016, një i rritur shqiptar kishte më pak pasuri se në vitin 2004. Viti kur pasuria e individëve arriti rekord ishte 2007-a. Borxhi është shtuar nga 37 dollarë për të rritur në 2000, në 626 dollarë në 2016-n…

Në tabelat e publikuara, raporti jep të dhëna për pasurinë e të rriturve shqiptarë që nga viti 2000. Të dhënat tregojnë se viti kur të rriturit shqiptarë janë vlerësuar se kanë pasur pasurinë më të lartë është fundi i 2007-s, me 14,865 dollarë.
Më pas, fillimi i krizës globale duket se ka varfëruar dhe shqiptarët, që panë një rënie të pasurisë së tyre, për të arritur në 9200 dollarë në fund të 2010. Tejkalimi i krizës bëri që pasuria të përmirësohej, duke u ngjitur në 10,195 dollarë në fund të vitit 2013.
Më pas kemi sërish rënie, për të zbritur në 8,713 dollarë në 2015-n, niveli më i ulët ky që nga viti 2003. Ndonëse në 2016-n u raportua rritje, për të arritur në rreth 9200 dollarë, pasuria e shqiptarëve në 2015-2016 vlerësohet, sipas raportit, që të jetë më e ulëta e dekadës së fundit.
Krahas rënies së pasurisë, ajo që konstatohet është shtimi i borxheve, një tjetër tregues i matur nga raporti. Ndërsa në vitin 2000, borxhi për të rritur ishte 37 dollarë dhe në 2003 ishte 128 dollarë, në mes të vitit 2016, borxhi për të rritur është shumëfishuar në 626 dollarë.
Nga 9,204 dollarë që ishte pasuria neto e një të rrituri në 2016-n, 1675 dollarë ishte pasuri financiare dhe ajo financiare 8155 dollarë, ndërsa borxhet ishin 626 dollarë.

blerje online 1

Share on FacebookTweet about this on TwitterShare on Google+Share on LinkedInEmail this to someonePrint this page

Komente

Jeni i pari për të shkruar një koment!

Notify of
avatar
wpDiscuz